Jelekët e verdhë 'përmbyten me fake news', i ndihmon portali i Kremlinit

Jelekët e verdhë 'përmbyten me fake news', i ndihmon portali i Kremlinit

Fytyra të përgjakura dhe njerëz të shtrirë përtokë: dhuna e Policisë franceze kundër jelekëve të verdhë, që protestonin në Paris vjeshtën e vitit të kaluar, dukej si një fakt i pranuar, të paktën po të gjykoje nga disa video të postuara në Facebook nga disa pjesëtarë të lëvizjes, të cilët akuzojnë mediat dhe qeverinë se kanë dashur ta mbajnë gjithshka të fshehur. Ose: ndërkohë që “protestuesit paqësorë” (siç lexo­het në tekstin e një video) duket që keqtrajtohen nga Policia, një video tjetër e postuar tregon presidentin francez Emmanuel Macron që kër­cen në një festë. Autori i postimit paralajmëron: “Shpërndajeni shpejt, para se të zhduket”. Por postimi është gjithnjë aty dhe është bërë “share” 192 mijë herë.

Këto dy video janë vetëm dy nga shembujt shqetësues të dizin­formimit, të përhapur në Facebook nga faqe dhe adresa pro-jelekëve të verdhë në pesë muajt e fundit, sipas një raporti të ri të organizatës jofitimprurëse Avaaz, të hartuar me ndihmën e gazetarëve investigativë.

Lajmet e rreme brenda lëvizjes së jelekëve të verdhë llogaritet të kenë arritur 105 milionë shikime, lexohet në raport, që titullohet “Jelekët e verdhë të përmbytur me fake news - më shumë se 100 milionë shikime dizinformimit në Facebook”. Në të gjithë Francën ka vetëm 35 milionë që përdorin Facebook-un.

Faqet Facebook që lidhen me jelekët e verdhë, në të cilat Avaaz ka mundur të konfirmojë praninë e lajmeve të rreme, janë rreth 200 dhe u shtohen 204 faqeve të tjera dhe grupeve publike në Facebook, që janë marrë në shqyrtim nga ana e sw përditshmws franceze Le Monde.

Në të vërtetë, fotot e mani­festuesve të rrahur nga Policia ishin imazhe të vjetra të protestave në Spanjë, që u përkisnin viteve 2011 dhe 2017. Një postim, për të cilin një anëtar i lëvizjes jepte siguri se kishte të bënte me dhunë ndaj jelekëve të verdhë, besohet se është shikuar nga 3 milionë e gjysmë njerëz. Ndërsa video e Macronit që kërcente kishte të bënte, në fakt, me një takim të organizatës së Frankofonisë, që ishte mbajtur në Armeni që para se të lindte lëvizja e jelekëve të verdhë.

Avaaz ka përdorur një skuadër “fact-checkers” (kërkues faktesh), që kanë analizuar rreth njëqind postime të shkruara dhe video me lajme të rreme, të shpërndara nga eksponentë të lëvizjes, për të verifikuar më pas prejardhjen dhe vërtetësinë e informacioneve të bëra “share”. Raporti tregon se pjesa më e madhe e 105 milionë shikimeve të postimeve të ndryshme të fake news-eve ka qenë për përmbajtjet anti-establishment dhe ato për dhunën e Policisë.

Një shembull tipik i shkrirjes mes përmbajtjeve anti-establishment dhe kundër Policisë është një vid­eo, e cila në fillim u shpërnda nga organizata e së djathtës ekstreme Pegida në Holandë, ku shihet një grua me jelek të verdhë dhe një karrocë fëmijësh, e cila arrestohet. Video është shpërndarë në Facebook nga faqe në anglisht, frëngjisht dhe italisht, ku, në të gjitha, thuhej se gruaja ishte arrestuar pikërisht sepse kishte veshur një jelek të verdhë. Postimi në gjuhë të ndryshme ka marrë dhjetëra mijëra “share” dhe ka sjellë një shpërthim indinjate tek mijëra përdorues të tjerë të Facebook-ut, të cilët në komentet e tyre kanë protestuar kundër të ash­tuquajturave elita: “Ata dhe kukullat e tyre në qeveri janë armiku”, lexohet në një prej komenteve në anglisht. Në të vërtetë, arrestimi i gruas u bë pasi, në karrocë, nuk ishte një fëmijë, por një kukull e madhe dhe Policia holandeze kishte vepruar në përputhje me ligjin, siç doli nga një verifikim i bërë prej agjencisë franceze AFP, që është riprodhuar në raportin e Avaaz-it.

Faqja italiane e Facebook-ut që i ka bërë ”share” postimit është ajo e Identita’ Italia, një organizatë nacionaliste, e cila “ka dalë për të re­alizuar një vepër të madhe informimi dhe formimi me synim vlerësimin e identitetit, territorit dhe kulturës së Italisë”, siç thuhet në përshkrimin që bën faqja. Përmbajtjet e shpërndara në Facebook nga Identita’ Italia shpesh përdorin fjalë dhe koncepte kyç, të përbashkëta në mjediset e së djathtës, si për shembull “taksitë e detit” – referim që u bëhet anijeve të OJF-ve që shpëtonin imigrantët në Mesdhe - një polemikë kjo, ku u përfshi në verën e vitit të kaluar edhe zëvendëskryeministri Luigi Di Maio – apo shprehin kundër­shti ndaj pjesëmarrjes së Italisë në Bashkimin Evropian.

Një tjetër rast, i bërë i famshëm dhjetorin e kaluar në Francë, ishte një letër, që iu atribua gabimisht aktorit Gerard Lanvin, që kritikonte qeverinë Macron. Letra u qarkullua në rrjetet sociale edhe në grupe të ndryshme Facebook të jelekëve të verdhë. Përmbajtja kishte tejkaluar tashmë gjashtë milionë shikime, kur aktori pohoi se ai nuk ishte autori i letrës.

ROLI I RUSSIA TODAY

Sipas raportit të Avaaz, prania e jelekëve të verdhë në internet (jo vetëm nëpërmjet Facebooki-ut, por edhe në YouTube) nuk do të kishte qenë as masive, po të mos ishte në mes Russia Today, kanali ndërkom­bëtar televiziv dhe web i financuar nga Kremlini. RT, që jep lajme në gjashtë gjuhë të ndryshme dhe është themeluar në vitin 2005 me synimin për të përmirësuar imazhin e Rusisë jashtë shtetit, shpesh është akuzuar për propagandë nga vendet, në të cilat operon, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në SHBA kanali përfundoi në shënjestër pas zgjedhjeve të vitit 2016. Për shkak të rolit të tij, që mendohet se ka luajtur në kuadër të përpjekjeve të Kremlinit për të ndikuar në rezul­tatin e zgjedhjeve, ky rrjet u regjis­trua si një “agjent i huaj” dhe është konsideruar zyrtarisht si një organ zyrtar propagandistik i qeverisë ruse.

Në Francë Emmanuel Macron, gjatë një konference shtypi të për­bashkët, pikërisht në prani në Vladimir Putinit, menjëherë pasi ishte zgjedhur në Elize’, tha se RT dhe Sputnik kishin qenë në atë fushatë si “organe propagande”, të cilat kishin prodhuar “më se një herë gënjeshtra kundër meje dhe fushatës sime” dhe kështu që i kishte dëbuar nga shtabi i tij i përgjithshëm: Nuk kanë bërë vetëm gazetari, tha ai. Dhe në muajt që pasuan, sidomos kur filluan protestat e jelekëve të verdhë vjeshtën e vitit të kaluar, RT mori një rol gjithnjë e më qendror në mbulimin e lëvizjes, që bëri lëmsh Parisin dhe që e ka armik të betuar Macronin.

Rrjeti ka filmuar në mënyrë ma­sive protestën, duke arritur “të dom­inojnë debatin” mediatik për temën e jelekëve të verdhë dhe madje “të ndikojnë tek lëvizja”, thotë Avaaz. Gjatë njerës prej protestave, man­ifestuesit filluan të thërrasin nëpër rrugë “Faleminderit RT”, një skenë kjo, që është ripublikuar në kanalin YouTube të rrjetit. Nga ana tjetër, jelekët e verdhë kanë qenë disa herë protagonistë të episodeve të dhunës ndaj gazetarëve, element që nuk u pëlqente protestave të të shtunave, të cilat po tronditin Francën prej më shumë se katër muajsh.

Ja se si, krahasuar me media të ashtuquajtura tradicionale franceze, si Le Monde, France24 apo Le Figa­ro, materialet mbi jelekët e verdhë të shpërndara në YouTube nga RT kanë marrë më shumë se dyfishin e shikimeve, rreth 23 milionë.

A ekzistojnë kundërmasa të mundshme përballë gjithë kësaj? “YouTube ka futur një opsion në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, për të informuar përdoruesit nëse janë duke shikuar një video nga një organizatë, që merr fonde nga një qeveri”, lexohet në raportin e Avaaz-it. “Por nuk kemi gjetur lajmërime të tilla për përdoruesit e YouTube në Evropë, as kemi marrë ndonjë njoftim se një gjë e tillë mund të vendoset gjatë zgjedhjeve evropiane të majit të këtij viti”.

*) Marrë nga gazeta italiane “La Stampa”

b.ha./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë