TIRANË- Presidenti i Senatit Francez, Jean-Pierre Bel në një takim me Presidentin Bujar Nishani është shprehur se mbështet procesin e euro-integrimit të Shqipërisë.  Kryesenatori fracez Bel, që ndodhet në vendin tonë në një vizitë zyrtare, u shpreh se kishte ardhur në Shqipëri për të përcjellë mesazhe miqësie, solidariteti dhe afrimiteti me popullin shqiptar.

Ndërsa Presidenti Nishani tha se integrimi evropian i Shqipërisë është një proces, i cili  vlerësohet mbi bazën e meritës dhe i mbushur me sfida,  “përballimi i të cilave është përgjegjësi e jona, ndërsa mbështetja e partnerëve tanë evropianë mbetet shumë e rëndësishme, duke veçuar rëndësinë e mbështetjes së Francës si një aktor me peshë dhe zë shumë të fortë në Bashkimin Evropian.”
 
Presidenti falënderoi ndihmesën e Francës në procesin e reformave, veçanërisht në drejtësi, siguri dhe administratën publike duke shprehur bindjen për mbështetjen e Francës në marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa shtoi se ka ende shumë hapësirë për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, si energjia, turizmi, infrastruktura dhe bujqësia.
 
Franca ka qenë një ndër 5 vendet që në muajin dhjetor të vitit të kaluar nuk ka qenë dakord që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat dhe kërkoi nga qeveria të punojë më shumë sa i përket 5 prioriteteve kyçe që ka kërkuar BE-ja për integrimin. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)