'Jam në formë të jashtëzakonshme', Calja premton historinë për Shqipërinë: Në Olimpiadë për medalje, për doping mos kini frikë
Briken Calja për Report TV premton se në Tokio do ti sjellë Shqipërisë medaljen e parë në Lojrat Olimpike. Ai thotë se gëzon një formë të jashtëzakonshme, ndërsa siguron se në rast triumfi nuk do të ketë frikë për doping.
Ernest Koçi 14 Korrik 2021, 13:11 | Përditesimi: 14 Korrik 2021, 17:05
Për herë të parë në histori Shqipëria shpreson të marrë një medalje në Lojrat Olimpike që nisin me 23 korrik dhe këtë barrë të rëndë e ka mbi supe Briken Calja, peshëngritësi kampion Europe në stilin e shtytjes.
“Unë jo më kot flas që jam afër medaljes sepse rezultatet janë të matshme, nuk është vetëm një dëshirë e Brikenit. Normalisht që dëshira është shumë e madhe për t’ia dalë dhe konkurentët i njoh. Gara do jetë një ndër më të fortat e peshëngritjes për t’u ndarë medaljet. Do jenë 6 shtete, që janë superfuqi, që do ndeshen për këto medalje. Unë gjithsesi gëzoj një formë të jashtëzakonshme dhe do ia dalë më së miri,”-tha peshëngritësi.
Për Briken Calen, i cili është kualifikuar me normë dhe jo me ftesë, kjo do të jetë hera e tretë që merr pjesë në Lojrat Olimpike.
“Në 2012 unë kam marrë kualifikim dhe po ashtu në 2012 kam marrë vendin e gjashtë, që është një ndër rezultat më të mira në historinë shqiptare. Në 2016 kam zënë vendin e pestë, i barabartë me të katërtin për shkak të peshës trupore. Pra edhe më herët kam qenë afër podiumit,”-u shpreh ai.
Calja, i cili më herët është shpallur edhe kampion i trefishtë i Europës, iu heq shqiptarëve edhe një merak:
“Mos të harrojmë që vetëm këtë vit kam 10 kontrolle të befasishme nga ËADA. Pra vijnë kur të duan ata. Edhe në kohën e pandemisë kam bërë mbi 10 kontrolle. Në 2019 kam bërë mbi 20 kontrolle. Pra rrini pa merak se kjo pjesa e dopingut Brikenin nuk e frikëson aspak.”
Në Olimpiadën e Tokios Shqipëria do përfaqësohet me 7 sportistë, ndërsa vetëm peshëngritja ka dy.