Ardi Veliu është një tjetër Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit që nuk përfundon dot mandatin e plotë 5-vjeçar në këtë post. Në një kohë që ka rreth 4 vite në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i ka dorëzuar Kryeministrit Edi Rama letrën e dorëheqjes, ku shkruan se do i përkushtohet më shumë familjes. Teksa rrëfen peripecitë dhe vështirësitë që ka hasur gjatë detyrës së tij, Veliu shprehet se nuk do të kërkojë një mandat tjetër dhe se është përpjekur të jap më të mirën në menaxhimin e luftës ndaj drogës, krimit por edhe tubimeve.

Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar lajmin dhe letrën e dorëheqjes, ku vlerëson Veliun për kontributin e dhënë, ndërsa lë të hapur mundësinë për emërimin e tij në një tjetër post, pasi sipas kryeministrit "Veliu ka ende për t'i dhënë shtetit".

" Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t'i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer", shkruan Rama.

Kjo dorëheqje vjen 10 ditë para përfundimit të afatit 100 ditor që kryeministri Edi Rama kishte vënë për riorganizimin e Policisë së Shtetit dhe vendosur prioritete të qarta. Kryeministri kërkoi që punonjësit e policisë të përfshirë në afera korruptive, ryshfeti dhe ata oficerë që “luajnë me dy porta”, të largohen nga radhët e uniformave blu dhe të dalin përpara përgjegjësisë penale.

Veliu u emërua në këtë detyrë në 5 shkurt 2018, pas shkarkimit të Haki Çakos. Veliu ka përfunduar studimet në Akademinë e Policisë në Ankara të Turqisë, në vitin 1998. Gjithashtu është diplomuar dhe në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, në vitin 2004. Në vitin 2011 ka përfunduar studimet “Bachelor” në fakultetin e Drejtësisë, sipas publikimit të jetëshkrimit të tij në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë që dy emrat që mund të zënë vendin e Ardi Veliut janë Edmond Rizaj, drejtori i hetimit të krimit dhe Gledis Nano, kreu Antiterrorit. Të dy kandidaturat që ndodhen në zyrën e Ministrit Bledi Çuçi e që pritet të propozohen për kreun e Policisë së Shtetit.

Sipas ligjit për Policinë e Shtetit Drejtori i Policisë së Shtetit emërohet nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit. Ai qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh me të drejtë riemërimi edhe për një mandat tjetër.

Neni përkatës në ligjin për Policinë e Shtetit

Letra e dorëheqjes së Ardi Veliut

KRYEMINISTRIT

Z.Edi Rama

I nderuar zoti Kryeminister,

Per mua ka qene nje nder dhe privilegj t'i sherbej vendit si Drejtues i Policise se Shtetit per kater vitet e fundit ne nje pune sfiduese e impenjative te perditshme, shpesh larg familjes e femijeve qe kane sakrifikuar bashke me mua. Jam perpjekur te jap me te miren time dhe te forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kunder trafiqeve e droges, krimit te organizuar e atij te rruges, flukset e emigranteve apo dhe tubimet shpeshhere te dhunshme.

Por ne keto moment kam vendosur te mos kerkoj nje mandat tjeter dhe t'ju ofroj dorehqjen time per t'u perkushtuar me shume familjes dhe femijeve qe tani jane ne nje moshe delikate e te cileve ju kam munguar pafund keto kater vite.

Kjo ka qene padyshim pervoja me e vyer e jetes sime dhe ju falenderoj per besimin, mbeshtetjen dhe kurajon e vazhdueshme pa te cilat nuk do kishim arritur te menaxhonim me sukses kaq shume sfida. Mezi pres te punojme serish se bashku ne te ardhmen ne sherbim te vendit tone e njerezve tane.

Me mirenjohjen me te thelle e konsideratat me te larta,

Ardi Veliu

Letra e dorëheqjes së Ardi Veliut

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
Ardi Veliu iku vete nga drejtimi i Policisë së Shtetit, apo u detyrua të japë dorëheqjen? Ministri jep detajet

Ministri i Brendshëm, Beldi Çuçi ka reaguar në lidhje me largimin e Ardi Veliut nga detyra e Drejtorit të Policisë së Shtetit. Në emisionin "Opinion", Çuçi theksoi se Veliu dha vetë dorëheqjen dhe se nuk është ushtruar aspak presion për largimin e tij. Ndërsa vlerësoi punën e Veliut në krye të Policisë së Shtetit, Çuçi u shpreh se ka patur një kërkesë të shtuar ndaj Policisë dhe se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim.

"Dha dorëheqjen absolutisht. Në jemi në fillimin e një mandati të ri dhe ai e ka gjykuara që të japi dorëheqjen. Por, pa diskutim është një dorëheqje jo e shtyrë apo presion, por është një dorëheqje që ai e ka marrë gjatë të ushtrimit të mandatit me sukses, sipas meje. Unë isha në Komision Parlamentar atje një tjetër dialogu dhe shprehja u keqkuptuat nga mediat, nuk kemi të bëjmë me shkarkim. Është e vërtetë që Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen e nuk është shkarkuar se nuk ka pasur arsye. Informacionin e mora pasi mbarova komisionin e sigurisë që Ardi Veliu dha dorëheqjen. E vërtetë është që me kryeministrin kemi vëmë objektivat për 4-vjeçarin e ardhshëm që do kishte një kërkesë të shtuar ndaj policisë. Përgjithësisht ka qenë një përpjeke e mirë nga ana e Policisë, dhe pse kërkesat janë më shumë. Dhe besoj se në këtë pikë duhet të bëjmë më shumë", tha Çuçi.

Ora 19:57
Ardi Veliu dha dorëheqjen, kreu i Antiterrorit dhe zv.drejtori i Policisë, kandidaturat për t'u emëruar në vend të tij

1633456710_page.jpg

Gledis Nano dhe Edmond Rizaj

Edmond Rizaj, drejtori i hetimit të krimit dhe Gledis Nano, kreu Antiterrorit janë dy kandidaturat që ndodhen në zyrën e Ministrit Bledi Çuçi e që pritet të propozohen për kreun e Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Ardi Veliut.

Rizaj dhe Nano janë aktualisht në poste të larta në Policinë e Shtetit dhe plotësojnë kushtin e ligjit që përcakton se Drejtori i ri i Policisë duhet të ketë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues

Pa spropozimit të Ministrit Çuçi, Drejtori i ri i Policisë së Shtetit do të përzgjidhet nga Këshilli i Ministrave.

Ora 17:42
Ardi Veliu jep dorëheqjen, PD: Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak

Partia Demokratike ka reaguar për dorëheqjen e Ardi Veliut si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke e cilësuar si një lajm të mirë pasi në krye të policisë sipas saj ka një bandit më pak.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se nën drejtimin e policisë nga Veliu, Shqipëria u përkeqësua në luftën ndaj drogës dhe pastrimit të parave.   

"Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak. Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Largimi i tij është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës.

Nën drejtimin e policisë nga Ardi Veliu:

- Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi.

-Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista.

- Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve.

- Dhuna e ushtruar ndaj opozitës ishte e paprecedentë.

- Policia u përdor në zgjedhje, krah përkrah banditëve, për të blerë vota  për partinë në pushtet.

Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet për sa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar. Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona", shkruan PD.