Jakin Marena: Prokurorët të mbyllin ‘rubinetin’ e sekretit hetimor, po rrezikohen jetë

Jakin Marena: Prokurorët të mbyllin ‘rubinetin’ e sekretit hetimor, po rrezikohen jetë

Është kthyer në trend tashmë zbardhja e plotë në media e dosjeve hetimore, ende pa u mbyllur dhe ende pa marrë udhë dosja për në gjykatë. Por dhe kur është e kopsitur, ajo ka një ‘trajektore’ të gjatë për t’u pranuar si akuzë e vërtetë me prova të pakundërshtueshme, pasi ka avokatë, ka gjykatë dhe jo të gjitha herët merren parasysh të gjitha provat dhe faktet.

Por me gjithë kufizimet, dosjet publikohen të plota në të gjitha mediat pa dallim, dikush në ‘dorë të parë’, dikush duke e ‘vjedhur’ lajmin e duke u vënë referencën nga media ku e ka marrë ose duke i vënë referencën e vet, punë shqiptarësh me një fjalë.

Dhe në fund të herës dosja e tërë hetimore me detaje nga më të panevojshmet, ose me ngjarje kryesore që trondisin opinionin publik, dialogje nga më absurdet të ndërthurura me një gjuhë aspak dinjitoze, nivel i ulët i krimit shqiptar që nuk u ngjit kurrrë në nivelin e mafias siç kanë qejf ta paraqesin disa punëtorë shqiptarë të medias, të gjitha këto janë bruto në dorën e publikut.

I madh dhe i vogël i lexon ato nëpër rrjetet sociale, pasi janë të hapura për të gjithë e secili krijon perceptimin absurd se në këtë vend nuk jetohet më pasi në çdo moment jeta është në rrezik nga këta kriminelë dhe keqbërës për të cilët jeta e njeriut vlen aq ulët deri dhe në 5 milionë lekë.

Dalin në publik madje dhe përgjimet e zbërthyera me aq mund e djersë nga organet ligjzbatuese partnere e ndoshta janë shpërndarë tek mediat më parë se të jenë lexuar dhe nga vetë prokurorët tanë specialë ose jo, duke shkuar pa ‘filtër’ e korrekturë në publikun e gjërë. Ashiqare fare.

Kësaj i thonë në gjuhën e përditshme dhe shkencore ‘rrjedhje informacioni i sekretit hetimor’ dhe akuzat për këtë ‘rrjedhje’ janë nga më të ndryshmet. Herë akuzohen prokurorët, herë akuzohen organet ligjzbatuese të tjera që i kanë dëshifruar apo kanë qënë ‘stacion’ i kalimit të tyre dhe mbi të gjitha akuzohen gazetarët të cilët e kanë hedhur për publikun dosjen e caktuar.

Në krye të herës duhet të themi se ‘lajmësi nuk ka faj’. As me ligj dhe as me kanunin e Lekë Dukagjinit, Labërisë apo të Skënderbeut. Atij i shkon lajmi në dorë dhe që në atë moment ai ka për detyrë ta përcjellë. Në rastin konkret gazetarët kanë për detyrë ta përcjellin në publik, duke e publikuar atë. Në forma të ndryshme.

Nuk kemi asi gazetarësh investigativë që të kapin lajmin ende pa shkuar në prokurori, duke parandaluar një sërë ngjarjesh që mund të ndodhnin. Por që mund të shërbenin dhe si ‘lëndë e parë’ për organet ligjzbatuese shqiptare për të ndërmarrë ndonjë aksion parandalues në rastin më të mirë apo për të shërbyer si indicie për të filluar hetimin penal në rastin e fundëm.

Nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ose rrallë ka ndodhur, kryesisht në planin e denoncimit të korrupsionit të zyrtarëve të lartë apo raste të tjera të dhunës në familje ose jo. Kjo ka qënë ‘target’ i gazetarisë shqiptare, dhe nganjëherë e kanë bërë mirë.

Por në rastin e krimit të organizuar apo korrupsionit e niveleve shumë të larta, është gjetur një rrugë tjetër, gjithsesi shumë efikase dhe fatlume për ata gazetarë që kanë mundur ta arrijnë. Kanë krijuar burime brenda organeve ligjzbatuese dhe nuk marrin pasazhe nga dosja hetimore sa për të krijuar idenë se për çfarë po hetohet, por marrin tërë dosjen, duke publikuar atë të plotë.

Madje dhe pauzat e kollitjet mes frazave të denoncimit të mbyllura në kllapa nga ata që kanë mbajtur shënim dhe kanë zbardhur dëshmitë në prokurori. Pra botojnë pa korrekturë tërë dosjen e hetimit për një kriminel, organizatë kriminale apo zyrtar të lartë, duke ia nënshtruar ‘gjyqit’ të opinionit publik përpara se dosja të hetohet plotësisht nga prokurorët, të kopsitet me të tëra dhe të shkojë në gjykatë për t’i gjykuar dhe dhënë vendimin përfundimtar.

Nuk diskutohet që është prezumuar pafajësia për rastet në fjalë, pasi ende nuk është paraqitur argumenti nga pala mbrojtëse, ende nuk është dhënë dënimi dhe ende nuk është zbardhur i plotë vendimi për ta publikuar në adresën zyrtare të gjykatave shqiptare.

Por gazetari ama ka bërë detyrën, i ka rënë në dorë dosja hetimore dhe ka për detyrë ta publikojë pasi është kulmi i arritjes për një gazetar, i cili lajmin nuk e mban për vete, nuk ia mban zemra ta mbajë, përpos ndonjë ‘druri të shtrembër’ të gazetarisë që mund ta përdorë për përfitime personale të tij apo të ndonjë grupi që e financon. Janë raste shumë të rralla këto.

Megjithatë ekziston në parim një ‘marrëveshje xhentëllmenës’ mes burimit e gazetarit, përpos mosnxjerrjes së burimit, që ka të bëjë me faktin që burimi mund të nënvizojë pasazhet që nuk duhen nxjerrë, pasi dëmtojnë hetimin penal por dhe dekonspirojnë sekretin hetimor. Të paktën, dikur këtë e bënim, duke i qëndruar strikt marrëveshjes, duke ruajtur burimin nga hetimi për nxjerrje sekreti, pasi në mos sot një ditë do të merret vesh nga kanë ‘rrjedhur” sekretet hetimore.

Madje ka dhe marrëveshje për ta nxjerrë lajmin shumë kohë më pas, kur të jenë harruar takimet, apo të jenë harruar fytyrat. Duke i qëndruar besnik idesë që gazetari investigativ të jetë shumë diskret në punën e tij, madje dhe me pamjen e tij, duke e mbajtur veten, ndoshta me stërmundim larg ekraneve, pasi është vështirë të të besohet dhe një takim i thjeshtë jo më të të të japin një dosje hetimore me risk të lartë.

Përpos kur vetë organet ligjzbatuese janë të interesuara ta japin vetë këtë dosje hetimore për publikim.

Ndoshta dhe për ta orientuar hetimin, apo për ta bërë të pamundur dhënien e një gjykimi të drejtë. Pasi ka ndodhur që formulohen akuza për krime të rënda, grup kriminal, dhe i akuzuari pas gjyqit publik që i është bërë, në mungesë të fakteve e provave është dënuar për ‘shpërdorim detyre’.

Madje dhe kjo një akuzë e formuluar nga gjykata jo prokuroria, thjeshtë dhe vetëm për të rrasur në burg zyrtarin, pasi ishte krijuar pritshmëria e lartë publike në ‘gjyqin publik’, pasi duke e ‘nxjerrë pa gjë’, kompromentohej rëndë puna e prokurorisë dhe gjykatave.

I thamë këto për të nënvizuar faktin se gazetarët nuk kanë faj kur arrijnë çastin fatlum të kenë në dorë një dosje të rëndë nga hetimet e prokurorisë, të cilën menjëherë ata e botojnë.

E tha dhe kryeministri Edi Rama se faji nuk është i gazetarit por i atij që ia ka dhënë dosjen dhe hetimi për ‘rrjedhje informacioni’ duhet të fillojë pikërisht aty. “Lajmësi nuk ka faj as me kanun dhe as me ligj”, gazetari ka për detyrë të botojë gjithçka që i bie në dorë, përpos rasteve kur është e ndaluar me ligj dhe cënon sigurinë kombëtare e tërësinë territoriale të vendit.

Për hir të së vërtetës ne jemi populli që konsumojmë më shumë kronikë të zezë jo vetëm në Evropë por dhe më gjërë. Lajme që nuk shohin kurrë dritën e diellit në ndonjë vend tjetër, në Shqipëri janë në çdo minutë të ditës në ekran, media sociale dhe në emisione televizive ku të njëjtat fytyra ‘shetisin’ nga ekrani në ekran duke bërë ‘analiza të thella’, ekspertiza pa qënë ekspertë dhe duke paralajmëruar gjëma të mëdha.

E meqë jemi tek këto të fundit dhe kanë ndodhur në shumicën e herës. Jo se e kanë parashikuar këta “Baba Vangat” shqiptare, por sepse logjika e ngjarjeve, publikimi i të dhënave më detaje të dosjeve hetimore ende pa u mbyllur hetimi, këto të çojnë në krime dhe vrasje. Por dhe në linçime publike për zyrtarë, të cilët kanë hyrë në rrethin e ‘gjykimit publik’ pa hedhur asnjë firmë, pa pasur asnjë lidhje, por vetëm bazuar në dëshminë e ndonjë të akuzuari që ka bërë si i penduar.

Duke e përlyer ndoshta dhe padrejtësisht dhe duke e bërë ‘mace të zezë’ në publik. (Për hir të së vërtetës ‘rrjedhja’ informacioneve duket pak selektive, pasi nuk shohim në media dëshmitë e plota të hetimit të Berishës, Metës apo ndonjë ish zyrtari tjetër të opozitës, por vetëm ato të së majtës në pushtet. Kjo vë në dyshim ‘selektimin’ nga ana e prokurorëve apo mungesën e këllqeve prej gazetarëve që s’guxojnë, dhe hajt t’u biem këtyre socialistëve se janë të butë).

E themi këtë sepse dosjet hetimore përmbajnë dëshmi dhe informacione shumë të detajuara, të cilat janë në proces verifikimi, por që përmbajnë ngarkesa të tilla të forta për familjarët e të dëmtuarve.

Pasi ndoshta një telefonatë mburrëse e përgjuar pa asgjë të vërtetë brenda e ndonjë të riu të pamend, që gjithsesi nuk ëshërben si provë për drejtësinë por si indicie për provë, mund të ketë emra personash të përfshirë deri në skenarë vrasjesh, futjesh në kurth dhe përmes femrave, skenarë lëvizjesh të personave të skeduar, të cilët ‘kërkohen’ njëherësh dhe nga familjarët e viktimave për hakmarrje apo gjakmarrje. Dhe si me ‘magji’ publikimi i dosjes hetimore, e vërtetë apo jo, u hap para syve gjithë skemat dhe gjithë emrat e përfshirë në ‘skenarët’ e vrasjeve të mundshme apo të mbetura në tentativë. Vazhdimi dihet, shihni kronikën e zezë.

Pasi gjithkush e merr me mend se çfarë mund të ndodhë pas kësaj. Personi me të cilin ke pirë kafe ndonjëherë, papritur pas zbardhjes së këtyre dosjeve hetimore, merr vesh se të ka përgjuar vëllain, njeriun e afërt apo vetë ty, për të të lëshuar në pritën e atyrë që duan të të vrasin. Pra zgjerohet shumë rrethi i viktimave të mundshme nga hakmarrjet e mundshme.

Qoftë për trafik droge, qoftë për vrasjet me pagesë, qoftë për vrasjet për hakmarrje apo gjakmarrje. (I nënvizuam këto të dyja, sepse padrejtësisht kur një ngjarje ndodh në Jug quhet hakmarrje dhe i njejti lloj kur ndodh në Veri quhet gjakmarrje. Çështje përceptimi apo kushedi çfarë hajde merre vesh, por Shqipëria një bythe vend është dhe njëlloj jemi, pavarësisht se shumë syresh bëjnë sikur kanë shpikur qytetërimin, në një qytet si Tirana që u bë kryeqytet më 1920 pa qenë as qytet).

Dhe ajo që kemi vënë re pas publikimit të çdo dosjeje hetimore të plotë që ka ‘rrjedhur’ nga organet ligjzbatuese, në shumicën e rasteve ka pasur një ‘sagë’ vrasjesh. Zakoni i shqiptarit, për të mos e ‘pirë kafen nën gju’. Të detyruar dhe nga opinioni për të gjithë ata që janë përmendur në këto dosje hetimore. Janë vrarë dhe për ‘status’ siç e kemi përmendur dhe ndonjëherë tjetër, për të treguar potencë dhe për të mbajtur larg grupet e tjera kriminale, që mungesën e reagimit qoftë dhe kot, e shohin si dobësi e mund të të godasin.

Nuk po përmendim emra, por po të futesh në motorin e kërkimit ‘google’ dhe të njëhsosh kohën e publikimit të dosjeve me emrat përkatës, do të shohësh se ka pasur pas çdo ‘rrjedhje’ informacioni humbje jetësh. Pa diskutim mund të ishin evituar këto ngjarje, nëse prokurorët tanë do kishin ‘shtrënguar’ fort sekretin hetimor për dosjet në fjalë.

Pra ‘rrjedhja’ e sekretit hetimor me publikimin e dosjeve të rënda të krimit me detaje, nuk është vetëm thjeshtë një shkelje ligji por shoqërohet dhe me dyfishim të humbjeve të jetëve. Nuk themi se ata që kanë humbur njerëzit më të dashur nga plumbat e krimit nuk e kanë ditur apo nuk e dinë se kush janë ekzekutorët. Të jemi të sinqertë.

I dinë si dreqi, madje i dinë dhe më parë se organet ligjzbatuese. Por ama publikimi i këtyre emrave në media dhe bërja publike e tyre, krijon një reaksion më të fortë dhe më të shpejtë. Reagimi është i pashmangshëm, madje dhe i sforcuar që mund të marrë dhe jetë të pafajshme.

Ndaj është më e udhës që organet ligjzbatuese të mbajnë fort sekretin hetimor, të godasin të gjithë ata që shkaktojnë ‘rrjedhjen’ e këtij sekreti hetimor. Gazetarët s’kanë faj. Ndërsa kriminelët që shtojnë dozën e vrasjeve për hakmarrje ose jo, janë që në krye të herës fajtorë për marrjen e jetës së tjetrit, kur ligji i ka të gjithë elementët e duhur për të dënuar fajtorët. Por ama vetëgjyqësia nxitet, dhe nxitet fort madje.

 Ndaj duhet mbyllur sa të mundet ‘rubineti’ i zbardhjes së dosjes hetimore si e tërë ende pa u kopsitur hetimi, ende pa u dhënë vendimi. Jemi vonë por ama, më mirë vonë se kurrë.

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale