Jahjaga: Çikatova na kujton sa plagë janë ende të hapura

/ATSH/.- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli morën pjesë në ceremoninë e sotme të rivarrimit të 21 martirëve të fshatit Çikatovë të Drenasit, të vrarë dhe të zhdukur në vitin 1999.

Sipas KosovaPress, Presidentja Jahjaga theksoi se "këta janë muajt më të vështirë për të gjithë ne në Kosove, kur përkujtojmë tmerret që përjetuam si shoqëri dhe humbjet që i pësoi pothuajse çdo familje në Kosovë".

Ajo nënvizoi se "rivarrimi në Çikatovë na përkujton sa shumë plagë mbesin të hapura dhe se kurrë nuk duhet reshtur së kërkuari drejtësi për secilin qytetar të Kosovës".
Kryeparlamentari Veseli shprehu dhimbjen dhe solidaritetin me familjarët e martirëve, të cilëve iu kthyen eshtrat e familjarëve të tyre pas 16 vjetëve.

Lidhur me këtë rast, Veseli në faqen e tij në "Facebook" ka vlerësuar se "Kosova, 16 vite më parë, po përjetonte dramën më të rëndë në historinë e saj, genocidin që përgjatë një shekulli e projektuan qeveritë e ndryshme të nacionalizmit ekstremist serb".

"Por, Kosova mbijetoi dhe sot kur jemi të lirë duhet të mos harrojmë për asnjë moment çmimin që është dashur të paguajmë për lirinë tonë. Nderimi më i madh për të rënët tanë është që sot të mos e keqpërdorim lirinë", ka theksuar kryetari i Kuvendit.

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena