Përfitimet nga marreveshja e firmosur nga ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinise Erjon Veliaj dhe ​homologia rumune kanë të bëjnë me përfitimet në të holla në rast sëmundje dhe barrëlindje, aksidente në punë e sëmundje profesionale, pensionet e pleqërisë, familjare dhe të invaliditetit dhe pagesat për vdekje nga skema e sigurimeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, si dhe përfitimet në natyrë nga skema e detyrueshme e sigurimit të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje, për shtetasit e të dy vendeve do të merret në konsideratë bashkimi i periudhave të plotësuara në të dy vendet, në rastet e përfitimeve për sëmundje, barrëlindje, pensione të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet familjare.

Pra, në rast se një shqiptar ka punuar dhe është siguruar në Shqipëri për një periudhë 14 vjeçare, por ka punuar edhe në Rumani për rreth 14 vite, nëse nuk do të kishte marrëveshje, personi nuk do të përfitonte pension në asnjërin vend, sepse legjislacioni kërkon minimalisht 15 vite sigurimi shoqëror për të përfituar pension. Me këtë marrëveshje krijohet mundësia e bashkimit të periudhave të sigurimit, pra personit i konsiderohen 28 vite pune dhe pavarësisht se ku aplikon për të marrë pension, ai plotëson kushtet për pension. Llogaritja e masës së pensionit llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do të përballohet proporcionalisht nga secili shtet.

Zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë eksportimin e përfitimeve nga Shqipëria në Rumani, kur personi qëndron apo ka vendqëndrimin në Shqipëri dhe anasjelltas. Pra, nëse personi merr pension në Shqipëri dhe shkon të jetojë në Rumani pensioni i tij do të transferohet atje dhe anasjelltas.