Është një javë shumë e rëndësishme, por me pak luhatje sipas astrologut Jorgo Pulla. Kemi ndikimin e Mërkurit në anën e kundërt në Dem si dhe kemi eklipsin e Diellit, i cili është i pari për këtë vit duke na dhënë mundësi por dhe ndryshime të mëdha në rang global. Përgjatë kësaj jave do të na rikthehen disa probleme apo çështje të së kaluarës, ndaj duhet të jemi vigjilent. Është një javë ku do të merren vendime të rëndësishme, është një periudhë që vërtetë do të ketë ndryshime të mëdha, është një periudhë që na jep shumë mundësira, të cilat do të jenë pozitive, nëse vendimet merren në kohën dhe momentin e duhur. Sa i takon shenjave më të favorizuara të kësaj jave, sipas astrologut Pulla, ndikime më favorite për këtë javë ka shenja e Gaforres dhe shenja e Peshqëve.
Astrologu Jorgo Pulla më tej u ndal në parashikimin me të detajuar për 12 shenjat e zodiakut për javën e tretë të muajit 17-23 Prill.
Dashi
Përgjatë kësaj jave Dashi do të ketë mundësi të mirë në fushën ekonomike financiare, ndaj aty duhet të jetë fokusi më i madh. Do të ketë një ndikim të fortë planetar në këtë drejtim, zhvillime të reja në biznes, një takim të rëndësishëm i cili nuk do të jetë i rastësishëm. Ka një ndikim favorizues për Dashin këtë periudhë si në ekonomi ashtu dhe në takime perfekte, sidomos ditën e mërkurë dhe ditën e premte janë dy ditë shumë të mira për stabilizim. Në çështjet shpirtërore lidhjet që kanë të bëjnë me Ujor dhe Virgjëreshë duhet patur pak kujdes. Me Ujor të 10-të ditëshit të parë dhe Virgjëreshë të 10-të ditëshit të tretë do të jenë më të vëmendshëm për të mos folur më shumë se ç'duhet. Një udhëtim që mund të bëjnë pikërisht këtë javë, do ishte perfektja t'a realizojnë ditën e mërkurë, nëse nuk do kenë mundësi, më e mira është t’a shtyjnë për javën tjetër.
Demi
Si një shenjë e Tokës duket se Demi ka shumë mundësi, por dy do jenë më kryesoret këtë javë, familja dhe ekonomia. Në lidhje me familjen një problem i vogël që kanë patur para disa kohëve duket se tani ka ardhur momenti i stabilizimit, do të gjehet zgjidhja. Në çështjet shpirtërore, të palidhurit do të kenë një ndikim shumë të mirë për njohje të reja, ose një njohje mund t'a kthejnë në lidhje serioze. Me Akrep dhe Luan duket se ndikimet janë më favorizuese, sidomos me 10-të ditëshin e parë dhe të tretë. Nga një udhëtim që do bëni për çështje pune do të keni mundësi të flisni për një kontratë të rëndësishme, keni një mundësi të artë në stabilizimin ekonomik, vetëm kujdes me paranë këtë javë me shpenzimet e panevojshme. Nuk është momenti i duhur për të bërë blerje, nuk është koha e duhur, ndaj është mirë t’a anashkaloni dhe shtyni për një moment tjetër.
Binjakët
Përgjatë kësaj javë Binjakët do të kenë shumë mundësi dhe fokusin më të madh do ta kenë tek ekonomia. Në lidhje me një çështje ekonomike dhe një çështje ligjore e lënë pezull duket se tani ka ardhur momenti juaj. Ka ardhur momenti që ju të shikoni se çfarë do të bëni tani e tutje, është momenti më perfekt dhe ideal për të zgjidhur gjithçka keni në fushën e ekonomisë, të parasë, dokumentacioneve dhe ligjit. 10-të ditëshi i dytë dhe i tretë është pak më i favorizuar në çështjet ekonomike. Sa i takon anës shpirtërore, nëse keni patur një ndarje me Bricjap ose me Shigjetar të 10-të ditëshit të dytë, është momenti tani për të stabilizuar mosmarrëveshjet dhe lidhjen tuaj. Koha më e mirë për bisedime të rëndësishme në anën shpirtërore për zgjidhje problemesh, është dita e hënë dhe dita e premte, ku do të jeni nën ndikimin e Afërditës, planetit të dashurisë.
Gaforrja
Duket se do të jetë një javë e qetë për ju, do të keni fillim jave shumë të mbarë në çështjet ekonomike financiare, një kontratë e rëndësishme pune mbyllet. Duke filluar nga kjo javë deri në Shkurtin e 2024, Gaforret do të jenë nën një ndikim pozitiv planetar në fushën e ekonomisë. Kanë një yll nën mëngë që duhet të dinë t'a shfrytëzojnë për të mirën e tyre. Duhet të ecin me plan për të shkuar drejt një finishi të suksesshëm. Është një moment perfekt në çështjet ekonomike-financiare, në lidhje me punën aktuale apo me punë të reja apo me mundësi dhe dokumentacione jashtë Shqipërisë. Ndërsa në fushën shpirtërore duket se kanë patur disa probleme, fjalë të thëna prapa krahëve apo të pa peshuara mirë. Mos u shqetësoni, ka ardhur koha që ky konflikt të zgjidhet. Gaforre-Akrep, Gaforre- Peshk, Gaforre-Dem kanë ndikime shumë të mira dhe mund të shkojnë deri në altar. Duke patur një ndikim shumë të mirë në lidhje me një shtatzani që mund të jetë e realizueshme është Gaforre-Ujor.
Luani
Përsa i përket Luanëve kanë qenë paksa në dilemë sa i takon anës ekonomike, dokumentacioneve, disa çështje që nuk po i zgjidhin akoma. Po të vemë re tek Luanët në 12 muajt e vitit, 7 muaj janë kryesisht të qetë pa pengesa, ndërsa në 5 muajt e tjerë janë më të angazhuar. Dhe jemi pikërisht në këto muaj për Luanët, të cilët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në çdo hap që veprojnë dhe sidomos në çështje dokumentacioni duhet të jenë të mirë informuar. Dokumentacioni do të jetë problematika juaj më e madhe, ndaj kushtojini shumë rëndësi çdo detaji. Kjo javë gjithsesi jep mundësi të mira dhe duhet ta shfrytëzoni, pasi deri në fund të këtij muaji priten ndryshime të mëdha për Luanët. 10-të ditëshi i parë dhe i tretë është shumë i favorizuar, kanë mundësi shumë të mira në punën e tyre, stabilizimi është i sigurtë në këtë drejtim. Gjithashtu ekonomia dhe dashuria janë në rrugë të shtruar për Luanët gjatë kësaj jave, vëmendje vetëm në dokumentacion.
Virgjëresha
Virgjëreshat janë në fazën më të mirë të tyre duke qenë se vijnë nga një fazë parapërgatitore. Nga Nëntori-Dhjetori deri në Shkurt kanë qenë në disa dilema kryesisht në fushën e punës, por ka ardhur koha dhe momenti në fakt që pas 22 Marsit (dhe do të vijojë deri në Shtator) ka filluar një periudhë ndikimesh pozitive. Pas një rezumeje të asaj që ka ndodhur më përpara, Virgjëresha më në fund do të kuptojë se nëse disa gjëra nuk kanë ecur ashtu siç duhej në punën e saj, ka qenë për faj të të tjerëve dhe jo të saj. Dhe pikërisht ka ardhur momenti kur Virgjëresha të reagojë, pasi ajo duke qenë shumë e matur dhe e kontrolluar i peshon mirë fjalët që do të thotë. 10-të ditëshi i parë do të jetë më i favorizuari në këtë periudhë. Është një javë pozitive me shumë nisma të reja dhe e favorizuar për bisedime të suksesshme pune. Virgjëreshat priten të kenë një ndryshim shumë të madh në muajin Shtator, është një ndryshim që ka vite që nuk ndodh në shenjën e tyre. Në çështjet shpirtërore të palidhurit kanë një ndikim shumë të mirë me Binjak dhe Bricjap. Ndërsa favorite, me mundësi të mira janë lidhjet me Peshk dhe Dem.
Peshorja
Duket se në një farë mënyre Peshoret kanë ndaluar disi. Janë në dilema të mëdha, akoma nuk e dinë se ku duan të arrijnë dhe shkojnë, kjo kryesisht për punën e tyre apo për blerje të mëdha dhe të rëndësishme. Kjo është një anë e mirë sepse Peshoret kanë bërë shumë dhe s'kanë marrë asgjë, ose më mirë të thuhet "bëj nder e gjej qeder". Mirëpo tani ka ardhur momenti ku Peshoreve t'i plotësohen të gjitha dëshirat dhe kanë një mundësi shumë të mirë për të parë se ç'mund të bëjnë në ditët në vazhdim. Është mundësi e artë që do t'i jepet në punën e tyre ose në një bashkëpunim me persona të tretë në fushën e punës dhe karrierës apo një çështje biznesi e cila është mirë të niset tani nëse e keni në plan. Është një javë për marrje vendimesh të rëndësishme, vetëm kujdes shmangni çdo debat, sidomos të premten dhe të shtunën, kujdes mos u nxitoni. Në çështjet shpirtërore lidhjet që kanë të bëjnë me Gaforre dhe Peshk janë pozitive.
Akrepi
Përgjatë kësaj jave Akrepët do fokusohen shumë në fushën e ekonomisë dhe të udhëtimeve. Në fushën e ekonomisë edhe pse keni patur disa probleme, do keni shumë kujdes përsa i përket kësaj jave sidomos ditën e enjte dhe ditën e premte. Nëse keni për të bërë një aplikim për një çështje kreditimi shtyjeni për ditë tjetër ose akoma më mirë rimendojeni nëse vërtetë ju duhen ato para. Mos hyni në borxhe dhe kreditime, pasi mund t'ia dilni dhe kështu siç jeni. Në lidhje me një pasuri të paluajtshme që doni që të shitet, është një periudhë shumë e mirë kjo falë dhe ndikimit të Hënës. Në katër ditët e fundit të mbushjes së Hënës është mirë të bëhen shitje. Në çështjet shpirtërore lidhjet që kanë të bëjnë me Virgjëreshë dhe me Dash janë të mbara, ndërsa me Binjak kërkohet vëmendje.
Shigjetari
Për Shigjetarët kërkohet që në këtë javë fokusi të jetë tek ekonomia dhe paraja. Në lidhje me çështjet ekonomike-financiare do të keni një ndryshim, i cili është i vogël por do të jetë i madh për të ardhmen. Ky ndryshim ka të bëjë me paranë, ka të bëjë me ekonominë, sepse një burim të ardhurash të dyta e keni në dorë dhe është një mundësi shumë e mirë për të stabilizuar ekonominë tuaj dhe për të arritur qëllimet tuaja. Dihet tashmë që Shigjetarët janë shenja më e favorizuar sa i takon ekonomisë, ata asnjëherë nuk ngelin duar bosh. Keni një ndikim shumë të mirë planetar në trekëndësh të Jupiterit me Mërkurin, është java perfekte për nisma të reja në çështje pune. Ndërsa sa i takon anës sentimentale kanë pasur pak probleme në fushën e dashurisë. Shigjetarët duhet të jenë pak më të kujdesshëm këtë periudhë, nëse kanë një lidhje ose një njohje mund t'a kthejnë në lidhje serioze pikërisht këtë javë, pasi është java më e mirë e mundshme për ata që ende nuk kanë krijuar një familje.
Bricjapi
Duket se Bricjapët kanë mjaft gjëra për të thënë dhe për të bërë. Mirëpo kur vjen momenti i lënë gjërat pezull. Janë në dilemë dhe mendojnë shumë duke bërë dy hapa përpara, një hap pas. Përgjatë këtyre tre muajve Bricjapët kanë qenë në kërkim të një mbështetjeje të cilën nuk e kanë gjetur. Nuk kanë qenë shumë mirë këtë periudhë, pasi stresi i akumuluar ka bërë që të mos jenë në formën e duhur. Por, duket se tani ka ardhur momenti për të zgjidhur problemet dhe për të kuptuar se çfarë duhet të bëjnë. Ka ardhur momenti dhe koha tani që të veprojnë, pasi një kthesë pozitive do të ndodhë në fushën ekonomike financiare. Bricjapët nuk kanë pse shqetësohen, do të nisin një rrugë të re si dhe kanë mundësinë për të nisur dhe një punë të dytë. Duket se dhe një dashuri e re pritet të trokasë për Bricjapët. Gjithashtu është një javë e mirë për stabilizim të problemeve në lidhjen tuaj.
Ujori
Duket dhe është e qartë tashmë që Ujorët janë njerëzit më të palodhur, më punëtorët. Ata janë universalë në fushën e punës, në fushën e karrierës, marrin përsipër shumë gjëra dhe ia dalin me sukses. Do të keni një ndikim të fortë planetar, sidomos Plutoni që ndikon në pasuri të paluajtshme. Çfarëdo që është bërë gabimisht tek Ujorët ka ardhur momenti që ata tani të mund të përfitojnë, do të marrin dokumente, do të zgjidhin çdo problem ekonomiko-financiar. Ujorët duhet që përgjatë kësaj javë dhe javën tjetër, pa u mbyllur muaji, të nisin gjëra të reja dhe të mbyllin çdo vështirësi që mund të kenë hasur. Nëse keni probleme me ligjin, trokisni apo çdo gjë tjetër do të merrni zgjidhjen, është momenti i duhur. Sa i takon çështjeve shpirtërore lidhjet që kanë të bëjnë me Binjak dhe Akrep janë perfekt, ndërsa me Luan kërkohet vëmendje. Ditë më të mira për bisedime janë e mërkurë, e enjte dhe e diel.
Peshqit
Për Peshqit mund të themi se ata janë gjithmonë një dekadë para, për arsye të ndikime të forta që kanë në punën e tyre. Saturni, mësuesi i Universit ju jep një mundësi të madhe sidomos për ata që janë në role drejtuese. Peshqit kanë qenë gjithnjë të prirur që në momentin e fundit të zgjidhin gjithçka. Janë shumë të shoqërueshëm, por kanë një problem. Ata kanë intuitën shumë të zhvilluar, të kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thuash, nëse e ke me inat apo me të mirë, por ata nuk flasin dhe vjen momenti që gjithmonë kanë një shoqëri të pastër në vetveten e tyre. Për ata që punojnë në bankë apo që merren me tregti kanë mundësi tani që të ecin shumë përpara, kanë pikërisht "asin nën mëngë". Nëse kanë në plan për të lëvizur nga një vend apo një qytet tjetër e kanë këtë mundësi. Në çështjet shpirtërore lidhjet që kanë të bëjnë me Bricjap dhe me Luan duken të mbara, një vëmendje duhet të bëjnë me Peshore.