Ja si numërohen votat në SHBA
Speciale, zgjedhjet presidenciale

Ja si numërohen votat në SHBA<br />Speciale, zgjedhjet presidenciale
Është 8 nëntor, dita e votimit kur amerikanët do të vendosin se kush prej dy kandidatëve, Hillary Clinton apo Donald Trump do të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë.
 
Një nga elementët me interesantë të këtyre zgjedhjeve, dhe mbase momenti më i rëndësishëm është numërimi i votave. Për vende si Shqipëria, ku ky proces mund të zgjatet jo me ditë por edhe me javë të tëra, gjithmonë të bën përshtypje shpejtësia e numërimit të votave në SHBA, ku fituesi merret vesh brenda 24 orëve. Po si ndodh ky proces dhe mbi të gjitha sa mundësi ka që të manipulohet. Gjatë vizitës në SHBA, si pjesë e tourit të raportimit “Të rinjtë dhe politika” organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për 23 gazetarë nga gjithë bota, ndaluam edhe në Divizionin e Zgjedhjeve në Denver, kryeqytetin e Kolorados, ku punonjësit na shpjeguan se si realizohet I gjithë procesi. Këtu kanë krijuar një sistem bazuar në inovacion, saktësi dhe mbi të gjitha shpejtësi. Gjatë gjithë vitit, ky divizion bën një përditësim konstant të të dhënave të votuesve të regjistruar. Pasi ka bërë një fushatë të gjerë mediatike për të ftuar zgjedhësit mbi 18 vjeç që të regjistrohen, një muaj përpara ditës së votimit Divizioni nis të dërgojë zarfet me fletët e votimit votuesve të regjistruar përmes postës.
 
Në zarfa ka instruksione të qarta se si duhet votuar dhe se si duhet vulosur më pas zarfi. Pra çdo votues i regjistruar ka të drejtën dhe mundësinë që të votojë edhe përpara datës 8 nëntor, por natyrisht numërimi i votave për të gjithë bëhet vetëm pasi të jenë mbyllur kutitë e votimit.
 
Drake Rambke, administrator i përpunimit të votës në këtë division na shpjegon se si funksion i gjithë procesi kur zarfi ka mbërritur në qendër.
 
"Makineria pas meje dhe ajo aty në fund janë një lloj ndarësi i postës. Këtu brenda ka një lazer dhe një kamera që fotografon pjesën e përparme të zarfit ku brenda ndodhet vota e një qytetari, dhe kap specifikisht këtë zonën këtu, ku ndodhet bar-kodi dhe firma e votuesit. Me anë të barkodit, makineria e lidh me bazën e të dhënave dhe pastaj e kalon tek koshat për tu klasifikuar nëse është firmë e vlefshme apo jo. Sa herë që e përdor këtë makineri, marr të dhënat më të fundit në mënyrë që kur të bëhet verifikimi të ketë të dhënat në kohë reale", thotë Drake.
 
drake
(Drake Rambke, administrator i përpunimit të votës)

Dhe nëse skaneri nuk është i bindur, atëherë zarfi kontrollohet sërish. Drake tregon se si në këtë kompjuter ndodhet firma më e fundit fundit e atij votuesi që merret nga baza e të dhënave bashkë me bar-kodin që ndodhej në zarf. Pikërisht këtu punonjësi e sheh dhe vendos nëse përputhet apo jo.
 
"Makineria e radhës, bën hapjen e zarfeve që kanë brenda votën duke mos i hapur fare fletën e votimit. Punonjësi ulet aty dhe heq fletët e votimit duke i vendosur sipër njëra tjetrës ndërsa zarfet përfundojnë në një kosh të posaçëm. Pra punonjësi thjesht merr fletën e votimit pa e ditur se kujt i përket ajo, çka ruan plotësisht fshehtësinë e votës. Makineria ka madje një detektor për trashësinë që duhet të ketë zarfi, i cili ngec nëse ka diçka tjetër brenda tij", thekson ai.
 
Pra është shumë e saktë.
Ka 3 mënyra për të dorëzuar votën:
1)   I gjithë vendi është i mbushur me kuti postare që qëndrojnë hapur 24 orë për të rikthyer zarfin me votën brenda.
2)   Votuesit mund të dërgojnë votën me email. Për këtë Divizioni ka një sistem mesazhesh që lejon votuesit të informohen nëse vota e tyre ka hyrë në sistem, duke marrë një mesazh konfirmues.
3)   Dhe së treti janë qendrat e votimit ku mund të shkosh të dorëzosh zarfin me fletën e votimit Brenda ose të votosh direkt aty.
 
Drake na shpjegon se fletët e votimit ashtu si dhe zarfet ruhen për 255 muaj, në një magazinë të kyçur, në rast se do të nevojitet që të rilexohen sërish.
 
"Më pas një tjetër punonjës hap fletët e votimit dhe i vendos njëra pas tjetrës duke i hequr shiritin e sipërm që është i vulosur dhe gjithashtu pjesë e sigurisë dhe ruhet bashkë me zarfat. Në fakt tek instruksionet që u dërgojmë votuesve ne u themi që ta heqin vetë shiritin por shumë prej tyre harrojnë ta bëjnë këtë gjë. Më pas dërgohen në kompjuterin tjetër pasi të jenë check out, dhe të jenë bërë 100 fletë votimi në një kosh", u shpreh Drake. 

Mundësia që zgjedhësit të votojnë përpara ditës së votimit, shmang radhët dhe dyndjet nëpër qendrat e votimit në 8 nëntor dhe e bën më të lehtë për zgjedhësit, aq më tepër që dita e votimit është ditë jave kur pjesa më e madhe e qytetarëve janë në punë apo në shkollë. Por ajo që është më e mira është se ky sistem mundëson numërimin e shpejtë të votave.
 
"Duhen gati 2-3 në orë që të numërohen 4-5 mijë vota, pra që të kenë kaluar të gjitha hallkat e procesit që ju treguam pak më parë. Numërimi bëhet me grupe, mbaron i pari pastaj vazhdojmë me të dytin e kështu me radhë. Dhoma e hapjes së votave nuk është një proces që zgjat shumë sepse aty vendosim sa më shumë njerëz të jetë e mundur për ti shtrirë fletët e votimit. ndërsa numërimi në fakt merr kohën më të vogël sepse është një proces tepër i shpejtë", tha Drake.
 
Gjatë kësaj gare elektorale aspak të zakontë e me dy kandidatët më të papëlqyer që ka njohur ndonjëherë historia e zgjedhjeve në SHBA, që kur kanë nisur të bëhen sondazhet e opinionit publik, pati edhe dyshime për manipulim të votave.
 
Manjati republikan disa herë ka lëshuar akuza për manipulim të sistemit, e madje ka lënë të kuptohet se mund edhe të mos e pranojë rezultatin, gjithmonë nëse nuk është në favor të tij.
 
Por Amber Faye McRenolds dhe punonjësit e divizionit na shpjegojnë se manipulimi i sistemit është thuajse i pamundur.
 
"Ka 9 mijë juridiksione lokale ku mbahen zgjedhjet në të gjithë vendin dhe asnjë prej tyre nuk është i lidhur më njëri tjetrin. Nëse dikush pretendon që mund të ketë një manipulim masiv, kjo duhet të ndodhë në secilin prej këtyre juridiksioneve. Pra me pak fjalë duhet një ushtri me njerëz për ta bërë këtë. Veç kësaj, duhet të thyesh çdo barrierë sigurie, duhet të arrish të futesh në zyrat e punonjësve, të gjesh password-et e kështu me radhë. Pra me pak fjalë do të thosha që është thuajse e pamundur që kjo të ndodhë", thotë Amber.

Amber Faye McRenolds
(Amber Faye McRenolds)
 


numerimi
"Absolutisht që po, të përdorësh makineritë dhe pajisjet e bashkë me njerëz të mirëtrajnuar e bën këtë një sistem super të sigurt dhe nuk ka mundësi që të ketë falsifikim në asnjë prej hallkave të sistemit", shprehet një punonjës i divizionit.
 
Amber shpjegon se ka një sistem të rreptë kontrolli për secilën dhomë të divizionit që është pjesë e sistemit të numërimit të votave, ecka do të thotë se çdo gjë që del nga dhoma tjetër duhet të përputhet me materialin që futet në dhomën e radhës. Ky është sistemi më i ri të cilin autoritetet zgjedhore në Denver instaluan vitin e kaluar. Në këtë dhomë ndodhen kompjuterët që skanojnë çdo votë dhe lexojnë shenjën që është shënuar nga secili prej votuesve. Çdo gjë bëhet në mënyrë elektronike dhe një tjetër punonjës na shpjegon se si.
 
"Vota siç e shihni lexohet nga kompjuteri, dhe nëse ka më shumë se një kandidat të rrethuar apo ndonjë shenjë si në këtë rast ku është shkruar sipër "Asnjëri" atëherë duhet të vendosim nëse do ta pranojmë apo skualifikojmë, pra ta shpallim si votë të pavlefshme që në këtë rast është një votë e tillë",  thotë punonjësi i divizionit.
 
Dhe siç e shihni kompjuteri nxjerr një shenjë të kuqe sipër ekranit për të treguar që nuk është e pranueshme. Siç mund ta shihni edhe nëse unë tentoj ta bëj të vlefshme, pra të mashtroj e kam të mundur edhe pse klikoj disa herë, sepse sistemi nuk ma lejon.
 
Veç kësaj, salla është e mbushur me punonjës të tjerë që ndodhen pas shpinës time dhe që do ta kuptonin se çfarë po përpiqem të bëj.
 
Nëse dikush ka harruar të regjistrohet, ka ende mundësi ta bëjë këtë ditën e votimit, megjithëse ky rregull nuk vlen për të gjitha shtetet amerikane. Amber na shpjegon se ditën e votimit, vëzhguesit qoftë nga organizatat jo qeveritare qoftë ata të partive politike marrin pjesë në numërimin e votave.
 
E natyrisht i gjithë ky proces ka një kosto. Amber Faye McRenolds, drejtoresha e Divizionit thotë se 1.6 milion dollar është buxheti i përcaktuar për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!