Jakin Marena: Salianji në burg, tremben Berisha e Meta, erdhi radha?!

Jakin Marena: Salianji në burg, tremben Berisha e Meta, erdhi radha?!

Ervin Salianji

Gjykata e Apelit vendosi të lerë të fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë për dënimin e deputetit të PD Ervin Salianji me 1 vit burg për ‘Babalen’ e famshme.

U mundua fort Salianji që ta shtyjë sa më gjatë qëndrimin jashtë qelisë së burgut, ku e kishte marrë rrugën me kohë e me vakt pas verifikimit të skandalit të përgjimit që tashmë rëndom quhet “Babale”, përgjim i cili rezultoi i rremë dhe që u verifikua si një imitim mirëfilli.

Madje që në momentin e bërjes publike të përgjimit-imitim të Geron Xhafajt, mendjet e ftohta e kishin paralajmëruar Salianjin se po përdorej keq nga kupola e PD për të goditur ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj dhe se do të përfundonte në pranga. Por Salianji vazhdoi.

Vetëm kur e pa se problemi ishte shumë serioz, pasi skandali mori përmasa të mëdha, teksa u vertetua nga drejtësia bazuar në ekspertizën e institucioneve të specializuara se ‘zëri’ i vëllait të ish ministrit të Brendshëm ishte ‘zë’ i imituar, Salianji filloi t’i shmangej drejtësisë duke mos u paraqitur në seanca, duke synuar shtyrjen e tyre herë me mungesën e tij e herë me atë të avokatit.

Derisa erdhi momenti që pikërisht ditën e enjte, gjykata e Apelit do të linte në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë që kishte dënuar me 1 vit burg Salianjin. Pikërisht ata gjyqtarë që muaj më parë i kishin dhënë përmes një ‘guximi të pashoq’ siç i cilësonte asokohe Berisha, vulën dhe logon e PD pikërisht Sali Berishës, dhe dënuar Lulzim Bashën me endje rrugëve dhe nëpër dyert e botës pa parti dhe pa seli.

Pavarësisht kërkesave të grupit parlamentar të PD në drejtim të kryetares së Kuvendit për të mbledhur Komisionin e Mandateve dhe frenuar sipas kreut të grupit të PD zbatimin e këtij vendimi të padrejtë gjë që s’kishte gjasa të ndodhë pasi me vendim të formës së prerë të Apelit nuk ‘pi ujë’ mandati i deputetit, pavarësisht se fill pas vendimit të gjykatës që la në fuqi vendimin me burg për Salianjin, strukturat dhe forumet e PD vendosën dhe u zotuan për protesta masive deri në mosbindje civile përmes bllokimit të rrugëve, porteve, europorteve dhe shkollave, vetë Salianji qëndroi në sellinë e PD duke pritur kohën limit të arrestimit. Duke bërë letra e duke dhënë konferenca shtypi teksa deklarohet se është i dënuar politik.

Për më tepër që deputeti i PD, të cilit i ndërpritet mandati dhe kuvendi do shpallë vakancën për zëvendësimin nga KQZ me emrin e radhës nga lista e PD, ka zhvilluar takimet e ‘lamtumirës’ me kreun e grupit të PD Gaz Bardhi dhe nënkryetarin demokrat Agron Gjekmarkaj. Pra, është përgatitur shpirtërisht dhe moralisht për ta bërë atë vit burgu, në një nga qendrat e vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Anipse grupi parlamentar vendosi të mos e ‘zorëzonte të gjallë’ Salianjin, duke u ngujuar për 24 në selinë e PD. Pra duke kërkuar që Salianji të bënte dhe një gabim të dytë, t5ë mos zbatonte vendimin  e formës së prerë të gjykatës së Apelit.Gjë të cilin ai e refuzoi. Kaq mend i kanë mbetur dhe pas kësaj tronditjeje që i solli vendimi për 1 vit burg.

Por dhe gjyqtarët dhe organet ligjzbatuese e ‘kursyen’ goxha Salianjin, pasi nëse do zbatohej standardi si me ish ministrin Saimir Tahiri, ai do ta kishte kaluar natën e parë në qelitë e paraburgimit. Por gjykata i dha mundësinë deputetit të PD Salianji që të bënte një ‘xhiro’ në të gjitha ekranet televizive, dhe te Grida Duma kuptohet, të linte ‘amanetet’ dhe të premtonte takim me publikun pas një viti, duke lënë dikë të hidhëruar dhe dikë të gëzuar për arrestimin e tij.

Dhe meqë jemi te ndjesitë që ka lënë brenda kupolës së PD burgu i Salianjit, ia vlen të theksojmë se mendimi ynë është që përjashtohen të gjitha teoritë konspirative që sollën këtë vendim. As ka pasur ‘dorë’ qeveria dhe as ka pasur ‘dorë’ Berisha në dënimin e Salianjit sikurse e theksojnë teoricientët e përhershëm të këtyre ‘thagmave’ që zënë vend dhe në mediat sociale.

Për hir të së vërtetës zvarritja nga Apeli i vendimit për Salianjin ishte bërë aq proverbiale dhe njëherësh aq bajate, sa as gjyqtarët dhe as vetë Salianji nuk kishin ku të kapeshin më për ta zgjatur dhe më tej në kohë marrjen e këtij vendimi. Madje nuk kishin si e shmangnin më, pasi ishin bërë ‘barcaletë’ dhe po tregoheshin me gisht për degjenerimin e një procesi gjyqësor dhe për pasojë dhe për vënien në rrezik të rëndë të integritetit të drejtësisë së re shqiptare.

Pra e dhanë këtë vendim, pasi nuk kishin si ta shmangnin, sepse vepra penale e “Babalës’ nuk ishte thjeshtë një vepër penale e dënueshme, por ishte në kufijtë e një skandali e një precedent tepër i rrezikshëm në Shqipëri, pasi mund të krijohej ‘trendi’ që përmes imituesve mund të ngarkonin me akuza këdo që mund t’i shihte shtrembër apo për qëllime mirëfilli politike.

A përfiton gjë politikisht PD e opozita nga vuajtja e dënimit me burg të Salianjit për “Babalen”?

Nuk është e vështirë të bëhen disa llogari të vogla. Salianji si me shkop në dorë krah Bashës për mbrojtjen e godinës së PD nga ‘intervenimi’ i Berishës më 8 janar, si pas kapërcimit të ‘ylberit’ nga Basha te Berisha si dhe tendenca për të bërë ‘skifterin’ e Berishës në Kuvend apo studio televizive, nuk ka lëvizur asnjë gram mbështetjeje në favor të PD.

Në të dyja herët, si me Bashën ashtu dhe me Berishën nuk ka ngritur asnjë votë në favor të demokratëve. Pra ka qënë dhe është një politikan pa shumë peshë në PD, si gati të gjithë aty në PD me Berishën kryetar, dhe si të bëjë burg, si të sillet nëpër Shqipëri në emër të PD, njëlloj është. Aq më tepër që të pretendojë për ndonjë lidership të PD në periudhën post-Berisha apo të jetë kandidat për kryeministër sikurse kanë nisur t’i japin nota humori prezencës së Salianjit në politikë.

Nuk do ‘lirojë’ as ‘lakun’ e drejtësisë rreth qafës së Berishës, Metës e familjarëve të tyre dënimi i Salianjit, me ‘tërheqjen’ pas vetes të vëmendjes së mediave, publikut apo dhe politikës, pasi nuk ka ndodhur as ka për të ndodhur një gjë e tilllë. Nëse do të tregoheshim cinikë dhe ta pranonim për një moment këtë fakt, kjo do të ishte kryesisht në favor të drejtësisë së re, kryesisht SPAK që në mënyrë të qetë të vijonte me kopsitjen e dosjeve të rënda në ngarkim të Berishës, Metës apo dhe zyrtarëve të tjerë në të dyja krahët e politikës. Por tërheqja e vëmendjes nuk ka ndodhur dhe treguesi më i qartë i këtij fakti është prezenca e Argita Malltezit çdo ditë në media në mbrojtje të babait ish kryeministër si dhe bashkëshortit, të cilët janë të pandehur nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave përmes aferës së “Partizanit”.

Për hir të së vërtetës burgosja e Salianjit ka ndikuar në humorin e lidershipit të opozitës, të cilët janë nën hetim nga SPAK për një sërë veprash penale që akuzohen se i kanë kryer gjatë ushtrimit të pushtetit në emër të PD dhe aleatëve të saj gjatë tërë këtyre viteve.

Berisha e ka firmosur dosjen për marrjen si i pandehur nga SPAK, po ashtu dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, dhe në rastin më të mirë gjykata kur të gjykojë dosjen e përgatitur nga SPAK, nëse e gjen të fajshëm, mund ta dënojë në minimumin e ‘segmentit’ kohor të vuajtjes së dënimit të parashikuar në ligj 4-12 vit burg. Jamarbri mund të dënohet më tepër, pasi ka dhe pastrim parash si akuzë.

Berisha ka gati në kopsitje dhe dosjen e ’21 janarit’ me pasojë vrasjen nga Garda e Republikës të 4 demonstruesve të opozitës në mes të buklevardit më 21 janar 2011, ka aferën e CEZ-DIA, hetimin e pasurisë me themel, i kanë dalë shtëpi familjarëve të tij në të gjitha kryeqytetet e Evropës e deri në Turqi, si dhe përfshirjen e tij e të fëmijëve të tij në biznesin e përgjakshëm të “Gërdecit”, nga shpërthimi i të cilit humbën jetën 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Janë dosje tepër të rënda këto, që paralajmërojnë shumë vite burg, nëse vertetohet fajësia e ish kryeministrit demokrat dhe mbi të gjitha nëse ka këllqe drejtësia e re. Janë dhënë detaje në dosjen e hetimit të SPAK për “Partizanin” shumë të detajuara që tregon se ka vërtetë një hetim serioz, dhe për pasojë pritet të ketë një vendim shumë serioz nga gjykata mbi bazën e këtyre provave e fakteve serioze.

Njëjtë dhe kreu i partisë së Lirisë Ilir Meta. I cili po hetohet për pasurinë, për lobimin në SHBA, ku përmes ndjekjes së parasë kanë dalë komunikime, transferta dhe elementë të tjerë penalë, që sollën madje dhe divorcin e tij me bashkëshorten Monika Kryemadhi, pasi Meta dyshon se ajo e ka shitur tek SPAK. Nuk është marrë i pandehur akoma por pritet nga dita në ditë që të ndodhë, e dallueshme kjo me ‘sy të lirë’, dhe nga gjuha e ashpër që Meta, ashtu sikurse Berisha përdor kundër SPAK dhe kreut të tij Altin Dumani.

Pra dënimi me burg i deputetit Salianji për një vepër penale shumë më të lehtë se sa ato për të cilat akuzohet dhe është marrë i pandehur  Berisha apo po hetohet Meta, ka trembur seriozisht dyshen drejtuese të opozitës. Pasi ‘akulli u thye” nga ana e drejtësisë së re, e cila deri më tani ka dhënë vendime me burg vetëm në ngarkim të ish ministrave, ish deputetëve dhe ish kryetarëve të bashkisë, përfaqësues të PS të gjithë.

‘Radha’ me sa duket ka ardhur dhe për Berishën e Metën, të cilët në deklaratat e tyre në mbrojtje të Salianjit, më shumë se sa vendosmëri për të dalë në krah deputetit të PD, po tregojnë frikë për fatin e tyre përballë drejtësisë, por dhe fatin e tyre politik, më pak se një vit para ditës së zgjedhjeve parlamentare të 2025. Pasi nuk e dinë nëse do të votojnë nga qendrat e votimit, apo do t’ju shkojë kutia e votimit në shtëpi apo në qeli, nëse do jenë nën arrest. 

Prandaj dhe Berisha tentoi të bënte një provë gjenerale këtë të shtunë me ‘mosdorëzimin” e Salianjit dhe ngujimin e deputetëve në seli. Ishtë një ‘identikit’ i situatës që mund të ndodhë kur policia të paraqitet me vendimin e gjykatës në dorë për Berishën. Salianji e refuzoi kundërshtinë ndaj vendimit të Apelit dhe vendimin  për ngujimin e deputetëve të PD në seli, duke u dorëzuar në policinë e Tiranës e me shumë gjasa do jetë banor i burgut të Fierit. Dhe votues i Gaz Bardhit, pasi Gazi është emëruar drejtues politik i PD për qarkun  e Fierit.

Në fund të herës dënimi i Salianjit tregoi se drejtësia tani nuk sygjestionohet më nga politika, sado të dhunshëm të tregohen liderët politikë ndaj saj. Dhe kjo është arritje për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Xh.K/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mafmut Rexhep Bule Leka [ kepi ]: 27/09/2024 19:27

    Futja e Sali Bajgēs nē burg dhe e Ilir Metēs nē burg ēshtē çlirimi i dyt i Shqipris dhe shqiptarve. E marja e pasuris qē kta dy monstra kan vjedhur e tju kthehet popullit do tē jet njē gjē e jashtēzakonshme. Rroft Shqipria rrofshin shqiptarēt kudo qē jan.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Polonia do ta pezullojë përkohësisht të drejtën për azil

Polonia do ta pezullojë përkohësisht të drejtën për azil