SANA, 11 shkurt /ATSH-AFP/ - SHBA-ja dhe disa vende evropiane mbyllën ambasadat e tyre në Sana dhe nisën evakuimin e diplomatëve të tyre për shkak të përkeqësimit të krizës në Jemen.
Mbyllja e ambasadave nisi dje në mbrëmje nga Uashingtoni, që e justifikoi veprimin e tij nga përkeqësimi i situatës së sigurisë në Sana.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se personeli i ambasadës ishte transferuar jashtë vendit.
Tërheqja e amerikanëve mund të vështirësojë luftën që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Al-Kaedës, shumë aktive në vend, në mungesë të autoriteteve jemenite të njohura ndërkombëtarisht.
Britania e Madhe njoftoi gjithashtu ndërprerjen e përkohshme të operacioneve në ambasadën e saj dhe evakuimin e personelit të saj diplomatik.
"Situata po vazhdon të degradojë këto ditët e fundit. Ne mendojmë tashmë, me keqardhje se personeli dhe mjediset e ambasadës ndodhen përballë një rreziku në rritje", deklaroi ministri britanik i ngarkuar në Lindjen e Mesme, Tobias Ellwood.
Ai shtoi se ambasadori ishte larguar nga Sana në mëngjes dhe u bëri thirrje të gjithë shtetasve britanikë të tërhiqen menjëherë nga Jemeni.
Gjithashtu edhe Franca dhe Gjermania u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen menjëherë nga Jemeni si pasojë e rrezikshmërisë së lartë nga përkeqësimi i situatës së sigurisë./
/ec/










