Ma në fund dikush u kujtue me sjell shqip nji personalitet tepër të veçantë siç asht Jacques Attali. Ai njihet ma shumë si bashkëpuntor i F. Mitterrand-it, si ekonomist i talentuem e bankier, si funksionar i naltë i Republikës franceze, por Attali asht edhe historian, eseist dhe njohës i shkëlqyeshëm i muzikës.

Libri i tij i vjetshëm “Devenir soi”, sapo doli në gjuhën shqipe me titullin “Të bëhesh vetvetja”. Bahet fjalë për nji doracak emancipues e shpresëdhanës për ne, që jemi nji popull që ka sot nevojë për optimizëm dhe ndriçim shpirtnor.

Attali eksploron rrugët e gjetjes së harmonisë me vetveten dhe me të tjerët, tue lanë me kuptue faktin se reformimi i botës kalon nepërmjet reformimit dhe gjetjes së vetvetes.
Ai analizon sfidat e kohës së sotme, tue nisë tek problemi i së keqes, dhuna, vorfnia, injoranca, topitja shpirtnore, borxhi publik, korrupsioni, krimi ekonomik, paaftësia e organizmave shtetnore, arsimi – për me gjetë nji spirale shpreset dhe arsyejet për me shikue përpara me ma shumë besim tek e ardhmja.

Erudicioni i gjanë dhe i thellë, i pazakontë për nji ekonomist, i lejon Jacques Attali-së me ndërthurë imperativin e lashtë grek “njih vetveten” (gnothi seauton), që dikur gjendej në hymjen e tempullit të Delfit, me thanjen e Pindarit “banu ai që je” (gènoio hòios ei), tue mbërrijtë deri tek kuptimi i ri që filozofia, tue nisë prej Aurel Augustinit e deri tek Blaise Pascal i japin kësaj detyre të njerzimit.

Attali ritmon etapat e detyrueshme që shtyjnë njeriun drejt kësaj sfide, pa harrue intuicionet që burojnë prej qenjes sonë të veçantë: trup dhe shpirt.
Ajo që shqetson eseistin francez asht se sot ma shumë se kurrë vendimet për ne i marrin të tjerët, prandaj me u ba vetvetja domethanë me marrë në dorë jetën dhe fatin tonë, tue mbërrijtë me lexue “sinjalet ku pasqyrohen premtimet e kohës”.

Këto sinjale pozitive Attali i lexon përgjatë gjithë historisë së njerzimit, tue kalue në revistë politikanë, artista, sipërmarrës, filozofë, vizione të botës - fetare dhe laike etj.
Mozaiku i tij i figurave të shqueme na ban me u kujtue se Attali asht nji lloj Édouard Schuré-je modern i ndërthurun me kërkesat e pragmatizmit amerikan!
Megjithatë, un mendoj se në këtë vepër Attali asht thjesht vetvetja, si shprehje ma e mirë e asaj që ai përpiqet me i mësue të tjerëve.

Nuk do të shkoj ma gjatë tue përcjellë idetë e Jacques Attali sesi me u ba vetvetja, pse stilin e tij unik prej mendimtari që ndjek idealet paskaliane të “art de persuader”, secili mund ta shijojë në shqipen e rrjedhshme të botimit në fjalë.

Ndoshta përkthyesi mund të ishte përpjekë me dhanë në mënyrë ma të drejtë disa skaje dhe ide, për shembull “Phénoménologie de l’esprit”  e Hegel-it përkthehet shqip në këtë botim: “Fenomenologjia e mendjes”. Asht e vërtetë se anglisht skaji gjerman “Geist” (fr. “Esprit”), jepet me “Mind”, por gjithsesi shenjon shpirtin, jo mendjen. Çështja asht e komplikueme por dhe e qartë nga ana filologjike, do të kishte mjaftue me i pasë ndejt besnik versionit francez.

Edhe titulli i librecit kantian “Qu’est-ce que les Lumières?” - përkthehet “Çfarë është dija?”. Saktë do të ishte “Çfarë është iluminizmi?”, pse ky asht kuptimi. Po aty edhe termat “minorité” e “majorité” jepen shqip “pakicë” dhe “shumicë”. Kuptimi asht krejt tjetër, Kanti flet për iluminizmin si dalje prej moshës së mitun dhe hymjes në moshën madhore nepërmjet përdorimit autonom të arsyes. Edhe termat kyçe të dialektikës hegeliane jepen shqip “mjeshtër” dhe “skllav”, kur kuptimi nuk ka si të jetë mjeshtër por padron, pamvarsisht se frëngjishtja lejon përdorimin e skajit “maitre”.

Të gjitha këto janë gjana të vogla që s’i heqin vlerën botimit, por tërheqin vemendjen rreth faktit se përkthimi asht nji art në vete që kërkon mund dhe aftësi të veçanta.
Nga ana tjetër shpresojmë që ky libër t’i ketë hapë udhën Jacques Attali-së për me ardhë ma shpesh në Tiranë, ku nevojë për këshilla sesi të bahen vetvetja nuk kanë vetëm njerzit e thjeshtë, por edhe vendimmarrësit tanë, të cilët, sidomos në lamijen e ekonomisë, jo rrallëherë këto vitet e fundit ia kanë lejue vetvetes me u këshillue prej idhtarëve të Baronit Münchhausen.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)