Sulmuesi anësor i Kombëtares, shkupjani Jasir Asani zbuloi prapaskenat sesi në shtatorin e 2017 kaloi te Partizani pas një bisede në telefon me presidentin e ekipit, Gazment Demi.
Asani ka treguar në “Soccer Talk Podcast” për ish-trajnerin Skënder Gega (fitues i titullit me Partizanin edhe me Asanin në ekip) se ishte nisur fillimisht te Kukësi. Ishte Gazment Demi, presidenti i Partizanit, ai që i ndryshoi mendjen pasi Asani mbërriti në Shqipëri.
“Me thënë të drejtën personi i parë që më ka marrë ka qenë presidenti (Demi) se unë kisha rënë dakord me Kukësin. Isha nisur me makinë dhe sa u futa në kufi më merr presidenti dhe thotë ‘përveç Partizanit nuk ke ku shkon tjetër në Shqipëri’. Personi i parë ka qenë presidenti”, u shpreh Asani.
Përvoja me Partizanin ka qenë e para për Asanin jashtë Maqedonisë së Veriut dhe pas paraqitjes së mirë me "Demat" luajti me AIK në Suedi, Kisvarda në Hungari dhe vijon të jetë pjesë e Gwangju në Korenë e Jugut.
Në datën 27 mars 2023 ai debutoi me kombëtaren shqiptare dhe deri tani ka luajtur 22 ndeshje dhe shënuar pesë gola.