Opozita e Kosovës ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se po çon prapa Kosovën me vendimet që po merr lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Ky reagim vjen pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender 23” që ishin duke u mbajtur në Kosovë. 

Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë thotë se “Qeveria po bie në grackën e Serbisë” 

“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më pare”, thotë reagimi i LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i kërkon kryeministrit Albin Kurti të japë dorëheqjen për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës që çoi edhe në anulimin e stërvitjes së përbashkët ushtarake Defender Europe 2023”

Në një postim në facebook Haradinaj thotë se kryeministri Kurti po tenton t’i rrëzojë miqësitë dhe aleancat për të cilat janë  investuar dekada për t’i krijuar

"Është i vogël Albin Kurti t'ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj. Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t'ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!

LDK  ka shprehur shqetësim karshi Qeverisë të Kosovës dhe e kritikon për mungesën e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë

“Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët”, ka thënë LDK-ja dhe ka nënvizuar se “devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”.

Nga ana tjetër Haradinaj thotë se Albin Kurti po mbështetet në këtë iniciativë edhe nga presidentja Vjosa Osmani duke thënë se po e kthejnë Kosovën vite prapa.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?

Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t'i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë. Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t'i ruajë miqtë dhe orientimin e vet.

Për Haradinaj, Kurti e ka vetëm një shans në jetën e tij që t’ia bëjë një të mirë Kosovës.

“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t'ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, e mbyll postimin Haradinaj.

Pasditen e sotme ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të. Duke cituar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, ambasadori tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023" është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.