Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu
Shën Naumin dhe Vermoshin

Artikulli i katërt i historianit Kristo Frashëri mbi të vërtetat e jetës së Ahmet Zogut. Në këtë artikull Frashëri trajton çështjen e nxehtë të lëshimit të Shën Naumit e Vermoshit.

Gjithë prapaskenat Zogu për ta mbuluar këtë  tradhëti. Shkresat zyrtare që zbulojnë temin ratifikim territoresh jo shkëmbim siç pretendohej.

 
6. LËSHIMI NGA A. ZOGU I SHËN NAUMIT DHE I VERMOSHIT

Gjatë qëndrimit të tij në Jugosllavi Ahmet Zogu u përgatit me qetësi për të organizuar kundërrevolucionin në Shqipëri. Ai pati ndihmën e palëkundur politike, ushtarake, financiare nga qeveria jugosllave. Ndihmat financiare thuhet se kanë qenë të konsiderueshme. Por të dhëna të sakta nuk ka. Për sa i përket ndihmave ushtarake, një burim britanik i kohës jep këto shifra të përafërta që qeveria jugosllave vuri në dispozicion të Zogut. Burimin e citon historiani anglez J. Suire. Ai shkruan:
“Qeveria jugosllave përqendroi në kufi këto forca të cilat do ta mbështesnin A. Zogun në mënyrë të drejtpërdrejtë, kur të arrinte çasti i duhur: 1000 vullnetarë nga ushtria e rregullt jugosllave, shumica rekrutë malazezë dhe shqiptarë; 1000 rezervistë nga Kërçova, Tetova, Gostivari dhe Dibra. Këta qenë veshur me rroba të vendit... 500 malësorë nga Mati, që kishin ikur me Ahmet Zogun; 800 veta të ushtrisë së refugjatëve të gjeneralit (bjellorus) Vrangel, që kishte gjetur strehim në Jugosllavi; 40 oficerë të ushtrisë refugjate të gjeneralit Vrangel; 16 oficerë (me uniformë) të ushtrisë së rregullt jugosllave.

Gjithashtu qenë vënë në dispozicion të Zogut njësitë e mëposhtme të ushtrisë së rregullt jugosllave: 2 bateri të artilerisë malore, model austriak, rrezja 9000 metra, së bashku me mitraljerët; 10 mitraloza të rëndë, së bashku me mitraljerët; 20 mitraloza të lehtë, së bashku me mitraljerët. Këta mercenarë qenë paguar mirë. Gjithashtu u vunë në dispozicion të Zogut një furnizim i plotë me municion dhe njësi të motorizuara transporti të ushtrisë jugosllave, për të çuar furnizimet në bazë”. (J. Suire, po aty, f. 351).

Sipas këtyre të dhënave britanike, del se A. Zogu pati në dispozicion të vet rreth 4000 trupa, nga të cilat vetëm 500 qenë matjanë, pra luftëtarë nga Shqipëria, kurse të tjerët ishin forca ushtarake nga Jugosllavia (serbë, malazezë, bjellorusë, shqiptarë nga viset e Jugosllavisë). Ashtu si armatimet, edhe shpenzimet financiare u përballuan nga Beogradi. Në bazë të këtyre të dhënave del se ky ishte një kundërrevolucion i organizuar nga Jugosllavia, kurse Ahmet Zogu shërbeu si një mercenar i paguar nga Beogradi.

Në sajë të këtyre ndihmave, që mori nga Nikolla Pashiçi – A. Zogu shtypi qeverinë e Fan Nolit, i cili u gjend i izoluar nga jashtë dhe i bllokuar nga rivalitetet e brendshme. A. Zogu hyri në Tiranë më 24 dhjetor 1924. Hyrjen në Tiranë ai e quajti “Triumfi i Legalitetit”, pra vendosjen e statusit legal në Shqipëri. Katër javë më vonë, më 21 janar 1925 ai e shpalli Shqipërinë Republikë, kurse më 31 janar Asambleja e ngarkoi A. Zogun President të saj. Presidenti i Republikës ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë shqiptare. Republika që shpalli Zogu në formë dukej se ishte republikë presidenciale. Në të vërtetë, ajo nuk qe as presidenciale, as parlamentare, as demokratike. Ajo qe një republikë despotike, ku të gjitha fijet e pushtetit përqendroheshin në duart e A. Zogut.

Si despot autokrat Zogut tani nuk i pëlqente të ishte, siç nënkuptohej në marrëveshjen e 14 gushtit 1924, mëkëmbësi i mbretit jugosllav në Shqipëri. Për këtë arsye, sapo rivendosi pushtetin e vet, ai mendoi të çlirohej nga detyrimi që kishte marrë ndaj Nikolla Pashiçit me marrëveshjen e fshehtë të 14 gushtit 1924. Për t’u çliruar nga ky zotim, atij i duhej të siguronte një mbështetje të fuqishme në arenën ndërkombëtare. Mbështetjen e gjeti tek Italia fashiste. Për këtë qëllim ai emëroi në qeverinë shqiptare në krye të dikastereve më të rëndësishme, dy ministra me prirje politike të kundërta – njërin Ceno beg Kryeziun ministër i Punëve të Brendshme, kunati i Ahmet Zogut, i cili njihej botërisht se ishte përkrahës (dikush thotë edhe agjent) i lidhjes së ngushtë të Shqipërisë me Mbretërinë e Jugosllavisë; tjetrin Myfit bej Libohovën ministër i Finacave dhe zv.ministër i Punëve të Jashtme, i cili njihej si agjent i Romës dhe ishte treguar i gatshëm për ta futur Shqipërinë nën protektoratin e Italisë (më vonë të dy i likujdoi fizikisht).

Në fillim riardhja në pushtet e A. Zogut për lidhjet e tij të ngushta me Jugosllavinë nuk u pa me sy të mirë në Romë. Por Zogu i largoi retë e dyshimit, duke kërkuar nga Roma, nëpërmjet Myfit Libohovës, miqësinë e saj. Roma, rivale e Jugosllavisë në Adriatik dhe në Ballkan, u tregua e gatshme. Marrëveshjen me Italinë Zogu e konsolidoi duke nënshkruar me Romën dy koncesione të rëndësishme – koncesionin e nxjerrjes së vajgurit nga rezervat që mbante nëntoka shqiptare dhe koncesionin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, si institucion financiar i monedhës dhe i kreditit, me të drejtë absolute të prerjes së monedhës kombëtare të Shqipërisë. Nga ana e saj, Roma i premtoi Shqipërisë një hua të konsiderueshme prej 50 milionë frangash ari për ndërtime botore.

Pasi nënshkroi marrëveshjet me Italinë dhe pasi siguroi përkrahjen e Britanisë së Madhe, A. Zogu vendosi të çlirohej nga detyrimet që kishte marrë ndaj Jugosllavisë me marrëveshjen e 14 gushtit, jo duke e mohuar atë në tërësi, por duke anashkaluar shumicën e pikave të saj. Siç e treguan ngjarjet, Zogu vendosi të respektonte vetëm zotimin që kishte marrë në nenin 10 të marrëveshjes – rregullimin e kufirit në favor të Jugosllavisë në sektorët e Shën Naumit dhe të Vermoshit. Për këtë arsye, Zogu që në janar të vitit 1925 porositi Mehdi Frashërin, përfaqësuesin e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve, të ndiqte pikërisht rrugën e marrëveshjes dypalëshe, atë që kërkonte N. Pashiçi, për të plotësuar kërkesën e tij, duke ndryshuar kufirin shqiptaro-jugosllav.

Ahmet Zogu, kryetar i Republikës së Shqipërisë me logo 2
(Në foto: Ahmet Zogu, kryetar i Republikës së Shqipërisë)

Për të mos e paraqitur këtë lëshim si një dhunim të integritetit tokësor, të cilën të gjitha kushtetutat e botës e stigmatizojnë si tradhti, Mehdi Frashëri, si një esnaf i vjetër i diplomacisë orientale, e gjeti shtegun e zgjidhjes: në vend të “lëshim territoresh” e formuloi marrëveshjen si gjoja “shkëmbim territoresh”. Sipas projektit të tij, të gatuar sigurisht në kuzhinën e Beogradit, Shqipëria do t’i jepte Jugosllavisë Manastirin e Shën Naumit prej 25 hektarësh dhe do të merrte prej saj fshatrat Piskupat, Lubanishtë dhe pjesën e sipërme të luginës së Çërravës me një sipërfaqe dhjetë herë më të madhe se ajo që i jepte. Ky ishte një mashtrim, mbasi tokat që merrte Shqipëria si shkëmbim nga Jugosllavia bënin pjesë në kazanë e Korçës, e cila i qe njohur asaj që në vitin 1913. Po kështu edhe në sektorin e Vermoshit, Shqipëria i jepte Jugosllavisë pllajën e Velipojës së Vermoshit dhe gjoja merrte zhurishtet dhe shkëmbinjtë e Lembrajës dhe të disa territoreve të tjera pa vlerë as bujqësore, as blegtorale, të cilat për më tepër i qenë njohur që në vitin 1913 Shqipërisë.

Duke parashikuar se lëshimi i trojeve shqiptare një shteti tjetër, do të shkaktonte reagimin e opinionit publik shqiptar, si dhunim të statutit themeltar të shtetit, me porosinë e A. Zogut u bënë ndryshime në aktin juridik themeltar të shtetit, sikur ndryshimi i kufijve ishte në favor të Shqipërisë. Veç kësaj, ai e paraqiti marrëveshjen që po lidhte Shqipëria me Jugosllavinë si një vendim që gjoja kishte marrë Konferenca e Ambasadorëve, i cili në fakt jo vetëm nuk ishte vendim por nuk ishte as porosi apo sugjerim.

Gjithnjë me qëllim që të shkarkonte veten nga përgjegjësia, A. Zogu kërkoi që të drejtën për të bërë ndryshime në kufijtë e Shqipërisë ta merrte Asambleja Legjislative (mbledhja e përbashkët e Parlamentit dhe e Senatit), kurse qeveria shqiptare do të ishte e detyruar ta zbatonte atë.
 
Meqenëse tashmë në Asamblenë Legjislative nuk kishte opozitë parlamentare dhe se deputetët si dhe me senatorët ishin caktuar nga vetë A. Zogu – asamblistët ishin të gjithë të prirur të pranonin çdo projekt që vinte nga qeveria. Për ta ishte e sigurtë se çdo projekti të qeverisë së propozuar nga A. Zogu si kryeministër po t’i bëheshin ndryshime nga asamblistët, ai do t’i kthehej përsëri Asamblesë pa u nënshkruar nga A. Zogu si President i Republikës. Për këtë arsye, më 16 korrik 1925 A. Zogu si kryeministër u kërkoi dy Dhomave Legjislative të mbledhura bashkërisht që ta ngarkonin qeverinë shqiptare të hynte në bisedime dypalëshe për rregullimin e kufirit me palën jugosllave. Pas tri ditë debatesh, Asambleja Legjislative miratoi më 18 korrik 1925 vendimin me të cilin ajo “porosiste” qeverinë shqiptare të rregullonte kufirin me Jugosllavinë me bisedime dypalëshe. Ky ishte një vendim absurd. Përderisa Konferenca e Ambasadorëve e kishte zgjidhur problemin e kufirit, nuk ishte më e nevojshme për bisedime.

Në bazë të këtij vendimi, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare Mehdi Frashëri, i vazhdoi në Paris bisedimet me palën jugosllave për të arritur marrëveshjen, e cila në fakt ishte formuluar prej kohësh. Gjithnjë për të shkarkuar veten nga përgjegjësia tekstin e marrëveshjes shqiptaro-jugosllave A. Zogu para se ta nënshkruante si kryetar i qeverisë, kërkoi përsëri miratimin nga Asambleja Legjislative. Ashtu siç parashihej, Asambleja Legjislative miratoi më 18 korik në bazë të kërkesës së A. Zogut, këtë mocion:
“Senati dhe Dhoma e Deputetëve të mbledhur së bashku, sot më 18 korrik 1925 për të biseduar mbi çështjen e kufijve shqiptaro-jugosllav, pranon në parim ad referendum një shkëmbim toke midis dy shteteve dhe autorizon qeverinë të hyjë në marrëveshjet e duhura në përputhje me interesat e shtetit dhe të popullit shqiptar”. (K. Naska, Shën Naumi dhe diplomacia e kohës. Tiranë 2012, f. 612).

Në bazë të këtij mocioni, më 5 gusht 1925 përfunduan bisedimet dypalëshe. Pas shumë dredhirash procedurale, më në fund u nënshkrua dhe u raktifikua marrëveshja shqiptaro-jugosllave mbi kufirin në të dy sektorët e përmendur, të cilën A. Zogu e paraqiti jo si rezultat i vullnetit të qeverisë shqiptare, por si një vendim që kishin marrë dy Dhomat Legjislative – Senati dhe Parlamenti i Shqipërisë. Brenda në Shqipëri Shtypi riprodhoi komunikatën qeveritare, e cila e paraqiste marrëveshjen si rregullim i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Përkundrazi, në Jugosllavi nënshkrimi i marrëveshjes u prit me entuziazëm të veçantë. Dr. Gjergj Pekmezi, i ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Beograd, në relacionin që i drejtonte qeverisë shqiptare më 10 gusht shkruante se shtypi i Beogradit e konsideronte marrëveshjen si një fitore të Jugosllavisë, mbasi, sipas saj, “Manastiri i Shën Naumit dhe Vermoshi iu dhanë përfundimisht Jugosllavisë prej Konferencës së Ambasadorëve. Ai njoftonte gjithashtu se Shtypi jugosllav shkruante se, si shpërblim, Shqipërisë iu dha fshati Peskopi në vend të Shën Naumit, kurse në Vermosh do të bëhet një raktifikim në favor të Shqipërisë. Gazetat e Beogradit, - shton Gj. Pekmezi, - e paraqesin këtë ngjarje politike si një ngadhnjim të diplomacisë jugosllave”. (K. Naska. Po aty, f. 624).

Emigrantët politikë shqiptarë qenë të parët që protestuan kundër lëshimit të Shën Naumit dhe të Vermoshit në favor të Jugosllavisë. Ndër to duhet veçuar protesta që Fan Noli, tani emigrant politik, i dërgoi si kryetar i KONARE-së (Komiteti Nacional Revolucionar në mërgim) Lidhjes së Kombeve më 18 gusht 1925, me të cilën protestohej kundër marrëveshjes së lidhur midis qeverive shqiptare dhe jugosllave.  Pakënaqësia e shqiptarëve, vazhdonte Fan Noli, rrjedh ngase Shqipëria po i jepte Jugosllavisë territore të cilat i kanë qenë njohur Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve.

Në qarqet diplomatike të Perëndimit bëri përshtypje të thellë fakti se si Konferenca e Ambasadorëve në Paris shkeli me këmbë vendimet që ajo vetë kishte marë disa herë për Shën Naumin dhe Vermoshin në favor të Shqipërisë. Sipas këtyre zërave, Athina ishte penduar që i kishte lëshuar Shqipërisë 14 fshatrat e zonës kufitare të Bilishtit dhe se, sipas tyre, po të kishte ndjekur shembullin e Jugosllavisë, do t’i kishte ende 14 fshatrat brenda kufijve të saj.
Megjithatë, vija e re e kufirit, e përfshirë në marrëveshje nuk ishte, siç pretendonte A. Zogu, vendim i Konferencës së Ambasadorëve, por sugjerim. Për këtë arsye, qeveria e Tiranës ia përcolli për miratim Asamblesë të të dyja Dhomave Legjislative. Këtë vijë kufiri, thuhej në shkresë, qeveria shqiptare e mëparshme  e pranoi, me kusht që të miratohej nga Parlamenti. Në të vërtetë, Parlamenti kishte miratuar më 18 korrik një marrëveshje dypalëshe shqiptaro-jugosllave, kurse Beogradi u përpoq me djallëzi që ta kthente në vendim të Konferencës së Ambasadorëve. Ky ndryshim shkaktoi debat kur më 14 tetor 1925 qeveria e paraqiti për miratim në të dyja Dhomat Legjislative. Në Asamblenë Legjislative rendi i ditës ishte formuluar në këtë mënyrë: “Bisedim mbi raktifikimin e kufirit në anë të Shën Naumit e në perëndim të Velipojës e të përroit Voçopotok me Jugosllavinë”.

Sikurse shihet, në këtë formulim nuk bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, por vetëm për lëshim territoresh nga pala shqiptare. Kjo për arsye se Konferenca e Ambasadorëve nuk kishte të drejtë të pranonte për shkëmbim një veprim që nuk ishte shkëmbim. Me këtë formulim zbulohej mashtrimi i A. Zogut, i cili përpiqej ta paraqiste Shën Naumin dhe Velipojën e Vermoshit si një marrëveshje shkëmbimi. Megjithatë, senatorët dhe deputetët e Asamblesë Legjislative nuk patën kurajë ta denonconin haptazi mashtrimin e A. Zogut. Po atë ditë, më 14 tetor 1925, mocioni i paraqitur nga qeveria u miratua.

Pas gjithë këtij kalvari debatesh, kufiri shqiptaro-jugosllav u përcaktua përfundimisht vitin e ardhshëm me protokollin dypalësh të 26 korrikut 1926. Akti final i përcaktimit të kufijve të Shqipërisë u regjistrua në Lidhjen e Kombeve më 30 korrik 1926.

Si mbyllje, mund të themi se lëshimi i Manastirit të Shën Naumit dhe ai i Velipojës së Vermoshit nga çdo pikëpamje që ta marrësh, ishte dhunim i integritetit tokësor të Shqipërisë dhe i sovranitetit të shtetit shqiptar. Para së gjithash, si Manastiri i Shën Naumit, ashtu dhe Velipoja e Vermoshit, ishin territore të cilat i qenë njohur Shqipërisë nga një varg aktesh të organeve kompetente – nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe nga Lidhja e Kombeve. Asnjëra prej tyre nuk e kishte vënë në diskutim të drejtën që Shteti Shqiptar kishte mbi këto territore. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk kishte kryer asnjë faj, i cili ta detyronte që të shpaguante fajin me lëshim territoresh.
 
E dyta, argumentimi që përdori qeveria e Ahmet Zogut si justifikim për lëshimin e tyre, gjoja si një shkëmbim territoresh, ishte një mashtrim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Kjo për arsye se Shqipëria nuk mori nga Jugosllavia asgjë si shkëmbim. Ato territore që gjoja Jugosllavia i jepte Shqipërisë, i qenë njohur Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve që në vitin 1913. Këtë e dëshmon fakti se në aktin përfundimtar të Konferencës së Ambasadorëve, e cila u njohu lëshimin në favor të Jugosllavisë të Manastirit të Shën Naumit dhe të Velipojës së Vermoshit, nuk përmenden të ashtuquajturat territore që gjoja Jugosllavia ia dhuroi Shqipërisë.
 
E treta, nga marrëveshja që A. Zogu lidhi me N. Pashiçin, më 14 gusht 1924, del qartë angazhimi që ai kishte marrë për t’i kthyer Jugosllavisë Manastirin e Shën Naumit dhe një territor të Vermoshit kundrejt ndihmave financiare, ushtarake dhe politike që qeveria jugosllave do t’i jepte si person A. Zogut për të shtypur Qeverinë e Qershorit.

Si përfundim, dhurimi i një territori të shtetit, pavarësisht nga sipërfaqja e kufizuar e tij, një shteti tjetër pa qenë i detyruar nga një forcë madhore, por vetëm për përfitim personal të A. Zogut – është pa pikë dyshimi një dhunim i kushtetutës shtetërore, një cenim i integritetit kombëtar të shtetit shqiptar, pra një faj i rëndë ndaj atdheut, ndaj kombit, i cili në jo pak vende quhet tradhti.
 
(Vijon)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.07.2013

Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe  

EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
 EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
 Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
Gabimi i rëndë i Ahmet Zogut: Nuk mbajti qeveri në mërgim
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë

Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë 
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë

 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Skiatori zviceran përplaset dhunshëm në pistën italiane, transportohet me urgjencë në spital (VIDEO)

Skiatori zviceran përplaset dhunshëm në pistën italiane, transportohet me urgjencë në spital (VIDEO)