Jakin Marena: Problemi i PD jo vula por Berisha anti-SHBA, e 'rruspat' e SPAK në Lalz

Jakin Marena: Problemi i PD jo vula por Berisha anti-SHBA, e 'rruspat' e SPAK në Lalz

Sali Berisha

Ka një eufori në radhët e Rithemelimit për dhënien e vulës Sali Berishës nga Gjykata e Apelit, duke e rikthyer tashmë këtë element për një parti politike tek ‘pronari’ real i saj.

Duke parë festën, ndonëse modeste tek rrugica përballë pallatit të Berishës në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, disa koka madje ishin të ‘vulosura’ me vulën e PD, të krijohet përshtypja sikur ishte dita e parë e pas zgjedhjeve dhe rezultati kishte ‘vulosur’ fitoren e kësaj partie.

Kishte gëzim tek mbështetësit e Rithemelimit, ndonëse as vetë Berisha sëpaku në publik, nuk përjashtojmë dijeninë e Argitës, nuk e kishte parashikuar një ‘dhuratë’ të tillë të Apelit, që nga gjykimi me themel siç kishte vendosur Gjykata e Lartë për këtë çështje teksa ia delegoi Apelit, kjo e fundit i ra shkurt, shqyrtoi procedurat e gjyqtarit të faktit Zhukri dhe vendosi.

Gjithsesi vula u rikthye te shumica e PD dhe politikisht është tepër korrekte. Tashmë nuk ka më Rithemelim, por Berisha me plot gojën mund ta quajë veten dhe zyrtarisht kryetar i PD. Siç e ka qënë për 34 vite me radhë. Edhe Argita tashmë është pasardhëse e Berishës në krye të PD dhe kjo nuk ka dyshim.

Madje dhe tek Basha sikur janë ‘pajtuar’ me këtë fakt, madje dhe përtej teorive konspirative për një pakt që në krye të herës me Berishën për të ‘pjekur mishin, por që helli të mos digjet”, pra për të qënë koherent me amerikanët nga ana e Bashës që ta përjashtonte Berishën por dhe me ‘babën’ politik që vetëm ta ‘plagoste’ jo ta ‘vriste’ dhe përmes mosveprimit e veprimeve të tjera lehtësuese t’ia rikthente sërish PD atij.

Pas humbjes së vulës, Basha është në dilema, të bëjë parti të re ose të përfshihet brenda PD si fraksion më vete. Për të parën me sa duket nuk ka këllqe. Për të dytën statuti i kësaj partie e lejon. Për më tepër që një ankimim në Gjykatën e Lartë sikurse e përmban ligji brenda 5 ditësh, do ishte një humbje kohe, pasi minimalisht kërkon 10 muaj që të shqyrtohet, ndonëse kishte 3 vite që vula e PD vërtitej nëpër gjykata. Është një kohë e humbur.

Disa deputetë të Bashës kanë nisur lëvizjen drejt Berishës, dhe kanë një argument të qenësishëm, thonë se janë deputetë të PD dhe nuk tradhëtojnë siglën, ngado të shkojë ajo. Eshtë një argument, që kurrsesi nuk mund të hidhet poshtë.

Por që të mbetemi tek vendimi i papritur i Apelit, politikisht korrekt, besojmë se dhe presioni i ushtruar ndaj drejtësisë me të gjitha format, herë përmes sulmeve të drejtëpërdrejta e herë përmes protestave apo dhe kërcënimeve, por dhe ndonjë interferencë miqësore e familjes Berisha me ndonjërin prej anëtarëve të trupit gjykues, hipotetike kjo, mund të kenë ndikuar sadopak në rezultatin e këtij vendimi.

Fundja gjyqtarët e çështjes në Apel e kanë të freskët linçimin që po u bëhet prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm të dosjes së Berishës, të cilëve nuk ka ditë që nuk u formatohet një akuzë e re nga Berisha, duke i quajtur banditë, kriminelë, bandë kriminale e deri grup i struktuar kriminal. Vetë prokurorët e gjyqtarët e posaçëm që merren me dosjet e Berishës, por dhe familjarët e tyre janë vënë nën mbrojtje të rreptë e të përforcuar, për shkak të këtyre kërcënimeve. Pra janë ‘blinduar’ masat e sigurisë për t’i mbrojtur nga Berisha.

Në një vend normal me drejtësi normale vetëm kjo situatë do të ishte tepër penalizuese për familjen Berisha, por këtu jemi në Shqipëri. Ndaj tremben dhe gjyqtarët, përfshirë dhe ata të Apelit, pasi njerëz janë dhe nuk duan të zënë faqet e para të mediave me akuzat ndaj tyre. Nuk duan në linçohen. Në fakt askush nuk do, sidomos me të padrejtë. Por ata paguhen për të pasur këllqe dhe për të bërë drejtësi, madje paguhen dhe mbështeten fort nga qytetarët, të cilët presin mbrojtjen  e këtyre gjyqtarëve.

Me sa duket gjyqtarët e Apelit, ndoshta i janë trembur fiksimit të emrave të tyre në të gjitha mediat, e meqë ‘motori’ i kërkimit ‘google’ i ruan në mënyrë fanatike të gjitha informacionet, emrat e tyre do të mbeteshin dhe pas vdekjes, bashkë me akuzat ndaj tyre. Të padrejta, ama do mbeteshin. Ndonëse kjo nuk i justifikon këta gjyqtarë për të dhënë një vendim të padrejtë, nëse ka qënë i padrejtë vendimi për t’i dhënë Berishës vulën e PD. Ne nuk i diskutojmë vendimet e gjykatave, por dyshimi mbetet. Por ama dyshimi mbetet!

Por ajo që mendojnë është se me kthimin e vulës tek Berisha, nuk marrin fund hallet e PD dhe më gjërë tërë hallet e opozitës, sa për të kaluar në një situatë të tillë euforike sikur tashmë duhet të mendohet vetëm ndarja e ‘portofoleve’ ministrore sepse fitorja mbi Ramën dhe mbi PS është arritur. Nuk ka zgjidhur asnjë gjë në fakt marrja e vulës nga Berisha, pasi Berisha ka qënë dhe është vetë vula e PD. Përkundrazi, e ka majisur dhe më tej situatën tek kjo parti dhe tek opozita në tërësi duke e thelluar më tej ndarjen.

Në krye të herës Berisha por dhe ata që e ndjekin po sillet siç dinë ata të sillen, të ashpër si triumfatorë dhe fitues sikurse e quajnë veten. Pavarësisht se mundën në ‘tavolinë’ Bashën dhe jo Ramën. Kjo ka trembur dhe ata njerëz që janë kundër kësaj mënyre drejtimi të PD, deri dhe për trashëgiminë e drejtimit nga babai tek e bija. Janë trembur dhe ata që kanë qënë mbështetës të Bashës dhe janë kundër Berishës. Ata mbeten kundër Berishës dhe praktikisht, pasi e dinë se dhe sikur nesër të vijnë në pushtet, s’ka asnjë gjasë dhe për shumë vite, janë në rrethin e 17-të të qasjes ndaj pushtetit. Pra janë jashtë tij, sepse konsiderohen si ‘armiq’ të mundur që janë kthyer si ‘fëmijët plangprushës’ tek ‘baba’. Ndaj as që marrin mundimin ta hedhin votën për PD-në e drejtuar nga Berisha.

Janë të mërzitur dhe ata që kanë bojkotuar sidomos zgjedhjet e fundit të vitit të kaluar për pushtetin vendor, teksa në kushtet kur Ramën, Berishën dhe Metën nuk donin t’i votonin, kujt t’ia jepnin votën nuk kishin, qëndruan në shtëpi ditën e votimit. Pra bojkotuan. Dhe nuk janë pak, kanë kaluar shifrën e 250 mijë votuesve neto të PD dhe opozitës.

Janë trembur dhe ata të cilët bashkëpunimin me SHBA, BE e Britaninë e Madhe e quajnë jetike jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për ardhjen e opozitës në pushtet. Pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, pra pa u quajtur faktor prej tyre, askush të mos e mendojë rikthimin në pushtet. Praktikisht Berisha është ‘non grata’ nga SHBA, Britania e Madhe dhe trajtohet si i tillë dhe pa u shpallur dhe nga ana e vendeve të BE e të rajonit. Nuk e qas njeri Berishën dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, ai është i ‘vdekur’ politikisht. Nuk ekziston. Pas kësaj shanset për të ardhur në pushtet janë zero. Sepse partnerët e kanë bërë të qartë, nuk bashkëpunojnë me asnjë parti, jo më një qeveri, që drejtohet nga një ‘non grata’.

Kjo i rikonfirmua nga Uashingtoni dhe këtë të premte, vetëm pak ditë pasi Berisha mori nga Apeli vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Ambasada amerikane në Tiranë është pyetur nga mediat nëse ky vendim i gjykatës ndryshon raportet e SHBA me Sali Berishën dhe grupimin e tij, me një qëndrim të prerë shprehet se: “Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.

Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”.

Çka tregon se tashmë partia më e madhe opozitare trajtohet për faj të kryetarit Sali Berisha ‘non grata’ si e tërë. Këtë shpjegim ka dhe porosia që “të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”. Duke treguar qartë se problemi i madh për PD me ndërkombëtarët nuk është se kujt i takon vula, por lideri ‘non grata’ Sali Berisha.

Por dhe aleatët e PD janë trembur nga rikthimi i vulës tek Berisha me vendim të Gjykatës së Apelit. I pari që është tronditur ka qënë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, dhe ai me halle të mëdha përballë drejtësisë. Metës i iku nga ‘duart’ shansi që të shfrytëzonte mungesën e logos së PD, në mënyrë që Berisha të futej në zgjedhje nën siglën e PL, që do ishte ‘bereqet’ për Metën pasi do të përfitonte maksimalisht nga votat e demokratëve për të futur kandidatët e vet në listat prioritare për deputetë. Praktikisht partia e Metës është në një situatë shumë të vështirë dhe këto vota e ndihmonin, sukurse ndodhi me gjysmën e këshilltarëve që i mori Berishës në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të kaluar.

Por dhe aleatët e tjerë të vegjël janë në dilema të mëdha, pasi e dinë autoritarizmin e Berishës, hijen e ‘non gratës’ që mund të kalojë nga babai tek e bija Argita në krye të PD. Që do të thotë asnjëherë në pushtet. Ndaj kanë nisur të mendojnë aleanca të reja, qoftë dhe me grupe partish të vogla mes vetes. Dashamir Shehi e dha shembullin i pari.

Me këto që përmendëm dhe me shumë te tjera që nënkuptohen, ajo që mund të themi është se problemi në PD nuk ka qënë se kujt i takon vula e kësaj partitie, Bashës apo Berishës. Problemi në PD është vetë Berisha dhe sa të jetë ai në krye të saj, apo të pasohet dhe nga e bija Argita nuk ka asnjë shans që t’i afrohen pushtetit, jo më që të vijnë në pushtet.

Aq më tepër që vendimi i Apelit për t’i dhënë vulën Berishës, i cili po e paraqet si një fryt të qëndresës së tij përmes deklaratave të tipit ‘fati i takon guximtarit’ dhe të tjera si këto, ka bërë që të ‘infektohen’ dhe aktorë të tjerë politikë për të sulmuar drejtësinë. Me mendimin se diçka do të dalë, teksa ‘përfitoi’ Berisha nga ‘qëndresa’ dhe sulmet që i bëri. Këtë po përpiqet të tregojë dhe Meta, nën shembullin e Berishës, po kërcënon Dumanin dhe SPAK.

Ditën e enjte të gjithë e panë sjelljen e tensionuar të kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, që me daljen nga SPAK ku është pyetur për pasuritë e familjes, për transfertat përmes bankave ose jo, lëvizjen e pasurive të patundshme nga një dorë në tjetrën. Sidomos futjen në ‘axhendën’ e SPAK të hetimit të dosjes së Gjirit të Lalzit. Dosje e cila nuk ka në qendër të hetimit vetëm familjen Meta-Kryemadhi, por dhe Sali Berishën e familjen, Flamur Nokën dhe një sërë figurash të tjera të politikës.

Sepse këta pasunarët tanë të bërë me lekë nga arka e shtetit përmes abuzimit me detyrën duan dhe nga tre katër shtëpi, duan të imitojnë njëri tjetrin, t’i bëjnë karshillëk njëri tjetrit kush e ka vilën më të madhe, më luksoze. Madje dhe me palma e pemë dekorative që vijnë nga ajri, banjo për macet dhe të tjera maskarallëqe si këto. Kështu kanë vepruar dhe në Gjirin e Lalzit. Hodhi njëri lekë për të ndërtuar një vilë, dhe pastaj u bë batërdia, ku asnjëri prej tyre nuk e justifikon vënien e kësaj pasurie me rroga shteti. Apo duke shitur qepë në tregun informal.

Me sa duket Altin Dumani dhe SPAK ka nisur ‘rruspat’ në Gjirin e Lalzit, dho jo vetëm. Duke ndjekur paranë siç bëjnë ‘ustallarët’ amerikanë. Mund të jetë nën hetim gjithë vija bregdetare, të gjitha vilat luksoze të ‘elitës’ së politikës, të drejtësisë, të policisë, të gazetarisë. Pa përjashtuar periferinë e Tiranës. Dhe ky është problem tepër i madh për gjithë këtë ‘elitë’ që na ka marrë më qafë për 33 vite me radhë. Pasi mund të hetohen dhe ‘bedelët’ që i kanë formalisht në ngarkim.

Një nga ekspertët e kriminalistikës e dha sinjalin një natë më parë, teksa tha se kanë nisur letrat anonime drejt SPAK për pronarët e vërtetë dhe ‘bedelët’ që i kanë në ngarkim. Madje mësohet se letra anonime në drejtim të SPAK ka dhe për noterët që kanë përpiluar kontratat ‘xhentëllmene’ mes tyre dhe loja është akoma më e madhe se sa duket.

Prandaj themi se problemi i PD s’ka qënë dhe është thjeshtë vula e kësaj partie, por është Berisha që ka mbyllur çdo mundësi bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, çdo shteg rinovimi të kësaj partie dhe opozitës në tërësi. Berisha e trajton PD si pronë të veten. Dhe të trashëgueshme brenda familjes të drejtimit të PD, thjeshtë dhe vetëm për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe jo për misionin për të cilin është krijuar dhe funksionon një parti politike.

Ndaj themi se problemi i PD dhe opozitës në tërësi nuk është vula apo bashkimi pasi dhe të gjithë bashkë një për një nuk e mundin PS e Ramën, por janë dhe ‘rruspat’ e SPAK në Gjirin e Lalzit e në tërë pasuritë e vëna përmes abuzimit me pushtetin. Loja është hapur, presim të reja së shpejti, madje dhe ‘tringëllimën’ e prangave. Këtu do jemi, së shpejti do ua dëgjojmë ‘krismën’./ JavaNews

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale