Prostitucioni është i ndaluar me ligj, por një kërkesë e pazakontë vjen nga Dhoma e Tregtisë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka ka kërkuar legalizimin e prostitucionit. Një kërkese e tij, ishte dhe legalizimi i hashashit për nevoja farmaceutike.
 
Propozimin e tij, Jaka e ka bërë gjatë një deklarate për mediat. Ai ka theksuar se duhet të zbatohet njëjta formulë, ashtu sikur në vendet europiane, si Hollanda, Italia dhe Greqia. 

"Pse mos zbatojmë edhe ne formulën e Holandës, Italisë apo dhe të Greqisë për lejimin e kanabisit për nevoja farmaceutike apo siç e lejon edhe ligjet europiane", u shpreh Jaka. 

Kreu i DHT-së, theksoi gjithashtu se duhet një qasje ligjore ndryshe edhe për prostitucionin. "Pse jo të mos kalojmë edhe në ligje të tjera të cilat liberalizohen dhe është një paketë p.sh, të merret qasja ligjore që ka Gjermania dhe Austria për shërbimin e femrës, që janë gjëra normale", deklaroi Jaka

Nikollaq Neranxi: Jo mbushjes se Shqiperise me plehra, hashash dhe bordello!
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë shprehet kundër propozimit të Nikolin Jakës. Nikollaq Neranxi ka kërkuar që; Biznesi i ndershem distancohet nga Nikolin Jaka. Ne nje shkrim ne rrjetin social, Neranxi shkruan, 'Jo mbushjes se Shqiperise me plehra, hashash dhe bordello!'

Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e thellë për deklaratat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë me Kryetar Z. Nikolin Jaka, dhënë sot në një konferencë për shtyp. Dhoma e Tregtisë duhet të jetë zëri i shqetësimeve dhe i interesave të sipërmarrjes së lirë në vend, ndërsa ajo prej kohësh, po bën krejt të kundërtën e asaj për të cilën është krijuar. Jaka deklaroi se është dakord që në Shqipëri të vijnë plehrat e botës për t'u përpunuar dhe se është pro legalizimit të hashashit dhe shtëpive publike. Të gjithë që e kanë dëgjuar, mendojnë se ai po hedh propozime për të cilat sipërmarrësit shqiptarë bien dakord, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Shoqata e Tregtarëve distancohet nga këto propozime të zotit Jaka, i cili po e përdor Dhomën e Tregtisë, vetëm për interesa personale dhe klienteliste. Duke qenë i kapur nga njerëz të veshur me pushtet, ai nuk është gjë tjetër, vecse një vegël në duart e tyre dhe si e tillë, është i detyruar të dalë të thotë publikisht, vetëm ato që i interesojnë pushtetit. Asnjë sipërmarrësi të ndershëm, nuk i intereson që Shqipëria të mbushet me plehra. Asnjë sipërmarrësi të ndershëm nuk i intereson që të legalizohet hashashi, qoftë edhe për qëllime farmaceutike. S'ka gjë me cinike se sa të hedhësh idenë e legalizimit të hashashit, pikërisht tani që Shqipëria është e gjitha e mbushur me hashash.
Dhe e treta më skandalozja, Jaka artikulon pikërisht në këto momente kritike për vendin ku është në pikëpyetja mbijetesa, nevojën e shtëpive publike! Jaka, njeriu që përfiton vazhdimisht fonde publike, po bën një krim duke dalë të flasë në emër të biznesmenëve shqiptarë dhe duke u shpallur promotori i mbushjes së këtij vendi me pislliqe, drogë dhe prostituta.
Nuk mund të pranojmë që Dhoma e Tregtisë të dalë e të japë ide të tille për një vend i cili para së gjithash ka probleme serioze me varfërinë. Nuk u artikulua asnjëherë nga kjo Dhomë, një strategji se si mund të dalim nga kjo krizë, nuk na u bashkangjit asnjëherë në protestat tona si sipërmarrës, kundër taksave të larta dhe politikave fiskale biznesshkatërruese, nuk na u bashkua asnjëherë në betejat tona ligjore kundër super-gjobave që shkatërronin biznesin dhe tani del e na thotë, sillni plehrat në Shqipëri! I bëjmë thirrje cdo Shoqate biznesi dhe cdo sipërmarrësi të ndershëm në këtë vend, që të distancohet nga deklaratat e turpshme te Nikolin Jakës dhe të reagojnë publikisht kundër tyre!


Redaksia Online
l.q/d.b/Shqiptarja.com