Java e dytë e janarit ka nisur me reshje shiu në të gjithë vendin. Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se reshjet do të vijojnë deri të enjten. Qarqet më të prekura do të jenë veçanërisht Shkodra e Vlora.

“Në qarqet Shkodër, Kukës Vlorë dhe Gjirokastër do të kemi reshje intensive të cilat për pasojë do të shkaktojnë vërshime të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në pjesën tjetër të qarqeve reshjet do të jenë mesatare. Nga data 5 deri në datën 8 pritet të kemi rritje të prurjeve në lumin Mat, Drin, Buna dhe Vjosa", tha Gjoni.

Gjatë këtyre tre ditëve temperaturat parashikohen:

Në zonat bregdetare 13/17 gradë celcius;

Në zonat e ulëta 12/16 gradë celcius;

Në zonat malore 6/9 gradë celcius.

Sa i përket ditës së enjte do të kemi një rënie të temperaturave me 5 gradë celcius si në vlerat minimale dhe në ato maksimale. Në zonat malore temperaturat minimale të shkojnë deri në -4 gradë, tha Gjoni teksa theksoi se si pasojë e këtyre temperaturave në veri priten sërish reshjet e dëborës dhe ngricat.