Java kombëtare antitrafik në Vlorë, zv/ministrja Gjebrea: Bashkë mund t’ia dalim  

TIRANË- Në Vlorë u zhvillua aktiviteti përmbyllës i Javës Kombëtare Antitrafik, që përkon edhe me 15- vjetorin e themelimit të shoqatës "Vatra", e angazhuar në ndihmë të viktimave të trafikuara. Në këtë aktivitet morën pjesë zv/ministrja e Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit, Elona Gjebrea, ambasadori i SHBA në Tiranë, ambasadori i BE-së, ambasadori i OSBE-së, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të pushtetit vendor. Diskutantët pasi vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të luftuar këtë fenomen, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve për të patur rezultate më të larta.
"Gjatë kësaj jave janë organizuar pothuajse 60 aktivitete të tilla në nivel kombëtar. Uroj që kjo iniciative e para e këtij lloji e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar të vazhdojë si e tillë dhe në vitet në vijim", tha Gjebrea.
"Në rolin e Koordinatores Kombëtare Antitrafikim, vijoi ajo, dua t'ju siguroj se Zyra që unë drejtoj do t'i fokusojë përpjekjet e saj koordinuese në shkallë vendi, në termat afatshkurta dhe afatgjata, duke u përqendruar në katër shtyllat tashmë të njohura, te pranuara dhe mirëpritura nga pjesa më e madhe e vendeve të botës që janë: Ndjekja penale; Parandalimi; Mbrojtja dhe Partneriteti."
"Plani ynë i punës në vijim, shtoi Gjebrea, ka veprime konkrete brenda secilës shtyllë, duke u bazuar në analizat e bëra dhe problematikat e hasura, rekomandimet e Departamentit të Shtetit, BE-së, dhe GRETA-s në terma afatshkurtra dhe afatgjata."
Gjebrea tha gjithashtu se për të rivitalizuar ndjekjen penale ndaj trafikimit, synojmë forcimin e  një marrëdhënieje konkrete bashkëpunimi kryesisht me Prokurorinë, si anëtar i Mekanizmit Kombëtar të Referimit, por edhe me gjyqësorin, duke ofruar  gjithë punën e mirë policore dhe mbështetjen ndaj tyre për të siguruar që çdo trafikant brenda krimit të organizuar apo jo të marrë dënimin maksimal. "Synimi ynë është funksionim i plotë i çdo hallke të drejtësisë penale - asnjë trafikant i lirë!", nënvizoi Gjebrea.
"Të luftosh trafikimin, shtoi ajo, nuk do të thotë thjesht dhe vetëm të ndjekësh penalisht çdo trafikant apo bashkëpunëtorët e tyre; do të thotë edhe të mbrosh dhe të japësh mbështetje që  viktimat e këtij krimi të rimëkëmbin jetën e tyre. Rrjedhimisht, përveçse do te  sigurojmë një identifikim dhe referim të menjëhershëm dhe të mirë të çdo viktime trafikimi, do të fokusohemi edhe tek hartimi dhe vënia në funksionim e politikave sociale që do të mbështesin viktimat dhe institucionet që ofrojnë shërbime për to. Synimi ynë - çdo viktimë trafikimi merr të gjithë mbështetjen e duhur dhe rintegrohet plotësisht në shoqëri!", tha zv/ministria e Brendshme.
Në fund të aktivitetit, Gjebrea theksoi se përmes aplikacionit Raporto Shpejto dhe linjës kombëtare telefonike 116 006 , gjithsecili ka mundësi që në mënyrë krejt konfidenciale, të referojë pranë strukturave përgjegjëse një situatë që në gjykimin e tij, mund të jetë një rast trafikimi. /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?