Jahjaga: Kosova faktor paqeje e stabiliteti në rajon, rëndësi të veçantë politikave të sigurisë

 
PRISHTINË, 6 Shtator /ATSH-Behlul Jashari/.- Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, tha sot se "Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe i kushton rëndësi të veçantë politikave të sigurisë në kuadër të politikave të përgjithshme që ndikojnë në stabilitetin e vendit, rajonit por edhe në sigurinë kolektive".
"Anëtarësimi i Kosovës, me tw drejta të plota e të barabarta, në të gjitha institucionet ndërkombëtare të sigurisë, do t'i mundësojë asaj të jap kontributin për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, por edhe për luftimin e të gjitha fenomeneve negative", theksoi Jahjaga.
Ne, vijoi Presidentja e Kosovës, ende kemi shumë punë për të bërë që të përmbushim synimin tonë për të qenë anëtarë të familjes euroatlantike, të strukturave ndërkombëtare të sigurisë.
Jahjaga siguroi se "institucionet e Kosovës do të veprojnë në parandalimin e secilit kërcënim duke ndërtuar bazën e një shteti ku sundon ligji dhe rendi dhe ku liria e qytetarëve të tij, e mishëruar në Kushtetutë, është vlera më e madhe e saj".Presidentja e Republikës, lidhur me zhvillimet aktuale theksoi se, "është shumë e domosdoshme që Kuvendi i ri i Kosovës, dhe unë besoj se deputetët e zgjedhur me votën e popullit do të gjejnë forcën dhe kurajon që të tejkalojnë shpejt problemet e sotme, të miratojë ligje që do të parandalojnë aktivitetet ekstremiste e terroriste të qytetarëve tanë kudo qoftë në botë".
"Ne të gjithë, përfaqësues të institucioneve, subjekte politike e qytetarë të Kosovës duhet të punojmë në respektim dhe zabtim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", tha Presidentja kosovare.
Jahjaga foli në manifestim për Ditën e Policisë së Republikës së Kosovës, ku u shënua 15 vjetori themelimit dhe punës së këtij institucioni të vlerësuar nga Presidentja si profesional, i përkushtuar në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe më i besueshmi në vend.
Duke iu drejtuar pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Jahjaga tha se në këtë sfidë tonën për rend dhe ligj, roli i juaj është vendimtar. "Unë besoj fuqishëm në përkushtimin, aftësinë dhe profesionalizmin tuaj që t'i shërbeni qytetarit të Kosovës", u shpreh ajo.
Para 15 vitesh, në 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës./k.s/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Maliq, mjeti bujqësor përmbyset në rrugën e Moglicës, vdes 61-vjeçari që e drejtonte