Ja pse të enjten do jem në “Opinion”

Ja pse të enjten do jem në “Opinion”
Prej disa vitesh kam munguar në “Opinion”. Sigurisht për një sërë arsyesh që lidhen në thelb me vrazhdësinë e TV KLANIT, si mjet i një propagande të shfrenuar antiopozitare në hapësirën informative. Por sot s’dua të rendis arsyet e mungesës, po arsyen e pranisë sime të enjten mbrëma.

Më është forcuar bindja se politika e re që prej kohësh ngulmoj të ndërtoj në krye të Partisë Socialiste, padyshim me ngjitjet e zbritjet, arritjet e rëndësishme apo pse jo dhe gabimet, përplasjet e pashmangshme dhe jo gjithnjë të frytshme me murin e së shkuarës që rëndom na rishfaqet përpara si rezistencë e pushtetit të së vjetrës, po edhe si traditë apo rënie në ngasjen e përdorimit të armëve të vjetra në periudha objektivisht të rënda të jetës sonë politike, duhet domosdoshmërisht të ushqehet në vijimësi të pandërprerë me një qasje të re ndaj çdo statukuoje. Statukuoja ku kemi qenë më shumë të detyruar se të dëshiruar të mbetemi në segmente të caktuara të rrugës sonë drejt së ardhmes, sidomos në segmentin e gjatë të krizës së rëndë politike të paszgjedhjeve të deformuara të qershorit 2009 ku mbetëm mbërthyer sy për sy e dhëmb për dhëmb me palën tjetër, ka pasur pa asnjë dyshim si gjenerator energjinë negative të pushtetit të vjedhur atëherë për të vjedhur Shqipërinë papushim gjermësot. E në këtë pikë nuk gjej arsye për të vënë në diskutim përgjegjësinë e pajustifikueshme të qeverisë, që gjithnjë është sjellë me verbërinë e të pasurit në dorë edhe të gurit edhe të arrës. Po më anë tjetër, s’do të isha i sinqertë as me veten as me të tjerët po të mos e shihja me sy kritik, në funksion të së ardhmes natyrisht, edhe mënyrën se si e kemi luajtur rolin tonë në ndonjë moment a për ndonjë gjë të caktuar, unë vetë në radhë të parë sigurisht, megjithëse gjithnjë kam qenë dhe kemi qenë me mish e me shpirt të angazhuar për të bërë si fuqi opozitare gjënë e duhur, për vendin e për shoqërinë e kërcënuar keqaz në liritë e të drejtat e veta.

Edhe në rastin konkret, asgjë nuk ka ndryshuar faktikisht në bindjen time se TV KLANI është një televizion kombëtar që interesin e palës, përkatësisht asaj në pushtet, e ka çimentuar mbi interesin e publikut, të cilit i servir propagandë proqeveritare dhe mllef antiopozitar dhe jo informacion të lirë e të paanshëm profesional. Por kjo s’mund të jetë më tutje një argument që lideri i opozitës të refuzojë studion e debatit politik të atij televizioni me vokacion antiopozitar, sepse sado arsye të kemi për t’u ndjerë keq me kulturën e dasisë së ushqyer pareshtur në atë ekran si zgjatim i politikës së vjetër të urrejtjes për kundërshtarin e cila mishërohet në krejt qenien e pushtetit të Saliut, refuzimi i mëtejshëm nga ana ime ndaj studios së debatit politik aty nuk është alternativë e asaj kulture, sidomos në kushtet kur ne po përpiqemi me pasion të plazmojmë vizionin e ri për një Rilindje Shqiptare.


E rilindje, në kohën ku jetojmë mes të shkuarës e së ardhmes, pa mundur të shkëputemi prerazi si shoqëri nga e para për të ecur të lirë drejt së dytës, drejt Europës si mënyrë jetese e kulturë bashkëjetese politike, do të thotë me patjetër rishikim i thellë i tërësisë së mbrapshtë të funksionimit të gjërave në këtë vend, por gjithaq duke rishikuar edhe çka lypset të rishikohet tek vetvetja. Për ta bërë kështu me të vërtetë qasjen e re që na duhet për një Rilindje Shqiptare në të gjitha fushat e jetës së vendit, një mënyrë të të jetuarit të politikës në çdo aspekt e për çdo gjë ku politika sot influencon negativisht ndërsa në fakt jo vetëm mund por edhe duhet të influencojë medoemos pozitivisht.


S’ka dyshim se influenca negative e politikës mbi botën e medias, me presionet e me shtrëngesat e diktuara nga interesat e pushtetit apo aleancat e krijuara me mjetet e pushtetit në dëm të konkurrencës së lirë, nuk ka lindur në vitin 2005, edhe pse në shtatë vitet e pushtetit të Saliut ajo influencë diabolike është rritur papushim, duke e kthyer botën e medias në një territor pushtimesh, uzurpimesh e deri dhe shkatërrimesh të burimeve të lirisë editoriale, e duke e projektuar mbi pushtetin e katërt krejt pamjen konfliktuale e përçarëse të vetë politikës së pushtetit. Por, më anë tjetër, është po kaq e vërtetë se nuk ka si të bëhen me faj skeptikët që e shohin me dyshim shpesh të thellë, çdo angazhim e premtim tonin sot për ta ndryshuar rrënjësisht marrëdhënien mes qeverisë e medias nesër, nëse ne vetë lemë shteg për dyshime kur nënvleftësojmë qoftë edhe efektin negativ të një refuzimi si ai i imi ndaj studios së debatit të TV KLANIT. Është një praktikë që duhet të marrë fund në tërësi dhe nëse nuk ndryshojmë dot as TV KLANIN e as Saliun jo e jo, mund dhe duhet të ndryshojmë atë që kemi në dorë, qasjen time në këtë rast. Sepse tekembramja, vërtet kemi një program plot ide të reja dhe rrugëzgjidhje të drejta për të nesërmen, po pa e mbështetur programin me qasje të reja, kudo ku mundemi sot, s’do t’i shuajmë dot apo së paku t’i tretim disi dyshimet se historia e marrëdhënieve primitive të qeverisë me median thjesht mund të përsëritet, në të njëjtën vazhdë pasojash negative nesër.


Loja e fajësimit reciprok duhet të mbarojë dhe nëse pala tjetër, edhe përmes TV KLANIT do të vazhdojë sipas të gjitha gjasave ta luajë këtë lojë, sepse është në fund të fundit gjëja që di të bëjë më mirë brenda sistemit të vet propagandistik të shpëlarjes së truve me suksese imagjinare e me shpifje barbare, ne na takon të zhbëjmë burimin e çdo alibie që i duhet palës tjetër për t’i hedhur hi syve publikut duke vazhduar lojën në fjalë. Po jo vetëm kaq. Na takon gjithashtu të mos harrojmë se teksa duam të përmirësojmë jetën në Shqipëri, duhet të bëjmë çmos për të përmirësuar edhe qenien tonë publike duke u vetëdijësuar përditë e më thellë, se përballë publikut nuk është fjala vetëm për këndin tonë të vështrimit, po edhe për pikëpamjet e të tjerëve. Në fund të fundit, vetë lidershipi është vetëdije se mbrojtja e një pikëpamjeje nuk mund të jetë assesi qëndrim me shpinë ndaj pikëpamjes së të tjerëve, posaçërisht në hapësirën ku lëvrohet aktiviteti i njerëzve të medias.


Do të shkoj të enjten në “Opinion” sepse dua që edhe audienca përgjithësisht hostile e ekranit të TV KLANIT ndaj opozitës, të mund ta dëgjojë pikëpamjen time si lider i opozitës. Po edhe sepse dëshiroj që tabloja e botës mediatike të ndryshojë si refleks i ndryshimit pozitiv të tablosë politike, ku përderisa ne besojmë se s’jemi të gjithë njësoj s’është e udhës që t’i lejojmë vetes në inercinë e së shkuarës gjeste të ngjashme me ata nga të cilët dallojmë qartë. Unë dua po ashtu që të marrë fund, sa më parë, historia joeuropiane e refuzimeve të politikanëve për të komunikuar me audienca të caktuara ose, ende më keq akoma, për të denigruar liritë e të drejtat e çdo medieje që të ekzistojë e të funksionojë si hapësirë komunikimi mes politikës e publikut, pavarësisht linjës së vet editoriale të pëlqyeshme apo të papëlqyeshme për njërën palë a tjetrën. Sigurisht në këtë histori joeuropiane kam pasur edhe unë deri këtu gishtin tim dhe duke mos treguar sot me gisht vetëm të tjerët, pavarësisht se mendoj që nuk jemi asfare në të njëjtin nivel fajësie e përgjegjësie, pak rëndësi ka kjo këtu, dua të jap me shembullin e ndryshimit të një qëndrimi të kahershëm një tjetër mesazh për të gjithë ata të cilëve sot u ofrojmë, me një program të ri plot ide të reja alternativën e një Rilindjeje Shqiptare. Sepse në fund të fundit, me plot të drejtë njerëzit nuk duan vetëm të dëgjojnë çfarë nuk shkon, çfarë po bëjnë keq e më keq kundërshtarët tanë në qeveri, po duan të dinë përveçse çfarë mendojmë të bëjmë më mirë e si duam ta bëjmë më mirë, edhe në çfarë besojmë ne. Pse ne jemi në gjendje që t’i bëjmë realitet ndryshimet që ofrojmë në program? Pse ne vetë jemi ndryshe? Pse ata duhet të na besojnë, kur dreqi e mori u bënë njëzet vjet që gënjehen nga fjalët e pastaj zhgënjehen nga sjelljet e veprat? E në këtë sfidë të vështirë sa vetë tranzicioni i stërzgjatur nga sistemi komunist drejt demokracisë funksionale, s’mjaftojnë thjesht fjalët po duhen hedhur kur jepet mundësia edhe hapa konkretë për të prishur statukuotë. Dhe ky është një rast për të ndryshuar qasje, duke i ndihur njëkohësisht ndryshimit tërësor që duhet të ndodhë në këtë fushë të minuar keqaz nga pushteti i politikës.


E di se përsëri e përsëri, do të ketë njerëz që do të rrudhin buzët mosbesues duke na dëgjuar përgjatë Rrugës sonë të Programit për një Rilindje Shqiptare. Ashtu si padyshim mund të ketë sa të duash që do t’i lexojnë ose do të duan t’i lexojnë edhe këta rreshta me sytë e mosbesimit. Por di po ashtu të them, se e ndjej gjithnjë e më fort që ne jo vetëm po bëhemi gati për ta qeverisur ndryshe Shqipërinë, po më e rëndësishme akoma, po bëhemi të gatshëm që sfidës së madhe që kemi marrë përsipër, t’i japim përmasën e aftësisë për të mos rishikuar vetëm çka nuk shkon tek gjërat siç janë apo tek të tjerët që kemi përballë, po edhe çka duhet rishikuar vijimësisht tek vetja. E prandaj edhe jam besimplotë se do ta fitojmë këtë sfidë, duke angazhuar njerëzit në një komunikim të gjithanshëm përmes energjish pozitive që s’do të na shterren kur përballë do të gjejmë mosdakordësi ose, ende më keq, as kur të ndeshemi me hostilitetin tradicional ndaj përpjekjeve për ndryshim po njësoj si ndaj vetë ndryshimit. Moskomunikimi me këdoqoftë nuk është alternativë e keqkomunikimit të kujtdoqoftë.


Post Scriptum: Për këdo që mund të jetë e nevojshme, sqaroj se nuk më shkon mendja ta gjykoj negativisht linjën editoriale të TV KLANIT thjesht pse ka zgjedhur të mbështesë personalisht Sali Berishën, sepse është e drejtë e çdo medie private të mbajë anën që do për arsyet që gjen. Por pozicionimi haptazi krejt i anshëm nuk i jep të drejtën një medie, aq më shumë një televizioni kombëtar, sado privat, që në hapësirën informative gënjeshtrat dhe shpifjet t’ia paketojë publikut si lajme apo të sulmojë publikisht kundërshtarët e atij që mbështet, duke thyer me vulgaritet konstant çdo kod moral e profesional. Për më tepër frekuenca kombëtare është një e mirë publike, jo një pronë private ku mund të çelet një burim informacioni krejt i molepsur politikisht në dëm të publikut.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)