Jahjaga e Mustafa sërish premtime
për shndërrim të FSK-së në FAK

Jahjaga e Mustafa sërish premtime<br />për shndërrim të FSK-së në FAK
Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për përgjegjësi të reja mbrojtëse duke u transformuar në Forca të Armatosura kanë deklaruar të mërkurën presidentja dhe kryeministri i Kosovës.

Këto komente, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa i kanë bërë gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të komandës së FSK-së, me ç'rast komandanti i deritashëm gjenerali Kadri Kastrati i ka dorëzuar komandën e FSK-së, gjeneralit Rrahman Rama.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar me këtë rast se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka përmbushur objektivat dhe tani është e gatshme edhe për misione paqeruajtëse në botë, duke qenë në krah të forcave të NATO-s.

"Ju e keni kaluar edhe një hap: Keni përmbyllur me sukses një periudhë të rëndësishme të Forcës së Sigurisë, duke hapur një kapitull të ri për ju dhe për gjithë vendin: krijimin e një Force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s dhe që synon anëtarësimin në këtë aleancë", ka deklaruar Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka potencuar një nga sfidat e radhës që e pret Forcën e Sigurisë drejt transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës. Ky transformim, duket të jetë një mision mjaftë i vështirë, për faktin se do të diktojë nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës mund të amandamentohet duke siguruar jo vetëm dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, por edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave.

Deri më tani, deputetët nga radhët e komunitetit serb, të cilët vijnë nga subjekti me emrin Lista Serbe, kryesisht kanë shprehur një lloj mos pajtimi me krijimin e kësaj force të armatosur në Kosovë.

Por, pavarësisht sfidave, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se qeveria do të përmbushë detyrën që ka për ta kthyer FSK-në në një forcë mbrojtëse. 

"Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbush të gjitha detyrat që lidhen me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, në mënyrë që ato të jenë në nivel të standardeve të NATO-s, dhe që ky proces të zhvillohet në koordinim të ngushtë me partnerët tanë strategjik, dhe në transparencë maksimale me NATO-n", ka thënë Mustafa. 

Sipas kryeministrit Mustafa, Kosova dëshiron të institucionalizoj marrëdhëniet politike me NATO-n, përmes FSK-së, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe të merr përgjegjësinë e saj edhe në misionet humanitare dhe paqeruajtëse në botë.

Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe njësoj pritet të ndodhë në të ardhmen rast se ajo do të transformohet në Forca të Armatosura.


Marrë nga REL

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Lundronin pa dokumente dhe rrezikonin pushuesit, Policia bllokon 39 mjete nga Ksamili në Koman, gjobiten drejtuesit

Lundronin pa dokumente dhe rrezikonin pushuesit, Policia bllokon 39 mjete nga Ksamili në Koman, gjobiten drejtuesit