Jakin Marena: Fitorja e Trump, jo amnisti për ‘non gratat’ e ‘florinjtë’ në Shqipëri

Jakin Marena: Fitorja e Trump, jo amnisti për ‘non gratat’ e ‘florinjtë’ në Shqipëri

Donald Trump

Fitorja e Donald Trump përballë Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më shumë se sa në vendin e demokracisë më të madhe në botë që ishte përfshirë në zgjedhje dhe hidhte votën në kutinë e votimit, është ndjerë në Shqipëri.

Sidomos në radhët e opozitës shqiptare, ka një hare dhe një delir të pashpjegueshëm, për zgjedhjen e Trump si President për një mandat të dytë në krye të SHBA, pas një pauze katër vjeçare mes mandatit të parë, pasi i garën e vitit 2020 u mund nga presidenti aktual Joe Biden.

Nuk është ndonjë gjë e re që po ndodh në Shqipëri, pasi një gjë e tillë ndodhte dhe kur zgjidhej Xhorxh Bush i Riu president, edhe kur fitonte Silvio Berluskoni në Itali, duke shënuar në këtë mënyrë krijimin e trinomit imagjinar të tre “B”-ve të famshëm në pushtet, në Uashington, Romë dhe Tiranë me Sali Berishën. Ky i fundit në tentativë, por i ishte ngjallur shpresa për të kapur ‘trendin’.

Ishte “B”-ja tretë Sali Berisha që përmendej me krenari nga ithtarët e këtij togfjalëshi, krenari të cilën e prishi Fatos Nano, lideri socialist i asaj kohe dhe kryeministër i vendit, i cili e la dhe 4 vite të tjera të opozitë Sali Berishën, apo ‘B’-në e tretë ‘fituese’. Madje si për ironi të fatit krijoi dhe një miqësi të fortë ne Berluskonin kryeministër të Italisë, aq sa s’linin asnjë festë apo dasmë të kalonte pa festuar dhe marrë pjesë sëbashku. Si në rastin e martesës së djalit të Erdogan!

Por të tilla shpërthime deliri të shqiptarëve, në pafuqi për të sjellë vetë ndryshime dhe gëzuar arritjet e veta, janë të njohura dhe para viteve ’90-të, kur brohoriteshin sulmet e vietnamezëve kundër amerikanëve, përkthehej dhe libri ‘Nisemi për në Bien Dien Fu’, luftën e palestinezëve kundër sionistëve izraelitë, zgjedhjen e Hua Kuo Fen-it si pasues i Mao Ce Dunit në Kinë, dhe gjëra të tjera të këtij lloji.

Gëzon opozita për zgjedhjen e Trump, pavarësisht se gëzojnë dhe të gjithë shqiptarët, si populli më pro-amerikan të paktën në Evropë, për kalimin me qetësi të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, pasi si me Trump si me Harris, dashuria dhe besimi i shqiptarëve për aleatin më të madh të tyre, Amerikën, janë njëlloj dhe të palëkundura.

Ndaj të gjithë shqiptarët ndjehen mirë se dhe opozita po gëzon, pavarësisht se është gati 12 vite larg pushtetit dhe pa asnjë shpresë për t’u rikthyer së shpejti në qeverisjen e vendit. Megjithatë, gëzimi i opozitës, madje deri në delir sikur na qetëson të gjithëve, duke na bërë të harrojmë gomat e djegura dhe rrugët e bllokuara, flakën në Kuvend apo revolucionin e mosbindjen civile të deklaruar e të keqkuptuar për mënyrën si realizohet.

Por për hir të së vërtetës kur dëgjojmë deklaratat e lidershipit të kësaj opozite dhe mesazhet e mbështetësve të tyre, na duket se opozita e ka keqkuptuar tërësisht fitoren e Donald Trump në Amerikë, duke e interpretuar sikur ka fituar PD dhe aleatët e saj, me Sali Berishën në majë të ballkonit, këtu në Shqipëri. Por njëherësh sipas kësaj mendësie, i humburi është Edi Rama.

Të paktën këtë shije na lënë deklaratat e Berishës në dritare sa herë del pasditeve, teksa përshëndet rikthimin e madh të Trump, duke falendruar popullin amerikan në emër të tij, që e bëri këtë rikthim të madh, por që lideri i PD nuk po lë rast dhe deklaratë pa shfrytëzuar për të bindur shqiptarët se ai ngjan pikë për pikë me vetë Donald Trump.

Madje arrin deri atje sa të thotë se ‘kemi ngjashmëri me Trump, pasi mua më goditën kur shkoja në miting, atij kërkuan t’i merrnin jetën. Drejtësia e Soros në SHBA, turpi i njerëzimit”, një goditje për drejtësinë amerikane të deritanishme por dhe drejtësinë shqiptare të ngritur nga ana e amerikanëve në Shqipëri, pra SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme që e kanë nën hetim dhe gjykim Berishën e  kur nuk përjashtohet mundësia që ta dërgojnë dhe në qeli për zullumet e shumta që ka kryer, duke e vjedhur, vrarë dhe sakatuar këtë popull.

Ndërkohë që e quan veten njëlloj me Trump, i cili rikthehet pas katër vitesh në Shtëpinë e Bardhë, Berisha thotë për vete se do të kthehet në pushtet për herë të tretë, duke nënvizuar sërish momentin e ndëshkimit të tij nga SHBA në shtator 2021, teksa e shpallën ‘non grata’ familjarisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë.

“Në shtator 2021 isha personi që në ujërat e një lumi isha larë dy herë, zotohem se do lahem edhe herën e tretë!”, deklaron Berisha në majë të ballkonit, duke pasuar dhe foto-montazhet e Palokës në rrjetet sociale, me Trump që ‘po ia fut sa krahu” Edi Ramës, postimet e mbështetësve të Berishës në rrjetet sociale se tashmë ka ardhur dita e hakmarrjes së Berishës ndaj Ramës dhe “Sorosit” për shpalljen ‘non grata’ dhe arrestin e tij shtëpiak. Pra bën analogji se do t’i hiqet ‘non grata’, do dalë nga arresti shtëpiak, do të rikthehet në pushtet, vetëm e vetëm se Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, do të jetë president i Amerikës për 4 vitet e ardhshme.

Në krye të herës duhet të theksojnë se jo vetëm që ka një keqkuptim të madh nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij në PD, nga ana e Metës dhe mbështetësve të tij në PL, por kemi shumë frikë, madje jemi të brengosur për këtë, se pas disa muajsh do të jenë pikërisht këta njerëz në delir për zgjedhjen e Trump si President i SHBA, njerëzit më të zhgënjyer jo vetëm në Shqipëri por dhe në planet.

E themi këtë sepse kështu ka ndodhur në të gjitha herët me këtë grup politik, që nuk ka besuar kurrë se mund të vijnë vetë në pushtet, mund të përballojnë vetë politikën dhe situatën rreth tyre, por kanë shpresuar se ndryshimet politike diku tjetër, do të shkaktojnë automatikisht ndryshime dhe në Shqipëri, dhe pushteti do t’ju vijë kështu ‘llokum’ në gojë, anipse janë në majën e listës së njerëzve më të urryer në këtë vend.

E themi këtë sepse rasti “Trump” në SHBA dhe rikthimi i tij i bujshëm në majën e politikës amerikane dhe botërore nuk ka asnjë ngjashmëri me rastin “Berisha” e rastin “Meta’ në Shqipëri, të dy nën arrest, njëri në shtëpi dhe më fazën e fundit të përgatitjes për të shkuar në qeli si dhe ‘non grata’ funksional në SHBA e Britani ndërsa tjetri në qeli që në krye të herës, me akuzat që i shtohen çdo ditë. Janë informacione që rrjedhin nga SPAK, atyre u referohemi!.

Trump është akuzuar për shumë vepra penale, por kurrë për korrupsion madhor. Shumë shumë, ka dalë ndonjë modele pas 20-30 vitesh dhe e ka akuzuar për ngacmim seksual. Pati dhe revoltime të forta katër vite më parë, pasi ende ëhstë i fiksuar se ka fituar përballë Biden, por ia bënë me hile. Por kurrë nuk u pajtua me dhunën në Kapitol, jetët e humbura atje, duke nënvizuar se situata doli jashtë ko0ntrollit. Nuk u mburr se kishte snajpera në tarracë ose në ballë të turmës dhe se do qëllonin këdo që bën hap para, siç është deklaruar Berisha për 21 janarin 2011 në shumë ekrane shqiptare.

Ndërkohë që Sali Berisha dhe Ilir Meta akuzohen për korrupsion, për pastrim parash, për pasuri të pajustifikuar, lidhje me krimin dhe akuza të tjera të rënda, deri te ’21 janari’ me 4 të vrarë nga Garda në mes të trotuarit përballë kryeministrisë, afera të tmerrshme korruptive, që fillojnë nga privatizimi i ish klubit sportiv “Partizani” në favor të dhëndrit e deri tek afera CEZ-DIA ku janë të përfshirë kokë e këmbë të dy, si Meta ashtu dhe Berisha. Sipas akuzës themi.

Janë akuza të rënda dhe të pangjashme me Trump, të cilin amerikanët me votë e rikthyen dhe për një mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë. Vetëm një mandat do jetë, në 8 vite politikë të tij 4 si president mandatin e parë dhe 4 vite si ish president. Pra 12 vite dhe jo për të qënë tërë jetën në politikë siç pretendojnë këta ‘dinozaurët’ e politikës shqiptare që janë nën arrest për momentin.

Ndërsa përsa i përket mundësisë së heqjes së ‘non gratës’ nga SHBA me ardhjen e Trump si President i Amerikës apo akoma më tej për zhbërjen e reformës në drejtësi si të projektuar nga “Soros” sipas Berishës dhe Metës, ajo që mund të themi është se në këtë drejtim, as Uashingtoni nuk e njeh ‘marshin indjetro”. Pra nuk ka tërheqje nga vendimet që ka marrë vite më parë, për arsyen e vetme se korrupsionin e kanë cilësuar në dokumentet më të fundit të SHBA si të keqen më të madhe dhe ngjashëm me terrorizmin. Ndërsa drejtësia e re në Shqipëri, është një investim amerikan, pavarësisht se kush ka qënë president.

Por meqë këta ithtarët e mundësisë së heqjes së ‘non gratës’ dhe zhbërjes së reformës në drejtësi nga ana e presidentit të ri Trump dhe administratës së drejtuar prej tij, kanë nisur të besojnë shumë në një version  të tillë, për hir të së vërtetës Berisha është njeriu që e di si dreqi se nuk ka për të ndodhur një gjë e tillë pavarësisht mbajtjes me gajret disa muaj të mbështetësve të tij sa të kalojë humbjen e zgjedhjeve parlamentare të pranverës së ardhshme, ajo që mund të themi është se administrata e presidentit të atëhershëm Donald Trump është ajo që e kopsiti dosjen e ‘non gratës’ për Berishën.

Pse e themi këtë! Eshtë e gjithëpranuar se dosja në ngarkim të Berishës nga ana e SHBA për ta shpallur ‘non grata’ nuk është bërë në një vit, por është kopsitur vit pas viti që nga 2016-ta sëpaku kur SHBA qeverisej nga administrata e presidentit Trump. Ndërhë që sekretari në largim i DASH, Blinken i administratës “Biden” vetëm sa e ka firmosur një vit pasi ka hyrë në zyrë, në shtator 2021 shpalljen e Berishës familjarisht ‘non grata’.

Në SHBA nuk bëhen gjërat në inat e sipër, për një muaj, një vit, mbahet shënim për vite të tëra dhe pastaj ta kopsisin dosjen. Nuk ka rëndësi kush është në zyrën e Presidentit, të sekretarit të Shtetit apo kudo zyre, instuitucionet funksionojnë njëlloj kundër krimit, terrorizmit, korrupsionit dhe tërë maskarenjve, të të gjithë botës. Pasi SHBA është superfuqi, dhe veç vendit të vet i hedh një ‘sy’ dhe gjithë botës.

Nuk besojmë se Xhorxh Sorosi, armiku më i madh i Trump kishte në dorë frenat e shtetit në SHBA në atë kohë kur qeveriste Trump. Janë legjenda urbane. Si për shpalljen e Berishës ‘non grata’ ashtu dhe për refolrmën në drejtësi që u ka garantuar burgun ‘peshqve të mëdhenj’ të politikës shqiptare, pa asnjë frenim se i kujt krahu politik është.

Këtë e tregon dhe fakti se në qelitë e burgut, të dënuar apo nën hetim janë ish ministra, ish zv.kryeministër, ish deputetë, ish kryetarë bashkish dhe ish zyrtarë të PS, nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Janë dhe tre persona nga radhët e opozitës në burg dhe nën hetim. Ervin Salianji për atë telenovelën e “Babales”, ish presidenti, ish kryeministri, ish kryetari i Kuvendit Ilir Meta për korruspion dhe ish presidenti e ish kryeministri Sali Berisha nën arrest shtëpiak për korruspion. Ka dhe dhëndrin që i bën shoqëri, nën akuzën për pastrim parash brenda të njetit pallat në arrest shtëpiak.

Dhe meqë jemi në këtë linjë, dhe ambasadorja e atëhershme që ishte tepër e ashpër jo vetëm me ‘non gratën’ por dhe me ata që ndiqnin ‘non gratën’, derisa u kujtoi Enver Hoxhën që ‘dhe bar të hanin parimet nuk i shkelnin’, Yuri Kim, është emëruar nga administrata e Trump ambasadore në Shqipëri. Në vitin 2018 për ata që kanë kujtesë të dobët, në mesin e mandatit tyë Trump.

Madje dhe paraardhësit të saj Donal Lu, ambasadorit që paralajmëroi ditë të vështira për ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës dhqiptare dhe që bashkë me  homologen e BE Romana Vlahutin mbështetën fort iniciativën për miratimin në Kuvend me 140 vota të Reformës në Drejtësi, iu shty qëndrimi në Shqipëri si ambasador po nga administrata e Trump.

Dhe është e kuptueshme që nuk mund të zhbëjë vendimet e veta administrata ‘Trump2’, për të hequr dorë nga mbështetja e reformës në drejtësi në Shqipëri, vetëm e vetëm se ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës shqiptare janë në përballje me këtë drejtësi për zullumet e shumta që kanë kryer gjatë kohës në pushtet. Fundja as Trump vetë nuk mund ta pranojë se në mandatin e tij të parë është ‘tërhequr për hunde’ nga Xhorxh Soros armiku më i madh i tij.

Ndaj derisa t’u dalë ‘pija e fitores’ së Donald Trump në SHBA, këta trumpistët e Shqipërisë duhet të mirëkuptohen dhe të lihen të besojnë se do të përfitojnë. Fundja do të ketë qetësi ky vend të paktën deri pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm kur të shënojnë humbjen e radhës përballë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.

Madje opozita dhe lidershipi i saj duhet të ‘lusin’ Zotin që pasardhësi i Yuri Kim në krye të ambasadës amerikane në Tiranë, i cili do të emërohet me votat e shumicës republikane të Trump, të mos jetë më i ‘egër’ ndaj ‘peshqve të mëdhenj’ se sa Donald Lu e Yuri Kim, pasi përndryshe, nga presioni pozitiv mbi drejtësinë e re për të kryer sipas ligjit e Kushtetues detyrën, Berisha dhe Meta do të jenë në një situatë akoma më të vështirë në të ardhmen. Pasi janë hapur shumë dosje, që mjaftojnë që nëse vertetohen akuzat, të mos e shohin dritën e diellit për shumë e shumë kohë.

Sa për ‘përballjen’ e kryeministrit Edi Rama me Donald Trump, kanë rrjedhur shumë ujra që nga fushata e tij për mandatin e parë për zgjedhjen president i SHBA. Janë takuar dhe kanë dhënë vlerësimet reciproke. Janë dhe elementë të tjerë që shkojnë në favor të një bashkëpunimi shumë të suksesshëm mes tyre. Eshtë dhe historia në mes. Asnjëherë nuk ka rezultuar ashtu sikurse kanë shpresuar Berisha e Meta. Që nga Bushi, Berluskoni e deri te Trump. Shtoni dhe Melonin po të doni, edhe Orbanin, Macronin e Erdoganin. Historia është kokëfortë.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Gjendet i vdekur në burgun grek 37-vjeçari shqiptar, një i dënuari tjetër në gjendje të fikëti

Gjendet i vdekur në burgun grek 37-vjeçari shqiptar, një i dënuari tjetër në gjendje të fikëti