Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përfundoi sot vizitën katërditore te familja e tij në Prishtinë. Në video, ish-zëdhënësi i UÇK-së shihet teksa përshëndetet mes lotësh dhe përqafimesh me familjarët. Djali i tij, deputeti Altin Krasniqi, e priti te dera e shtëpisë për ta përshëndetur i fundit, ndërsa familjarët e tjerë e përshëndetën nga ballkoni.
Krasniqi erdhi në Kosovë për të takuar bashkëshorten, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Vizita u miratua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Për katër ditë me radhë, ai kaloi nga disa orë në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës.
Krasniqi u largua nga banesa me automjetet e EULEX-it për tu kthyer në Hagë. Pranë shtëpisë ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me kufizime në takimet me të afërmit. Vëllai i tij, Daut Krasniqi, tha se nuk arriti ta takonte dhe se nuk iu lejua t’i afrohej shtëpisë. Sipas tij, familjarët druheshin se një përpjekje për t’iu afruar mund të sillte ndërprerjen e vizitës.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, reagoi në Facebook, ku i cilësoi padrejtësi trajtimin e Krasniqit dhe të ish-bashkëluftëtarëve të tij në Hagë, si dhe kufizimet në takimet me familjen.
“Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti që atij nuk po i lejohet as liria më elementare njerëzore, të takojë lirisht familjen e tij, madje as vëllezërit e tij”, shkroi Gucati.
Kjo ishte vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që prej arrestimit në nëntor të vitit 2020. Më 10 tetor 2024, ai erdhi pas vdekjes së vëllait të tij, Azem Krasniqi. Gjatë asaj vizite, ai takoi familjarët dhe shkoi te varri i të vëllait në Negroc të Drenasit.
Krasniqi mbahet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykata Speciale e dënoi në shkallë të parë me 25 vjet burg për krime lufte. Në të njëjtin proces u dënuan edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ekipet mbrojtëse të të katërve pritet ta apelojnë vendimin.








Komente
Komento