Jahjaga: Na duhet shumë punë
për një shtet të pakorruptua

Jahjaga: Na duhet shumë punë<br />për një shtet të pakorruptua
PRISHTINE - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se gjashtë vjet më parë u krijua shteti më i ri me synimin që të jetë pjesë e shteteve demokratike. Sot, ajo ka bindjen se janë vendosur themelet e shtetësisë dhe kur po shënohet përvjetori i gjashtë i pavarësisë po dëshmohet qëndrueshmëria për ta realizuar këtë ideal.
 
Vizioni ynë promovon tolerancën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, ka thënë Presidentja Jahjaga, kur, këto dhe të tjera komente, i ka bërë në pritjen që organizoi për festë të 6 vjetorit të shtetësisë së Kosovës. Ajo foli për të arriturat, zhvillimin e vendit, por edhe për luftën kundër korrupsionit dhe reformat e thella të cilat, sipas saj, Kosova duhet t'i bëjë në mënyrë që të ecë përpara.
 
“Në 6 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, nderojmë vizionin, përpjekjet dhe përkushtimin e gjeneratave të tëra. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e paprekshme, e ndërtuar në çdo pjesë të Kosovës, për çdo qytetar të Kosovës, e pranuar në çdo pjesë të botës”, ka thënë ajo.
 
Por, Presidentja ka thënë se “pa dyshim që na mbetet ende rrugë për të bërë për të konsoliduar demokracinë tonë, për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në secilin skaj të territorit të Republikës sonë dhe për ta ndërtuar një shtet të pakorruptuar”.
 
“Vështirësitë me të cilat përballet sot vendi ynë janë vështirësi të tranzicionit nëpër të cilat kanë kaluar edhe vende të tjera të botës demokratike, të cilat jo rrallë herë ngadalësojnë proceset demokratike dhe rrugën e integrimeve”, ka thënë ajo.
 
Jahjga ka thënë se historia e dhunës dhe e konflikteve, e hegjemonisë dhe e shtypjes ka përfunduar dhe se tash është hapur rruga e integrimeve dhe e bashkëpunimit, një rrugë të respektit të ndërsjellë dhe të mirëbesimit, dhe gjithsesi një rrugë të ndërtimit të së ardhmes më të mirë.
 
“Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim, njerëz që bashkohen në synimin e përbashkët për integrimin në BE, një aspiratë e palëkundur e njerëzve tanë”, ka thënë ajo.
 
Jahjaga ka folur edhe për aspektin ekonomik të vendit, kur ka thënë se duhet të krijohen kushtet e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe për investime të huaja, që do të ndihmojë gjeneratat e reja të kontribuojnë për vendin e tyre.
 
“Kjo është barra dhe puna jonë e të gjithë neve – Qytetarë të Republikës së Kosovës – që e duam këtë vend. Është prandaj përgjegjësi e përbashkët e jona që të vendosim këto themele të demokracisë së zhvilluar dhe të avancojmë proceset tona drejt integrimit evropian”, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifehte Jahjaga.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë