SANAA, 22 shkurt /ATSH-ANSA/ - Një tjetër ngjarje e papritur që krijon sërish paqartësi të mëdha në skenarin politik konfuz të Jemenit.
Presidenti i dorëhequr, Abed Rabbo Mansur Hadi u largua dje në mbrëmje nga kryeqyteti Sanaa, ku prej disa javësh ishte në arrest shtëpie nga rebelët shiitë Huthi, dhe mbërriti në Aden, qytet port kryesor në jug të vendit, ku gëzon mbështetje të madhe popullore.
Megjithatë, nuk dihen ende qëllimet e tij.
Duket qartë që Huthit hoqën masën shtrënguese ndaj Hadit pas kërkesës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por, nuk dihet mirë nëse presidenti i dorëhequr ka rënë dakord me ish-të burgosur Huthi apo e ka marrë i vetëm këtë iniciativë.
Hadi, në pushtet që nga shkurti i 2012-ës, pas daljes nga skena të ish-njeriut të fortë të vendit, Ali Abdullah Saleh, mbërriti në Aden në rrugë tokësore. Mbetet për t'u parë tashmë nëse transferimi i Hadit në jug të vendit do të ndryshojë apo jo situatën e komplikuar politike në Jemen./ a.jor.










