Ja raporti i permbledhur i prokurorise prane Gjykates se Shkalles se Pare Tirane

Në këtë raportim paraqiten në mënyrë të përmbledhur arritjet, problematikat dhe sfidat e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë gjatë vitit 2015.
Në planin statistikor, stafi ynë është përballur me një volum të lartë pune, si edhe me sfida që paraqesin interes të lartë edhe në opinionin publik.

Gjatë vitit 2015 janë regjistuar rreth 16.500 kallëzime, që janë rreth 1100 më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, është vendosur mosfillimi për rreth 6000 referime, një pjesë prej të cilave të dorëzuara në fund të vitit 2014. Në bazë të këtyre shifrave, dëshmohet rritja e rolit kontrollues paraprak mbi materialet e referuara.
Gjithësesi, shqyrtimi i këtyre materialeve ka marrë kohën e saj, duke ndikuar në rritjen e panevojshme të volumit të punës për prokurorët.

Për të sistemuar këtë problematikë, janë zhvilluar dhe zhvillohen komunikime të vazhdueshme me institucionet e tjera ligjzbatuese, të cilave u kërkohet që materialet e referuara të jenë në përputhje me kërkesat e ligjit. Po në këtë fazë verifikuese, konstatohen edhe disa problematika të tjera, të cilat lidhen me vonesat në kryerjen e ekspertizave, si edhe në rolin jo shumë aktivë të oficerëve të Policisë Gjyqësore të Seksionit të Prokurorisë.

Në vijim, ju prezantojmë se gjatë vitit 2015 janë hetuar rreth 12600 procedime penale, pra 330 procedime më shumë se një vit më parë, me rreth 6800 persona të pandehur dhe nën hetim.
- Janë dërguar për gjykim 4400 procedime, që janë rreth 730 më shumë se një vit më parë
- Janë pushuar 1265 procedime ose rreth 200 më pak se një vit më parë
- Janë pezulluar 4220 procedime ose rreth 800 më pak se viti 2014
- Ndërkohë janë mbartur për vitin 2016, rreth 2550 procedime ose 110 më shumë se viti 2014
Gjatë vitit 2015 kanë njohur rritje veprat penale që lidhen me pronën, veprat kundër kundër autoritetit të shtetit, veprat kundër personit. Por, pavarësisht se këto grup veprash kanë pasur rritje, kjo rritje nuk nuk është e ndjeshme në krahasim me totalin e procedimeve të regjistruara. Rritje të numrit të procedimeve ka pasur gjithashtu edhe për “vjedhje energjie”, “korrupsion aktiv” dhe “shpërdorim të detyrës”. Numri i procedimeve penale për veprat e tjera është pak a shumë në të njëjtat parametra.
Gjatë vitit 2015 ka pasur rritje të procedimeve të zhvilluara në afatin 3-mujor dhe ulje të procedimeve me afat mbi 3-mujor. Gjithësesi, shprehim bindjen se numri i procedimeve mbi afatin 3-mujor mund të ishte më i vogël nëse do të kishte pasur impenjim më të madh nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, si në Policinë e Shtetit, ashtu edhe në seksionin pranë Prokurorisë. Problematika me oficerët tashmë është e konstatuar dhe drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës po hartojnë masat për përmirësimin e performancës së tyre.
 
Prokuroria e Tiranës ka vijuar të ketë në fokus të saj luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kontrabandës dhe evazionit fiskal. Njësia e Përbashkët Hetimore është impenjuar maksimalisht në përmbushjen e prioritetit të saj dhe gjatë vitit 2015 ka pasur disa raste të suksesshme hetimesh të përfunduara. Këtu mund të përmendim zbulimin e skemave mashtruese në rimbursimin e ilaçeve, në tregun e karburanteve, në koncensione, në ndërtim, etj.

Është synuar rritja e bashkëpunimit me institucionet e tjera, ku përmendimin Tatimet, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive, etj.
Njësia Task Force ka ashpërsuar kërkesat për masë sigurie dhe gjatë vitit 2015 ka kërkuar caktimin e “arrestit në burg” në 76 raste, ose dyfishin e atyre të kërkuara një vit më parë. Nga gjykata janë pranuar kërkesat për 56 raste. Po ashtu, janë kërkuar masa sigurimi më të buta në 20 raste të tjera.

Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe janë dhëne edhe 5 vendime fajësie për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Këto vendime ndikuan edhe në plotësimin e kriterit të efektivitetit dhe daljen e Shqipërisë nga procesi i monitorimit të vazhdueshëm ku ndodhej prej 4 vitesh nga Komiteti i Vlerësimit të Masave në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL).
 
Gjatë vitit 2015 është vendosur pushimi i 1265 procedimeve penale (rreth 200 më pak se viti i kaluar). Pa hyrë në analizë të detajuar, kemi bindjen se numri i pushimeve mund të ishte më i vogël, nëse për një pjesë të këtyre procedimeve do të ishte vendosur mosfillimi që në fazën e vlerësimit paraprak. Sërish e theksojmë se kjo është problematikë që do të analizohet me kujdes gjatë vitit 2016, për të mos rritur ngarkesën e punës së Prokurorisë me materiale që dukshëm nuk kanë elementë të veprës penale.
 
Gjatë vitit 2015 janë hetuar 406 procedime për vepra të rënda penale, si vrasja me dashje, vrasje me paramendim, plagosje të rënda, shfrytëzim prostitucioni, vjedhje me armë, vjedhje me pasojë vdekje, vepra në fushën e narkotikëve, e të tjerë. Nga këto procedime, 109 janë dërguar për gjykim, 84 janë pushuar, 48 janë pezulluar. Krahasuar me një vit më parë, në total ka 83 procedime më shumë për këto vepra të rënda penale.
 
Sa u përket masave të sigurimit, Prokuroria e Tiranës është munduar t’i alternojë, duke kërkuar “arrest në burg” për veprat e rënda dhe korrupsionin, si edhe duke kërkuar masa më të buta për vepra penale më të lehta. Gjithmonë është patur parasysh që lloji i masës së sigurimit të caktuar nuk përcakton për asnjë çast masën e dënimit që do të kërkohet nga prokurori dhe do të caktohet më tej nga Gjykata ndaj të pandehurit në rastin kur ai gjendet fajtor për veprën penale. Po ashtu, kujdes me masat e sigurisë është treguar edhe në rastet kur të pandehurit kanë qenë të mitur, femra ose të moshuar.
 
Gjatë vitit 2015, janë përfunduar gjykimet për 4395 procedime penale me 4944 të pandehur. Në kërkesat përfundimtare prokurori ka kërkuar, dënim me burgim për 2922 të pandehur, ndërsa për të tjerët dënime alternative. Në 35 raste prokurori ka kërkuar pushimin e çështjes ose të gjykimit dhe në një rast ka kërkuar tërheqjen e akteve.
Ndërkohë që Gjykata ka vendosur, dënim me burgim për 2025 të pandehur, për të tjerët dënime alternative, si edhe pafajësi për 137 të pandehur.
Në 792 raste, prokurori nuk ka qënë dakort me vendimin e Gjykatës dhe ka ushtruar të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit.
Treguesit e mësipërm, flasin qartë që edhe për këtë vit politika e dënimit e kërkuar nga prokurori është më e ashpër se sa dënimet që janë dhënë nga ana e Gjykatës. Politika e dënimit përsa i takon veprave të rënda dhe sensitive, ka qenë ashpër dhe në përputhje me rrezikshmërinë e tyre, shkallën e përhapjes, si dhe rëndësinë përsa ndjeshmërisë publike.
 
Pavarësisht volumit të madh të punës që është përballuar për vitin 2015, për vitin 2016, për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë mbetet si prioritet kryesor përmirësimi i treguesve sasiorë dhe cilësorë të ndjekjes penale dhe të gjykimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet hetimit dhe ndjekjes penale për të gjithë veprat penale që janë bërë fenomen shqetësues për shoqërinë.

Për këtë qëllim do të synohet që të rritet më tej roli i prokurorit në kontrollin e veprimtarisë së policisë gjyqësore. Do të synohet për rritjen e shpejtësisë në hetim dhe rritjen e numrit të rasteve të gjykimit të drejtëpërdrejtë.

Do të tregohet vëmendje dhe akoma më tepër përkushtim në hetimin e veprave penale të kryera në detyrë.

Në mënyrë të përmbledhur, këto ishin rezultatet e arritura dhe problemet e hasura gjatë veprimtarisë tonë një vjeçare. 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën