Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu është përplasur me këshilltarin e PS-së në bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi teksa diskutohej për “Foltoren” e PD-së para kryeministrisë. Debati u zhvillua në një studio televizive, por agravoi kur deputeti i Berishës tejkaloi limitet dhe bëri një koment diskriminues ndaj Muharremit, duke iu drejtuar me fjalët se "si duket je mësuar te Shtëpia e Fëmijës ti". 

Pas kësaj deklarate, këshilltari socialist reagoi në rrjetet sociale, ku theksoi se Mziu, në vend të një debati politik, e sulmoi duke e prekur në fëmijërinë e tij. Ai thotë se ajo periudhë i kujton bullizmin me të cilin është përballur, ndërsa shton se ndoshta vetë e ka kaluar, por mund të ketë të tjerë që jo. Muharremi thotë mes të tjerash se zgjodhi të heshtë duke kujtuar se dinjiteti nuk matet me tonin e zërit. 

“Përballë meje ishte një deputet i Partisë Demokratike, një njeri që fjalën “familje” e ka në themelet e filozofisë që pretendon të përfaqësojë.  E megjithatë, në vend të një debati mbi fakte e vizione, ai më riktheu pas në birucat e fëmijërisë, në një vend që mendoja se e kisha lënë shumë vite më parë: Tek bullizmi përtej murit. Unë mbase e kam kaluar por shumë motra e vëllezër në këtë situatë jo.

Për një moment, brenda meje u ndeshën dy Alfredë: ai i fëmijërisë që kërkonte t’i përgjigjej menjëherë me aq forcë sa kishte e me aq fjalë sa kishte. dhe ai tjetri, më i thelli, i Alfredit të rritur që më kujtoi se dinjiteti nuk matet me tonin e zërit, por me mënyrën si zgjedh të mos përgjigjesh përballë një niveli të tillë.

Zgjodha këtë të fundit, jo nga mungesa e fjalës, por edhe nga respekti për studion që më ftoi, për njerëzit që na shihnin, dhe mbi të gjitha për veten time e familjen time të fatit.”, ka shkruar mes të tjerash Muharremi.