/ATSH/.- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një takimi sot me Stephen Rapp, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krime lufte, diskutoi për procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.
Sipas KosovaPress, Jahjaga bëri të ditur se informoi Ambasadorin Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të sigurojë një proces kredibël dhe të përgjegjshëm për t'u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës.
"Institucionet e Kosovës tashmë kanë dëshmuar përgjegjësinë për këtë proces dhe mbesin të përkushtuara të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar, që do të dëshmojë seriozitetin e Republikës së Kosovës si pjesëtare e përgjegjshme e arenës ndërkombëtare", shtoi Jahjaga.
Duke u bazuar në rolin e saj kushtetues, Jahjaga siguroi se do të vazhdoj të angazhohet me të gjitha institucionet dhe grupet parlamentare të spektrit politik, të diskutoj përgjegjësitë dhe implikimet që dalin nga procesi i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila nuk do të gjykojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura.