Jakin Marena: SPAK i afron ’21 janarin’ në prag, Berisha ‘lidh shkurt’ PD-në

Jakin Marena: SPAK i afron ’21 janarin’ në prag, Berisha ‘lidh shkurt’ PD-në

Sali Berisha dhe foto nga 21 Janari

Sali Berisha e kishte parashikuar, në mos kishte informacion të detajuar, se hetimi nga ana e SAPK-ut i ngjarjes tronditëse të 21janarit të vitit 2011 ku Garda e Republikës ekzekutoi katër protestues të opozitës së atëhershme socialiste me duar në xhepa para kryeministrisë, kishte mbërritur në pragun e derës së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Prandaj lënien në fuqi nga Gjykata e Apelit e dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit nga Gjykata e Shkallës së Parë, heqjen e mandatit të deputetit dhe dërgimin e tij në qeli në burgun e Fierit e pa si një ‘dhuratë’ të rënë nga qielli. Ishte e volitshme për të në këtë situatë.

Dhe kur Berisha ka brenda interesin e vet personal, këto lloj ‘dhuratash’ në fakt i shpik, ndërkohë që kur i vijnë vetë nuk i lë të bien në tokë. Eshtë në hall të madh Berisha familjarisht përballë drejtësisë dhe është gati të kapet edhe pas fijes së barit duke mos lënë rast pa shfrytëzuar për të hequr sadopak vëmendjen nga akuzat në ngarkim të tij, për dosjet që janë nën hetim ose që janë të kopsitura më në fund nga SPAK, siç është dhe rasti i aferës familjare “Partizani”.

Kështu që Berisha e përdori burgosjen e Salianjit për të radikalizuar situatën në Kuvend e rrotull tij, një ‘test force’ ky për ta përdorur më pas kur të jetë në të njejtën situatë vetë ai e familjarët e tij, përballë drejtësisë dhe përballë zgjedhjes së qelisë së burgut, në Reç të Shkodrës, në Fier, në Rrogozhinë apo dhe në Korçë. Duket se ka informacion të plotë për këtë, ndaj i është ‘fikur’ dhe zëri.

Prandaj, sikurse dhe e kemi theksuar më parë, Berisha nuk ngurroi të bënte “provën gfjenerlae” në Kuvend, ku deputetët ithtarë të tij të kryesuar nga Flamur Noka por dhe ata që janë në hall për një vend të sigurtë në listën e sigurtë e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të kryesuar nga Gazmend Bardhi, shkaktuan kaos në seancën Parlamentare.

Arritën deri atje sa dhe Gaz Bardhi të bënte të pamenduarën, përdori forcën dhe qëlloi kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali me sende të forta. Ndërkohë që morën karriget e Kuvendit, i mblodhën kapicë para derës së Parlamentit, i spërkatën me benzinë dhe u vunë flakën. Veprime këto që sollën dhe dënimin  e 24 deputetëve të PD me përjashtim nga seancat nga 10 deri në 60 ditë dhe u vunë në kurriz për të paguar faturën e karrigeve të djegura dhe dëmeve të shkaktuara.

Nga ana tjetrër Berisha urdhëroi strukturat e forumet e PD që të vendosin thirrjen e një proteste sipas tij kombëtare për të protestuar kundër dënimit me burg të Salianjit nga ana e Apelit, kërkesë që e përsërit sa herë komunikon me publikun, duke bërë thjirrje për pjesëmarrje sa më të gjërë ‘për rrëzimin e qeverisë së Ramës dhe ngritjen e një qeverie teknike’.

Se si e lidh vendimin e gjykatës për burgosjen e Salianjit për “Babalen” me protestën e opozitës në shesh kundër qeverisë po për burgun e Salianjit bashkë me dhunën  e deputetëve të PD në Parlament, vetëm Sali Berisha dhe ithtarët e tij mund ta shpjegojnë. Ndonëse deri më tani s’ia kanë dalë.

Nëse kanë konteste për dënimin me burg të Salianjit nga ana e Apelit, atëherë të guxojnë dhe të protestojnë përballë gjykatës së Apelit, dhe SPAK-ut po të duan, përballë ndërkombëtarëve që mbështesin drejtësinë e re. Por të shkatërrosh sallën e Parlamentit, duke i vënë flakën, të paralajmërosh protestë të dhunshme me bllokim rrugësh dhe institucionesh, nën etiketën e mosbindjes civile dhe përpjekjeve për rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike, thjeshtë dhe vetëm pse Apeli la në fuqi dënimin me 1 vit burg të Salianjit, kjo shpjegohet vetëm me faktin se ky është një vendim i një njeriu në hall tepër të madh siç është Berisha, për të ‘kopsitur’ lajthitje të tilla politike dhe njerëzore.

Që nuk i kërcet fare Berishës për Ervin Salianjin, jo vetëm shqiptarët por dhe demokratët më të thekur e ithtarë të Berishës e dinë fort mirë. Jo se e rrezikon Salianji, por ish deputeti i shërben Berishës me mirë në burgun e Fierit, sesa duke lëvizur nëpër Tiranë apo duke bërë fushatë në Elbasanin e lënë ‘vakëf’ për PD-në nga Gaz Bardhi që zgjedhjet e kaluara ku u vra veprimtari i PS Pjerin Xhuvani, ndërsa Salianji vijon të mbetet i ‘deleguari i nderit” i PD për fushatën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Term i ri ky i shpikur nga Berisha dhe përqafuar fort nga masa e deputetëve që Berishën e shohin si njeriun që vendos për mandatin e tyre të deputetit në katër vitet e ardhshme. Çfarëdo që të hedhë Berisha përpjetë nga ballkoni, ata do ta kapin në ‘ajër’!

Për hir të së vërtetës ngritja e kësaj ‘infrastrukture’ dhune nga ana e Berishës për rastin “Salianji” i ka shërbyer atij jo vetëm si ‘provë gjenerale’ për të parë se si do ta presin demokratët dhe shqiptarët një arrestim të mundshëm me burg në qeli të tij për dosjet e rënda që janë nën hetim nga SPAK në ngarkim të tij, por dhe për të parë se sa mbështetje ka ai brenda grupit të PD, strukturave të PD dhe demokratëve në protestën e ditës së hënë. E cila erdhi tashmë.

Nga ana tjetër duke shpikur këto situata të dhunshme, duke i nxjerrë jashtë vetes dhe deputetët më paqësorë të PD, Berisha kërkon që t’i lidhë fort pas vetes dhe me fatin e tij familjarisht tragjik para drejtësisë si i akuzuar për vjedhje dhe abuzime me pushtetin.

Pra e thënë në gjuhën popullore, Berisha i ka ‘lidhur shkurt’ deputetët dhe strukturat e PD pas ‘gardhit’ të tij të halleve me drejtësinë, thjeshtë dhe vetëm që të qarkojnë vetëm rreth ballkonit të tij dhe maksimumi deri tek paraburgimi në një rast të mundshëm të prangosjes për “Partizanin” apo më shumë për ’21 janarin’, dosje e cila është në përfundim tashmë. Duke mos lënë asnjë hapësirë për askënd në PD që të mendojë jashtë halleve të tij dhe familjes Berisha me drejtësinë.

Ndërkohë që për ndonjë rezultat më të mirë se sa në zgjedhjet e fundit për PD dhe opozitën as që mendohet.  Jo vetëm që opozita është copë copë, jo vetëm që opozita është kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA, BE e Britania e Madhe dhe pa këtë mbështetje as që mund të mendohet ndonjë rezultat më pozitiv së më 2021, por dhe vetë Berisha e pasuesit e tij në çdo dalje publike e bërtasin me zë të lartë humbjen, teksa e kanë bindur popullin demokrat se me Edi Ramën nuk fitohet.

Pavarësisht ‘mbështjelljes” me akuza kundër Edi Ramës që i bëjnë kësaj deklarate kapitulluese dhe demotivuese, por që paralajmëron humbjen e radhës. Madje të thellë.

Se përse acarohet Berisha, paralajmëron mosbindje civile dhe lutet për mbështetje, gjithkush e kupton teksa ndjek lajmet që vijnë nga SPAK e drejtësia e re. Një nga një dosjet janë në kopsitje, që nga Partizani’, duke vijuar me “Gërdecin”, hetimin e pasurisë së familjes Berisha që ka blerë banesa në të gjitha kryeqytetet e Europës dhe Turqi, e deri tek hetimi intensiv i ’21 janarit’.

Kanë zbarkuar me prova të reja gazetarë bashkë me kasetat e përgjuara të komunikimit të Gardës me strukturat eprore ku jepej urdhëri për të vrarë protestuesit, dhe urdhëri vinte nga shumë lart pra nga Berisha, e deri tek thirrja për të dëshmuar në SPAK e figurave të tjera, pa përjashtuar këtu dhe ish gardistët e asaj dite që ishin në aksion për mbrojtjen e Kryeministrisë.

Prandaj themi se është acaruar shumë Berisha, i cili po bën gjithçka vetëm e vetëm që të vonojë përballjen me drejtësinë, madje dhe duke kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët. Ndaj shfrytëzon Salianjin, strukturat e PD, popullin demokrat që ta ketë ‘non stop’ në shërbim të tij dhe të halleve të tij me drejtësinë. Duke e ‘lidhur shkurt’ PD-në, vetëm në koordinatat e hallit të tij, këtu në Tiranë, rreth banesës së tij në bakkonin e të cilës del në ballkon përnatë e ligjëron.

SPAK i ka afruar tek pragu i shtëpisë së tij ’21 janarin’, për ta përballur me 4 viktimat, urdhërin ndaj Gardës për të qëlluar, përpjekjeve për të zhdukur provat, presionin ndaj drejtëësisë së asaj kohe. Por për ta përballur dhe me deklaratat mburrëse nëpër televizione se ‘mund të vriste dhe 300 të tjerë nëse kalohej gardhi i kryeministrisë’ apo të tipit ‘në tarracën e kryeministrisë ishin 5 snajperë që u kisha dhënë urdhër të qëllonin në kokë Edi Ramën nëse kalonte gardhin”.

I janë mbledhur të gjitha, dhe për të cilat do japë llogari. Ndaj është tërbuar dhe kërkon tensionim të situatës, por dhe ua mban shtrënguar lakun deputetëve e stukturave të PD, në këmbim të copë mandati deputeti.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Takmaku: 05/10/2024 21:03

    Zoti hetus Gjini asht I pafajshem????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    9 Nëntor, 11:21

    A ju duken të sigurta kushtet e rrugëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Milani 'ndalet' nga Alen Sherri, barazim i 'çmendur' 3-3 në Sardegna

VIDEO/ Milani 'ndalet' nga Alen Sherri, barazim i 'çmendur' 3-3 në Sardegna