Me një kërkesë të datës 14 nëntor, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ia kërkonte zyrtarisht Gjykatës së Posaçme vënien në dispozicion të dosjes hetimore, si e drejtë themelore për një proces të drejtë ligjor.

“Deri më sot, pavarësisht kërkesave të mia të përsëritura, organi i akuzës i ka vënë në dispozicion vetëm avokatëve të mi një USB me 160 fashikuj dhe rreth 60.000 faqe aktesh. Nëse Ju, së bashku me organin e akuzës, vazhdoni të mohoni këto të drejta themelore, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, atëherë unë do ta konsideroj këtë si provë të plotë se ky proces ka humbur karakterin e tij gjyqësor dhe se gjykata, me vetë qëndrimin e saj, po vendoset në anën e akuzës”, thoshte Veliaj. 

Por edhe pas kësaj kërkese, Veliaj tha në seancën gjyqësore të së martës se asnjë faqe nuk i është vënë në dispozicion. Më herët, që më 19 gusht 2025 Veliaj i kishte bërë një tjetër kërkesë zyrtarisht SPAK-ut për dosjen, por prokurori i çështjes Ols Dado, me urdhër të drejtuesit të prokurorisë, Altin Dumanit, i kthente përgjigje se tashmë e kishte marrë me USB, edhe pse në fakt USB-ja nuk mund të përdoret në burg pas nuk lejohet kompjuteri.

Për Report Tv avokatët thonë se kanë kërkuar edhe mënyra alternative, si një kompjuter në burg, që kryebashkiaku të përdorte në mënyrë të kontrolluar, por nuk janë pranuar as këto kërkesa.

Vetë Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi ka reaguar në lidhje me këtë kërkesë të Veliajt, duke e konsideruar të përmbushur detyrimin e saj ligjor me dhënien e akteve me një USB. SPAK thotë se kjo mënyrë dhëniesh të akteve është pranuar edhe nga vetë mbrojtësit e Veliajt. 

“Prokurorët e çështjes theksojnë se mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe në asnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj”, thuhet në reagimin e SPAK.

Madje SPAK akuzon për mungesa të pajustifikuara të avokatëve në dosjen Veliaj dhe kërkesave të padrejta të tyre, që kanë sjellë shtyrjen e seancës paraprake 8 herë, teksa kujdeset të kujtojë afatin një mujor të gjykimit paraprak sipas Kodit të Procedurës.

Por në të njëjtën godinë, në një tjetër seancë paraprake, ajo për dosjen Meta-Kryemadhi GJKKO mori vendim të kundërt për të njëjtën kërkese. Ilir Meta kërkoi fashikujt të dosjes, në formë të printuar në burg, dhe gjyqtarja Irena Gjoka i pranoi kërkesën dhe shtyu seancën për t’i dhënë kohë ish Presidentit ta konsultonte. Data e seancës së radhës për Ilir Metën do të jetë më 22 dhjetor, ndërsa ajo për Erion Veliajn më 12 dhjetor.