BULQIZE- Emigrimi ka ndryshuar pamjet e shumë fshatrave në vend me shtepi te kycura e toka te lene djerre.
Por për një ditë te vetme, Lladomerica në Ostren të Bulqizës e rifitoi gjallërinë.
Festa e fshatit u kthye në një pikëtakim për emigrantët që prej vitesh jetojnë larg vendlindjes. Ardhur nga Anglia, Greqia, Gjermania, Italia e Zvicra, shumë bashkëfshatarë u bene bashke per te festuar me muzikë tradicionale, valle popullore dhe gatime karakteristike të zonës.
Ky aktivitet, përtej argëtimit ka marrë vlerën e një rikthimi simbolik tek rrënjët.
“Zona është një krahinë etnokulturore shumë e zhvilluar dhe e veçantë në Shqipëri, që ka ruajtur me fanatizëm traditat më të vyera të shqiptarizmit. Unë jam historian dhe i njoh shumë mirë këto çështje. Kam botuar edhe një libër për zonën tonë, e cila një krahinë e mrekullueshme shqiptare ku nuk ka elementë sllavë. Dikur kanë qenë 80 familje, ndërsa sot jetojnë rreth 45 familje. Shumë janë larguar për shkak të kushteve të tranzicionit, por jam i bindur se fshati ynë do të zhvillohet,” u shpreh Kadri Dauti, banor i zonës
Ai shtoi gjithashtu se ka marrë një vendim personal për t’u rikthyer në vendlindje.
“Për veten time e kam vendosur dhe po e deklaroj publikisht se unë do të kthehem në fshat sapo të dal në pension. Nuk ka si vendlindja jote, nuk ka si fshati yt. Shpirti yt është vendlindja jote”, tha Dauti.
E vendosur në zemër të Gollobordës, Lladomerica mbetet një nga fshatrat që ruan ende traditën e mikpritjes, dhe zakonet e zonës. Festa, qe organizohet per te 4-tin vit radhazi, është kthyer në një urë lidhëse mes brezave.
Komente











