Përgjigjja më e thjeshtë për pyetjen se si do të gjendet Kosova në këtë valë ndryshimesh tektonike që po lindin me fundin e botës së ndërtuar si projekt amerikan i multilateralizmit, është se Kosova është shtet evropian.
Kjo është premisa e parë e thjeshtë, konstatim gjeografik që përcakton pikënisjen e shtjellimit gjeopolitik për çfarëdo analize në kuptimësimin e vendit që e ka Kosova në formësimin e rendit të ri ndërkombëtar.
Për më tepër, Kosova është shtet evropian tej përkatësisë gjeografike. Shtetësia dhe pavarësia e saj janë ndërtuar si projekt vleror euroatlantik. Kosova është shtet evropian, sepse drejtimi historik i qytetarëve të saj për pavarësi ishte mes tjerash edhe pjesë e ndryshimeve strukturore pas rënies së Murit të Berlinit.
Dhe, pastaj, Kosova është shtet evropian në kuptimin bashkëkohor të konceptit Evropë të shekulli XX, sepse e njëjta frymë e ndërtimit të një kontinenti të lirë pas fitores kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore që institucionalizoi NATO-n, e BE-në, nxori nga diktatura Spanjën, Portugalinë, Greqinë dhe shtetet që ishin nën sundim të Bashkimit Sovjetik e komunizmit, arriti të formësojë edhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Por, Kosova është shtet evropian jo tërësisht i pranuar si i tillë prej disa prej shteteve të tjera evropiane, ndërkohë që është i kontestuar, edhe në aspektin e sigurisë nga Serbia dhe një Rusia. Dhe Kosova është shtet evropian, siguria e të cilit sikur edhe i shteteve të tjera është e varur, ndoshta për një masë më të ndjeshme, nga pesha specifike e SHBA-së.
Pra, Kosova është shtet evropian në momentin kur, sikurse që është i papërmbyllur identiteti i Kosovës në Evropë (BE dhe NATO), identiteti i Evropës (BE dhe NATO) është i papërmbyllur karshi fuqisë aleate të deritanishme (SHBA) dhe fuqive kundërshtare (Rusia) apo konkurrente (Kina dhe India).
Pra, po kalojmë prej një faze sigurie të garantuar nga një rend i vendosur në masë të madhe nga fuqia unipolare amerikane në një fazë të vendosjes së rendit të ri, ku SHBA-ja nuk do dhe njëkohësisht nuk mundet ta mbajë atë rol.
Atëherë premisa e dytë për analizë është se po bëhet ndryshimi i rendit ndërkombëtar dhe se ai ndryshim do të ketë ndikim në kontinentin e Evropës, rrjedhimisht për të gjitha shtetet e saj, përfshirë atë sui generis, Kosovën.
Fuqia motorike e ndryshimit të rendit të ri ndërkombëtar është kërkesa amerikane për këtë nga njëra anë - dhe realiteti i ngritjes së fuqisë konkurruese të Kinës e fuqive të mesme të “Jugut global”. Për efekt kemi ridefinimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe botës-miq, konkurrentë e kundërshtarë së bashku e njëherësh.
Nëse mund të thjeshtësojmë për momentin, nga perspektiva jonë e një shteti të vogël në një regjion të vogël të një Evrope të papërmbyllur si projekt, janë duke u ridefinuar katër fusha strategjike. Së pari është duke u ridefinuar natyra e mbrojtjes së kontinentit evropian, së dyti ajo e natyrës së marrëdhënieve ekonomike (rrjedhimisht gjeopolitike) globale, së treti ajo e rolit të fuqisë së BE-së (dhe Evropës në tërësi) në botën e re multipolare dhe së katërti ajo e natyrës së sistemit të vlerave që përbashkojnë SHBA-në me Evropën.
Fusha e katërt është ideologjike dhe ndonëse ka hyrë në disa prej dokumenteve strategjike të administratës amerikane - me shprehje të afërsisë për partitë e skajit të djathtë evropian - mund të mos ketë kapacitet strategjik afatgjatë apo afatmesëm. Me ndërrimin eventual të kaheve të administratës së ardhshme amerikane mund të dalin preferenca të tjera ideologjike, por deri atëherë s’do mend se do të ketë efekt në lëvizjet taktike të përditshme e të paparashikueshme (si p.sh. me rastin e Grenlandës) .
Por, për dallim prej ideologjisë, që kanë të integruar brenda edhe faktorin e paparashikueshmërisë, ia vlen të përqendrohemi në tri fushat e tjera të ridefinimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Evropës, ngase janë strategjike dhe kanë kapacitet të përcaktojnë dhjetëvjetëshat e ardhshëm.
Së pari mbrojtja e kontinentit evropian. Sado të duket e ndërlikuar sot dhe se është pjesë e fërkimeve euroatlantike, ekziston tashmë një pajtim shumë më i madh mes SHBA-së dhe Evropës rreth ardhmërisë së mbrojtjes së kontinentit evropian se ç’mund të duket. Kur të hiqet vokabulari ideologjik, Strategjia e Sigurisë Kombëtare (NSS) prodhuar në Shtëpinë e Bardhë dhe dokumenti i derivuar nga kjo, Strategjia Mbrojtëse Kombëtare (NDS) prodhuar në Sekretariatin e Luftës (ish-Mbrojtjes) vijnë në përfundim të njëjtë: Evropa duhet ta mbrojë veten, këtë duhet ta bëjë me rritjen e kontributit të vet në NATO dhe me përkrahje të kufizuar, por strategjike të SHBA-së.
Në një formë tjetër (dhe jo me kaq rol të madh për SHBA-në) para gjashtëdhjetë vjetësh për këtë angazhohej njëra prej figurave më të njohura evropiane, gjenerali De Gaulle, nga i cili doli koncepti i “autonomisë strategjike” evropiane. Sot, në forma të ndryshme ky koncept është adoptuar natyrshëm nga presidenti Macron, por me një peshë të veçantë nga kryeministri gjerman Merz, i cili ka ngritur konceptin e “forcimit të NATO-s nga brenda Evropës”.
Lufta ruse kundër Ukrainës dhe presidenca Trump, që të dyja në mënyrën e vet dhe me motive e mjete të ndryshme kanë pasur në fund një efekt dominues për ndërtimin e një konsensusi transatlantik (sado çuditshme të tingëllojë), pra tashmë është e pranuar në SHBA dhe Evropë se shtetet evropiane duhet të marrin përgjegjësinë e plotë të mbrojtjes konvencionale të kontinentit evropian, ndërkohë që roli i SHBA-së është ai i partneritetit në përkrahje të kufizuar strategjike. Dhe, ndonëse idetë evropiane ende janë të pakonsoliduara në hapësirën prej “autonomisë strategjike” te “forcimi i NATO-s nga brenda Evropës” tashmë ekziston një pajtueshmëri e plotë për së paku tri pika parësore.
Një, shtetet evropiane të NATO-s janë pajtuar që deri më 2035 të rrisin shpenzimet e veta për mbrojtje në 5 për qind të GDP-së (3.5 për armatim dhe 1.5 për qind për infrastrukturë e të ngjashme). Dy, shtetet evropiane duhet të aktivizojnë apo riaktivizojnë industritë e veta të armatimit, gjë që tashmë po ndodh dhe po shënohet si pjesë e rritjes ekonomike evropiane. Dhe tre, Ukraina është pjesë e përgjegjësisë evropiane, qoftë edhe në kushtet kur për gjetjen e armëpushimit dhe ndërprerjes së luftimeve ndërmjetësimin e bën administrata Trump.
Përcaktimi i këtillë i Evropës si një zonë mbrojtjeje e nën përgjegjësinë parësore evropiane me përkrahje strategjike amerikane nënkupton për Kosovën saktësisht gjënë e njëjtë, pra si përgjegjësi parësore evropiane me përkrahje strategjike amerikane.
Por, ngadalë, a nuk është kjo çka po ndodh prej kohësh? Pra, ka qenë kërkesë amerikane prej fillimit të këtij shekulli që përgjegjësinë për sigurinë në Kosovë e gjetiu në Evropë të jetë gjithnjë e më shumë barrë evropiane dhe në momentet e përshkallëzimeve në siguri në Kosovë kemi pasur menjëherë ardhje të shpejtë ushtarësh nga Turqia, Britania e Madhe e vende të tjera të kontinentit. Dhe, në ndarjen e punëve ka ekzistuar prej kohësh një sistem që funksionon, nën një komandë të unifikuar të NATO-s me seli në Napoli e në të cilën resurset amerikane, si vëzhgimi ajror apo siguria kibernetike janë përforcim strategjik.
Dhe, në masë të madhe, sipas strategjive të sigurisë e të mbrojtjes të SHBA-së, të NDAA-së (Ligjit për autorizimin e shpenzimeve për mbrojtje dhe dokumenteve strategjike të NATO-s, Kosova është pjesë e zonës strategjike të NATO-s, në të cilën SHBA-ja dhe anëtaret e tjera të NATO-s janë të dakorduara për vazhdimësi.
Cili është dallimi atëherë, në këtë ndryshim tektonik? Risia është se tashmë po hyjmë në vetëdijesimin e konceptit të Evropës si zonë unike sigurie nën përgjegjësi evropiane e me përkrahje amerikane. Kjo do të thotë se Kosova dhe Ballkani Perëndimor janë pjesë e hapësirës unike të sigurisë evropiane, jo më si marrës të resurseve të sigurisë evropiane e të NATO-s në përgjithësi, por si kontribuues të kësaj hapësire unike, pjesë e së cilës janë.
Zona unike evropiane e sigurisë nuk mund të përbëjë zona në të cilën sfidohet koncepti i sigurisë evropiane, siç është tani zona e shteteve të cilat Serbia i konteston në identitet e funksionalitet (Kosova, BeH e mbase edhe Mali i Zi). Sfida, pra, për Kosovën është se si mund të jetë Kosova kontribuuese e sigurisë evropiane?/Koha
Komente





