Jakin Marena: Berisha nën hetim për ‘21 janarin’, testi për fuqinë e SPAK

Jakin Marena: Berisha nën hetim për ‘21 janarin’, testi për fuqinë e SPAK

Sali Berisha dhe momenti i vrasjeve më 21 Janar nga Garda

Këtë të martë mbushen plot 14 vite nga ngjarja e përgjakshme e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 demonstrues të pafajshëm nga plumbat e Gardës së Republikës, përballë kryeministrisë mu në mes të bulevardit qendror të kryeqytetit.

Janë plot 14 vite të mbushura me dhimbje nga ana e familjarëve dhe të afërmve të 4 viktimave të pafajshme që vdiqën nga plumbat e shtetit, të cilat ‘ulërasin’ për drejtësi. Pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë ndëshkim për ata që urdhëruan këtë masakër, ndërkohë që dhe të akuzuarit si pika fundore e ekzekutimit, kanë marrë dënime qesharake.

Madje vrasja e Aleks Nikës është klasifikuar si vrasje pa autor, fakt që ka shërbyer për familjarët e tij, duam të theksojmë vetëm me këmbënguljen e fortë të tyre, që çështja të shkonte në Gjykatën e Strasburgut, gjykatë e cila doli me një vendim të fortë. Strasburgu, as më pak dhe as më shumë, kërkoi që ky krim shtetëror të zbardhej menjëherë nga ana e drejtësisë shqiptare, jo duke u marrë me ‘bishtat’ e ngjarjes por me ata që kanë dhënë urdhër për të qëlluar me plumba të vërtetë mbi turmën e demonstruesve të paarmatosur dhe të pafajshëm. Vetëm emrin nuk i kanë ka vënë Sali Berishës si personi që duhet të merret i pandehur, të hetohet dhe të dënohet. Berisha në atë kohë ishte kryeministër i Shqipërisë.

Pas një ‘ping pongu’ administrativ mes organeve të hetimit, më në fund u vendos që çështja e hetimit të ’21 Janarit’ të kalojë në SPAK. Ka një vit që dosja e ’21 janarit’ është në institucionin më të lartë të hetimit. Janë pyetur deputetë të të dyja krahëve të politikës, ish-zyrtarë të lartë të policisë së shtetit të asaj kohë, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre. Dhe për fatin e hetimit, por dhe për habinë e të gjithë qytetarëve të mësuar të marrin vesh gjithçka, për këto dëshmi nuk ka pasur asnjë ‘rrjedhje’ informacioni drejt mediave nga ana e SPAK. E kanë ‘mbajtur’ veten me një fjalë prokurorët e posaçëm dhe mirë kanë bërë, për hir të hetimit.

Megjithëse janë pyetur thuajse të gjithë ata që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen e 21 janarit 2011, ndonëse ka kaluar gati një vit që kur Strasburgu vendosi që hetimi i këtij krimi makabër dhe krimi shtetëror të ‘ngjitej lart’ në hierarkinë e zinxhirit komandues që kishin urdhëruar Gardën e Republikës të qëllonte drejt turmës paqësore demonstruese të opozitës me plumba prej vërteti, asnjë prej këtyre eprorëve nuk është pyetur ende. Qoftë dhe si persona në dijeni.

Nuk duam të paragjykojmë hetimin e prokurorëve të SPAK, as shpejtësinë me të cilin ata po e bëjnë këtë hetim. Janë procese që i dinë vetë prokurorët e posaçëm, ndoshta kanë kohën e tyre, dhe kërkojnë akoma më shumë kohë në dizpozicion. Nuk jemi juristë dhe nuk duam të hyjmë në detaje, SPAK është organ hetimi i pavarur e për hir të së vërtetës duhet të punojë pa asnjë trysni. Për më tepër që bëjmë pjesë tek shumica e shqiptarëve që e besojmë SPAK-un dhe e mbështesim fort. Kuptohet, sepse mbështetet fort dhe nga amerikanët dhe kjo na jep garanci për drejtësinë që do të bëjnë.

Por me gjithë mbështetjen, me gjithë fjalët e mira, me gjithë garancitë që na jepen nga SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend, janë shumë ish ministra, ish deputetë, ish kryetarë bashkisë madje dhe ish zv.kryeministra si dhe ish kryeministra e ish presidentë që janë nën hetim, janë shpallur në kërkim apo janë në burg, nuk mund të heshtim dhe të rrimë pa thënë dhe disa të vërteta të vogla. Ndoshta dhe shumë të vogla, por ama që përbëjnë shqetësim për ne, të fiksuar pas mbarëvajtjes së drejtësisë. Pa prishur ndonjë punë, kuptohet!

Duke mbetur tek hetimi i vrasjeve në ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, kur nga plumbat e Gardës u vranë katër demonstrues të pafajshëm me duar në xhepa mes bulevardit kryesor të Tiranës përballë kryeministrisë, ajo që na bën shumë përshtypje është se pas 14 vitesh nga ky krim shtetëror dhe një vit pas vendimit të Strasburgut, ende nuk është thirrur në SPAK për të dëshmuar, qoftë dhe si person në dijeni, ish kryeministri Sali Berisha. Ai që kishte gjithçka në atë kohë, si kryeministër i vendit.

Ndoshta prokurorët e SPAK e kanë kopsitur dosjen dhe po presin që ta dërgojnë në gjykatë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kanë të gjithë të drejtën e Zotit të përzgjedhin kohën për ta dërguar për gjykim ’21 janarin’. Por ama edhe nëse e kanë kopsitur këtë dosje, thjeshtë sa për të thënë ‘më ka çuar baba me la gojën’, mund ta kishin thirrur Berishën për të dëshmuar deri më tani. E themi këtë sepse dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut pikërisht këtë thotë: Hetimi i niveleve të larta të dhënies së urdhrit në drejtim të Gardës për të qëlluar mbi demonstruesit. Madje e ka quajtur dhe krim shtetëror.

I larti i të lartëve në atë kohë mbi qeverinë, mbi ministritë dhe mbi Gardën ishte vetë ai, Sali Berisha. Kjo nuk rrjedh nga fakti se Berisha urdhëronte si kryeministër asokohe këdo, por dhe për faktin se demonstrata zhvillohej para kryeministrisë, Berisha si kryeministër ishte brenda në kryeministri, dhe sipas ligjeve dhe rregulloreve të vendit, ai ishte autoriteti më i lartë për të dhënë urdhër të qëllohej nga ajo godinë më 21 janar 2011. Sipas zinxhirit komandues themi.

Prandaj ne këmbëngulim që Berisha ka shumë për të dëshmuar. Ka për të treguar se kush e dha urdhrin, kush e rrahu fort kreun e Gardës Ndrea Prendin, kush ia mori pistoletën dhe vrau me të një demonstrues, kush dha urdhër të ndalonte prokurorët të hetonin në vendngjarje, kush dha urdhër të hiqen gëzhojat nga rrethimi i kryeministrisë, kush dha urdhër të mjekoheshin gardistët e plagosur brenda kryeministrisë, kush dha urdhër mbi të gjitha të fshiheshin regjistrimet nga kamerat e sigurisë.

Ka për të treguar për deklaratat se demonstruesit vranë nga afër njëri tjetrin, ka për të treguar rezultatet e ‘komisionit parlamentar të hetimit të grushtit të shtetit”, të cilin e ngriti me urgjencë Berisha, ka për të dëshmuar se pse nuk lejoi kreun e policisë dhe të tjerët të dëshmonin në Prokurorinë e Përgjithshme, sipas urdhrit të Gjykatës së asaj kohe.

Për më tepër Berisha ka plot për të dëshmuar dhe në lidhje me deklaratat se ‘kishte në tarracën e kryeministrisë 5 snajperë me urdhrin e prerë prej tij si kryeministër që të qëllonin kreun e opozitës së atëhershme Edi Rama me plumb në kokë nëse kalonte gardhin e godinës së kryeministrisë”, apo ‘jo tre apo katër protestues por treqind e katërqind do të vriteshin, nëse kalohej gardhi i kryeministrisë”. Sot ai gardh nuk ekziston. Janë deklarata publike këto të Sali Berishës, të përsëritura tre katër herë nëpër emisionet më të shikuara televizive. Janë dhe në Google dhe mjafton të vihet në punë motori i kërkimit dhe të dalin ‘lakuriq’ fare. Deklarata me të cilat ai ka marrë përsipër tragjedinë e ’21 janarit’, masakrën shtetërore dhe vrasjen e 4 demonstruesve përballë kryeministrisë. Dhe këtu s’ka nevojë as për hetim, është vetëdeklaruar me zë dhe figurë si urdhërdhënës për vrasjes më 21 janar 2011.

Por SPAK mund të kishte pyetur deri më tani dhe ish presidentin e Republikës Bamir Topi, i cilësuar nga Berisha ‘kreu i puçit’ kundër tij dhe ‘horri i bulevardit”. Ka shumë për të treguar Topi, pasi një president zotëron informacione të rëndësishme e për gjithçka. Mund të pyetet dhe ish prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, pjesë e ‘puçit’ sipas Berishës, i cili e quajti “lavire bulevardi”. Mund të pyeten dhe familjarët e viktimave, të cilëve Berisha u ofroi përmes njerëzve të tij çanta me para në këmbim të heshtjes. E kanë deklaruar vetë disa familjarë të viktimave të 21 janarit 2011, nuk janë shpikjet tona.

Dhe në fund, SPAK mund të pyesë dhe Lulzim Bashën, i cili ka qenë ministër i Brendshëm në atë kohë dhe pjesë e zinxhirit të komandimit. Anipse nuk e pyeste askush aty. Mund të thirret të thotë ndonjë gjë, nëse nuk është ‘zbërthyer’ me kohë e vakt atje ku duhet, përtej ‘Oqeanit”. Nga ku thuhet se kanë ardhur dhe ekspertizat për armët e Gardistëve si dhe janë rikuperuar pamjet në kamerat e fshira. Që mund t’i bëjnë gjëmën urdhërdhënësve dhe autorëve të ’21 Janarit’.

Nuk duam ta paragjykojmë institucionin më të lartë të hetimit në Shqipëri, të cilin e kemi mbështetur dhe vijojmë me të njëjtën gjatësi vale ta mbështesim. Ndoshta dhe e kanë në plan të pyesin Berishën dhe gjithë zinxhirin komandues për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011. Pasi siç deklaroi dhe këtë të hënë vendosmërinë për hetimin e kësaj ngjarjeje vetë kreu i SPAK Altin Dumani, tha dhe se kanë filluar hetimin në korrik të vitit 2024, sepse atëherë u zbardh vendimi.

Shqiptarët nuk presin nga SPAK që të kërkojë direkt kopsitjen e dosjes së 21 janarit për Berishën e prangosjen direkt të tij. Kurrsesi nuk e kërkojnë një gjë të tillë me zë të lartë, ndonëse e dëshirojnë me gjithë zemër, madje 80 për qind e shqiptarëve sipas sondazheve e kërkojnë Berishën në kokërr të burgut. Shqiptarët kërkojnë të paktën të thirret për të dëshmuar për krimin shtetëror të ‘21 janarit’, ku u vranë nga Garda 4 demonstrues të opozitës.

Shqiptarët duan ta shohin Berishën të kalojë pragun e derës së SPAK për këtë punë, të dëshmojë se kush dha urdhrin ndaj Gardës për të qëlluar, kush fshiu provat dhe manipuloi ngjarjen për 14 vite me radhë. Kaq duan shqiptarët. Pastaj vetë SPAK e di se çfarë kërkon, cilat akuza do të njehsojë me provat dhe faktet që ka, sa vite burg do të kërkojë nëse ka prova se është i fajshëm apo ta shpallë të pafajshëm nëse nuk ka prova që e implikojnë në krimin shtetëror të 21 janarit 2011 para kryeministrisë në mes të bulevardit. Kaq kërkojnë shqiptarët, dhe besojmë se kërkesa e tyre është modeste në krahasim me atë çfarë shqiptarët kanë në mendje për Berishën.

I nënvizuam të gjitha këto, sepse krahasuar me aferën e ish kompleksit sportiv “Partizani”, apo aferën CEZ-DIA dhe hetimin e pasurisë, çështja e ’21 janarit’, është një krim shtetëror ku 4 demonstrues të opozitës së atëhershme janë vrarë nga plumbat e Gardës së Republikës dhe kanë humbur jetë njerëzish të pafajshëm nga dora e shtetit. Dhe mbi të gjitha është manipuluar ngjarja, janë fshirë pamjet në kamerat e sigurisë, është bllokuar drejtësia që të hetojë, e deri është ndërhyrë për të shkatërruar e ndryshuar armët e krimit. Janë ngjarje të rënda. Ndaj duhet të hetohet me themel dhe sikurse thotë vendimi i Strasburgut, duket të ngjitet në ‘katet’ e larta të urdhërdhënies politike që sollën kryerjen e këtij krimi.

Për hir të së vërtetës, zbardhja e plotë e ngjarjes së ‘21 janarit’, është një provë e madhe për SPAK,  nëse do të jetë në gjendje t’i japë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe trajtimin e tyre si të barabartë para ligjit. Eshtë vërtetë një test i fortë nga i cili varet kredibiliteti i institucionit më të lartë të hetimit në Shqipëri. I cili ka arritur vërtetë rezultate në luftë kundër krimit e korrupsionit, por që mund të zerohen nëse Berisha ikën nga ‘radarët’ për hetimin e ’21 janarit’. Të presim. Ne besojmë, por koha do të jetë ajo që do të tregojë të vërtetën e madhe.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 09:13

    Betohet Trump, a do të ndryshojë politika e SHBA-ve ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Gazetari Berisha në Report TV: Trump nuk i ka qejf politikanët e llastuar, do merret shkurt me Ballkanin! Kurti nuk do jetë më kryeministër pas 9 shkurtit

Gazetari Berisha në Report TV: Trump nuk i ka qejf politikanët e llastuar, do merret shkurt me Ballkanin! Kurti nuk do jetë më kryeministër pas 9 shkurtit