Jahjaga: Gratë dhe vajzat ende nuk kanë trajtim të barabartë në shoqëri

/ATSH/.- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi sot se "gratë dhe vajzat ende nuk kanë trajtim të barabartë në shoqëri".
Gjatë konferencës "A jam e barabartë në shoqërinë kosovare", ku ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, Presidentja Jahjaga tha se "është e vërtetë, kemi ndërtuar një infrastrukturë ligjore të avancuar, por kemi ende shumë punë për të bërë si institucione dhe si shoqëri që t'i jetësojmë ato në praktikë dhe vetëm atëherë ne mund të themi që Po, gratë dhe vajzat janë të barabarta në shoqërinë tonë".
"Në çdo pozitë që kam ushtruar, e kam konsideruar pjesëmarrjen e gruas dhe fuqizimin e rolit të saj qendror për avancimin e shoqërisë. E kam parë jo vetëm si përmbushje të të drejtave të dala nga ligjet dhe nga Kushtetuta e vendit, apo përmbushjes së një të drejte morale", nënvizoi Jahjaga duke shtuar se pjesëmarrjen e gruas e kam konsideruar si çelës për avancimin e gjithanshëm të shoqërisë.
Presidentja Jahjaga u shpreh se "mund t'ju them me bindjen më të plotë, se ndryshimi në pozitën e gruas do të vijë duke zhvilluar një debat të hapur institucional dhe shoqëror, duke ndërtuar së bashku sistemin e vlerave ku përmbushja dhe garantimi i të drejtave të barabarta të grave dhe vajzave kthehet në pjesë integrale të çdo qelize të shoqërisë".
"Ne si shoqëri kemi hedhur hapa të konsiderueshëm në avancimin e rolit të gruas në shoqëri, por ky progres mbetet ende i ulët veçanërisht kur kthehemi dhe shohim shifrat, që vijnë nga pjesëmarrja e gruas në tregun e punës, pjesëmarrja në arsim, në politik, qasja në shërbimet shëndetësore apo në drejtësi", tha Jahjaga.
Po bëhemi gjithmonë e më të ndërgjegjshëm, shtoi ajo, që aleatët tanë në vendosjen e rendit dhe ligjit, në luftën ndaj fenomeneve negative të shoqërisë si korrupsioni, duhet të jenë pikërisht gratë, të cilat kanë dëshmuar se janë shumë më pak të korruptuara, si dhe shumë më të përgjegjshme ndaj detyrave që ato marrin përsipër t'i kryejnë, fakte të mbështetura edhe nga hulumtime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
"Prandaj jam e bindur se së bashku, si shoqëri dhe institucione, të përkushtuar dhe të udhëhequr nga parimet më të larta të respektimit të të drejtave të barabarta të njeriut pavarësisht gjinisë, do të ndërtojmë mekanizmat e duhur institucionalë, ligjorë e shoqërorë, që do garantojnë mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë", tha Jahjaga./k.s/

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin