Në orët e hershme të mëngjesit, në Prishtinë, vdiq këngëtarja e muzikës së lehtë Liliana Çavolli, e cila bëri një karrierë të gjatë jetësore dhe të punës në Radio Prishtinë, jo vetëm si këngëtare, por edhe si moderatore e disa emisioneve muzikore.
Ajo bashkë me Nexhmije Pagarushën, i lanë vulën historisë së zhvillimit të këngës moderne shqipe në Kosovë, ku për dekada me radhë ushqyen shpirtin e dëgjuesve të shumtë me vlera të qëndrueshme artistike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ngushëlloi familjen Çavolli dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për ndarjen nga jeta të këngëtares tonë Liliana Çavolli. Në telegramin drejtuar familjes Jahjaga vlerëson karrierën e angazhimin e palodhshëm të zonjës Liliana Çavolli për kulturën dhe artin, në veçanti për kulturën muzikore në Kosovë.
"Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të zonjës së muzikës së lehtë, Liliana Çavolli. E ndaj me ju, e nderuara familje këtë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur, duke e kujtuar përherë punën dhe angazhimin e palodhshëm të zonjës Liliana Çavolli për kulturën dhe artin, në veçanti për kulturën muzikore në Kosovë. Ikona e muzikës së lehtë në Kosovë, Liliana Çavolli, do të kujtohet për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në kultivimin e këngës moderne shqipe, shkruan Jahjaga.
Zonja Çavolli, citohet emsazhi i Presidentes Jahjaga, edhe pse karrierën e zhvilloi në një kohë shumë të vështirë, kontributi i saj për historinë e muzikës moderne shqiptare ishte i përmasave evropiane dhe puna e saj artistike do te kujtohet me shumë respekt nder gjenerata. "Ndarja nga jeta e zonjës Liliana Çavolli, është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe te punojnë me ikonën e muzikës së lehtë në Kosovë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta", thuhet në telegramin drejtuar familjes./Kosovapress/atsh/