Jep dorëheqjen Haxhinasto
në vend të tij Sokol Dervishaj

Jep dorëheqjen Haxhinasto<br />në vend të tij Sokol Dervishaj
Mbledhja e parë e shtatorit për qeverinë Rama do të karakterizohet nga impulse të reja. Një term i përdorur jo pak nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili, për të dytën herë në këtë mandat qeverisë, tërheq një nga ministrat e tij për t’i dhënë mundësi një tjetër njeriu të besuar për të ushtruar funksione të rëndësishme.

Taktika e Metës për t’i kënaqur të gjithë e për të rigjeneruar impulse të reja në qeveri, duket se ka detyruar Ministrin e Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto për të dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, bëhet e ditur se zëvendësuesi i Haxhinastos do të jetë Sokol Dervishaj. Përmes një njoftimi të shkurtër, kryeministria bën të ditur se Haxhinasto i ka paraqitur dorëheqjen Kryeministrit Edi Rama, i cili e ka pranuar duke e falënderuar për kontributin. Teksa emërimi dhe shkarkimi pritet të dekretohen nga Presidenti i Republikës, ata do të votëbesohen me shumë gjasë ditën e hënë, në seancën ceremoniale të çeljes së sesionit parlamentar.

Por burime nga Kryeministria dhe Partia Socialiste bëjnë me dije për Shqiptarja.com se nuk do të ketë ndryshime të tjera në kabinet nga radhët e PS-së, teksa ambicia e PDIU-së për pushtet, do të përmbushet me disa drejtori të rëndësishme kombëtare.

Dorëheqja
Sipas kryeministrisë, dorëheqja e Edmond Haxhinasto ka ardhur për shkak të angazhimeve të tij në LSI. Kryeministria bën të ditur po ashtu se, numri një i qeverisë e ka falënderuar ministrin për kontributin e dhënë.

"Ministri Haxhinasto i ka paraqitur sot kryeministrit dorëheqjen e tij nga detyra, për shkak të angazhimit të mëtejshëm në parti. Kryeministri e ka falënderuar ministrin e infrastrukturës e transporteve për punën e bërë në krye të dikasterit, kontributin e tij aktiv në skuadrën qeveritare dhe bashkëpunimin shumë të mirë me të”,- thuhet në njoftimin e kryeministrisë. LSI po ashtu shpjegon se Haxhinasto do të kryejë disa funksione të rëndësishme partiake, në kuadër të Konventës Zgjedhore të LSI-së. “Edmond Haxhinasto do të angazhohet me programin politik e elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI së afërmi ka Konventën zgjedhore ku do të ketë rishikim të programit. Sokol Dervishaj do të jetë Ministër Transportesh”,-tha Petrit Vasili.

Pas vendimit të marrë, ish-ministri ka shkuar në zyrën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe ka diskutuar me të për më shumë se 30 minuta. Në takim ishin mbledhur një pjesë e mirë e deputetëve të LSI ku Haxhinasto u ka sqaruar arsyet e dorëheqjes. Dorëheqja i është prezantuar edhe stafit të tij në Ministrinë e Transporteve, gjatë paradites. Dorëheqja e Edmond Haxhinastos vjen menjëherë pas takimit që kryeministri Edi Rama pati me kreun e Kuvendit, Ilir Meta katër ditë më parë.

Dervishaj
Sokol Dervishaj, i cili do të jetë ministri i ri i transporteve aktualisht punon si shef kabineti në Kuvend dhe historikisht ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ilir Metës. Ai ka lindur në Tiranë më 22 Nëntor 1969. Ka mbajtur postin e Zëvendës-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (Shtator 2010 – Prill 2013), i ngarkuar me Çështjet e Energjisë. Dervishaj ka shërbyer më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku ka kryer detyra të ndryshme si Specialist në Drejtorinë Rajonale dhe më pas Shef i Sektorit të Çështjeve të Sigurisë në Drejtorinë e Bashkëpunimit Euro-Atlantik gjatë viteve 1998 – 2000, Këshilltar i Ministrit gjatë vitit 2003, si dhe Drejtor i Kabinetit të Zëvendës-Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme gjatë viteve 2009 – 2010, kur shef diplomacie ishte Ilir Meta. Dervishaj ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës gjatë mandatit 2007 – 2011, si dhe është një ndër anëtarët themelues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku ka mbajtur dhe kryer funksione të ndryshme. Ai ka shërbyer në Ministrinë e Mbrojtjes në detyrën e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit gjatë periudhës 2000-2002 dhe në Ministrinë e Brendshme në detyrën e Shefit të Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar gjatë viteve 1997 – 1998. Sokol Dervishaj është diplomuar në vitin 1992 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, Katedra e Gjuhës Angleze. Ai është diplomuar në nivelin Master për Studime Ndërkombëtare në “King’s College”, Universiteti i Londrës (2003), si dhe është diplomuar në fushën e Studimeve Strategjike në “Royal College of Defence Studies”, Londër (2002). Ka ndjekur gjithashtu kursin e nivelit të lartë në Diplomacinë e Mbrojtjes në “Royal Military College of Sciences” dhe “University of Cranfield”, Britani e Madhe (2001), si dhe kursin ekzekutiv të Universitetit të Harvardit, “Shkolla Kennedy e Qeverisjes” (2012).
 
Rama:
"Haxhinasto ka paraqitur dorëheqjen për shkak të angazhimit të mëtejshëm në parti. Kryeministri e ka falënderuar ministrin për punën e bërë në krye të dikasterit, kontributin e tij aktiv në skuadrën qeveritare dhe bashkëpunimin shumë të mirë me të”.
 
Vasili:
“Edmond Haxhinasto do të angazhohet me programin politik e elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI së afërmi ka Konventën zgjedhore ku do të ketë rishikim të programit. Sokol Dervishaj do të jetë Ministër Transportesh”.


haxhinasto
haxhinasto
(Edmond Haxhinasto pas takimit  me Metën, në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Bardhi hodhi drejt Spiropalit këmbën e karriges, Braçe: Kështu ulërinin dhe më 21 janar, ‘bjerini’! Këta kanë vrarë njerëz, pse nuk vepron SPAK?

Bardhi hodhi drejt Spiropalit këmbën e karriges, Braçe: Kështu ulërinin dhe më 21 janar, ‘bjerini’! Këta kanë vrarë njerëz, pse nuk vepron SPAK?