Jahjaga-Ashton: Dialogu
Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë

Jahjaga-Ashton: Dialogu<br />Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë
PRISHTINË - Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdojë. Kështu, kanë theksuar sot presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton, gjatë një takimi që kanë zhvilluar në Austri, ku po marrin pjesë në punimet e forumit Evropian Alpbach.
 
Të dyja, sipas një njoftimi të presidencës, kanë biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit, si dhe procesin e dialogut dhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
 
Sipas këtij njoftimi, presidentja Jahjaga dhe Baronesha Ashton kanë vlerësuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e BE-së, që sipas tyre do të ndihmojë të dyja vendet në procesin e përafrimit me BE-në dhe do t'i kontribuojë paqes dhe stabitetit në rajon, si dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.
 
 
Gjithmonë sipas këtij njoftimi, presidentja Jahjaga, citohet të ketë thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun, sepse e sheh si të vetmen mënyrë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut në Bruksel duhet të zbatohen në plotëni.
 
Ajo tha se zbatimi i marrëveshjeve duhet të ndihmojë edhe në qarkullimin e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo tha se me krijimin e institucioneve të reja të vendit do të krijohen të gjitha kushtet për vazhdimin e dialogut.
 
Presidentja Jahjaga, po ashtu tha se perspektiva evropiane për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit duhet të jetë e hapur, sepse kjo do të ndihmojë edhe në përmbushjen e reformave të brendshme.
 
Ajo tha se Kosova ka shënuar një hap përpara në rrugën evropiane përmes inicializimit të MSA-së, por theksoi nevojën e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, që do t'u ndihmojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e BE-së sikur të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.
 
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, zonja Catherine Ashton tha se rajoni i Ballkanit, përfshirë Kosovën, ka shënuar përparime në vitet e fundit, por duhet ende punë për të përmbushur standardet e kërkuara në procesin e integrimit. Ajo tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, meqë kjo do t'u ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./Kosovapress/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje