/ATSH/.- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, do të mbledhë sot Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, për të diskutuar për largimet e jashtëligjshme, që kohët e fundit po ndodhin në masë të madhe në Kosovë.

Në një publikim që ka bërë Presidentja në rrjetin social Facebook, por edhe përmes njoftimit zyrtar të presidencës, thuhet se ajo do të mbledhë këtë këshill për të diskutuar njërën prej çështjeve më urgjente me të cilën po sfidohen.

"Të martën kam thirrur takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, për të diskutuar njërën prej çështjeve më urgjente me të cilën po sfidohemi si institucione dhe si shoqëri, çështjen e migrimit ilegal. Është përgjegjësia jonë që të kemi një pasqyrë të qartë dhe të gjejmë zgjidhje të përshtatshme", thuhet në njoftimin e Jahjagës./KosovaPress/