Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava
PRISHTINË, 28 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava dhe udhëheqës të tjerë të kësaj bashkësie, të cilët i uroi për festën e Fitër Bajramit.
Në një deklaratë për media Presidentja Jahjaga tha se, sot të gjithë qytetarët e Kosovës janë së bashku me familjet e tyre për të kremtuar festën e Bajramit, festa më e rëndësishme e besimit mysliman, e cila simbolizon paqen dhe mirëkuptimin.
"Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë ju uroj festën e Bajramit, që këtë festë ta shënojnë në paqe, mirëkuptim, dashuri, solidaritet dhe në mirëqenie", u shpreh ajo.
"Kosova, shteti ynë është dëshmuar që është një vend i paqes dhe i harmonisë fetare dhe kjo liri fetare është pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut", theksoi Jahjaga.
Prandaj, shtoi ajo, edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë, ju uroj festën e Bajramit, që ta kalojnë në solidaritet, mirëkuptim dhe në dashuri me njëri tjetrin. /k.s/











