IRAN - Jasir Asani ka mohuar spekulimet për një largim të mundshëm nga FC Esteghlal gjatë kësaj merkatoje. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka konfirmuar se do të vijojë aventurën e tij në Teheran, duke theksuar se nuk ka asnjë plan për t’u larguar nga klubi iranian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Asani iu drejtua drejtpërdrejt tifozëve të Esteghlalit, duke kërkuar mbështetjen e tyre për pjesën e mbetur të sezonit dhe duke garantuar përkushtimin e tij maksimal.
“Tifozë të dashur dhe besnikë të Esteghlalit, që nga dita kur mora ofertën e këtij klubi ndjeva pasionin dhe entuziazmin tuaj. Zgjodha Esteghlalin me gjithë zemër për të luftuar për sukses përkrah jush. Ditët e fundit kam dëgjuar thashetheme për largimin tim, por e vërteta është se kam folur me trajnerin dhe i kemi premtuar njëri-tjetrit se do të luftojmë së bashku për objektivat tona”, shkruan Asani.
Futbollisti shqiptar shton se dëshira e tij është të qëndrojë në klub deri në arritjen e një suksesi të madh.
“Jam këtu për dashurinë tuaj dhe nuk do të shkoj askund. Vetëm Esteghlal”, përfundon ai.
Asani po kalon një sezon pozitiv me skuadrën iraniane, teksa ka realizuar 11 gola në 24 paraqitje, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit. Një largim i mundshëm i Asanit u lidh edhe me trazirat, vrasjet dhe burgosjet që përfshinë Republikën Islamike në javët e fundit.
Komente









