Nga dita e fundit e vitit 2025 deri më datë 2 janar priten temperatura të ulëta, ndaj për këtë arsye shërbimi i Ujësjellës Kanalizimeve në Vlorë ka dalë me një njoftim zyrtar për qytetarët lidhur me mirëmbajtjen e matësve.
Për të gjithë matësit e ekspozuar apo të vendosur në ambientet e jashtme të objekteve, rekomandohet izolimi i tyre me materiale kundër ngricave. Ndër të tjera, rekomandohet që të mos lihet uji të rrjedhë në momente kur nuk është e nevojshme.
Për çdo problematikë, AKUV kërkon raportim pranë shërbimeve përkatëse.
“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, në kuadër të informacionit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), bazuar në informacionin e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) mbi parashikimin e motit për datat 31.12.2025 deri në datën 02.01.2026, njofton se priten temperatura të ulëta, të cilat mund të shkaktojnë ngrirje dhe dëmtime të kontatorëve matës që janë të vendosur në ambientet e jashtme të objekteve.
Në këtë kuadër, këshillojmë konsumatorët të zbatojnë këto masa mbrojtëse:
Ujëmatësit që janë të ekspozuar ndaj të ftohtit të izolohen dhe të mbulohen me materiale mbrojtëse kundër ngricave.
Të mbyllen hapjet nga ku mund të depërtojë ajri i ftohtë.
Të mos lihet uji të rrjedhë vazhdimisht pa nevojë.
Çdo dëmtim apo parregullsi të raportohet menjëherë tek shërbimet e Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë.
Faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj!”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.
Vetëm ditën e djeshme në Vlorë rinisi furnizimi me ujë pas 4 ditësh problematikë. Shkak për ndalimin e ujit ishte dëmtimi i shkaktuar në një prej tubacioneve kryesore të ujësjellësit. Qeveria mori nga Turqia pjesët e nevojshme për të rikuperuar problemin. Ndërprerja e furnizimit me ujë nxiti nervozizëm të madh dhe protesta tek qytetarët.
Komente










