FIER - Zv.ambasadori amerikan në Shqipëri, Henry Jardine ka zhvilluar dje një takim me kryetarin e bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj dhe drejtues të PS lokale. Jardine, i shqetësuar mbi procesin parazgjedhor në Shqipëri dhe konkretisht në Fier, qark që është zgjedhur si pilot për numërimin elektronik, ka kërkuar, po ashtu të dijë më shumë për manipulime të mundshme me listat, presionet politike ndërpartiake apo parregullësi të tjera serioze që mund të dëmtojnë procesin e votimit dhe të numërimit.

Këto çështje morën përgjigje nga dy kryetarët e Partisë Socialiste, Xhevit Bushi, kryetar i PS të rrethit Fier dhe Andius Olldashi, kryetar i PS së qytetit të Fierit. Ndërkaq Bushi me këtë rast ka informuar diplomatin amerikan se maxhoranca qeverisëse po përdor njerëzit me probleme të theksuara sociale e ekonomike, siç janë romët, për të bërë abuzime me listat zgjedhore.

“Kemi raste shokuese, ku romët po përdoren keq në këtë drejtim. Vetëm në Fier janë mbi 200 romë që janë të regjistruar në Fier, nëpër qendrat e tyre të votimit, por po ashtu i kanë çuar para pak ditësh me autobus për regjistrim edhe në Tiranë. Kjo është një shkelje flagrante”,ka thënë Bushi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)