Japin dorëheqjen kryebashkiakët socialistë të Beratit, Matit dhe Tepelenës; Ervin Demo,  Agron Malaj dhe Tërmet Peçi.

Agron Malaj ka dorëzuar kërkesën ditën e sotme (11 mars), teksa nesër mblidhet Këshilli Bashkiak për miratimin e saj.

Malaj ka qenë një nga emrat potencialë për listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Report Tv ka siguruar letrën e dorëheqjes së kreut të Bashkisë Mat. Mbledhja do të zhillohet nesër (12 mars) në porën 10:00 në bashkinë e Matit dhe do të ketë në rend të ditës "miratimin e kërkesës për dorëheqje të Malajt" dhe "zgjedhjen e nënkryetarit të bashkisë për vijimin e detyrave".

Po sot është dorëhequr edhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, prej disa mandatesh në krye të institucionit lokal dhe pritet të jetë në listën e qarkut Gjirokastër.

Një nga emrat e përfolur për deputet nga radhët e kryebashkiakëve është edhe Ervin Demo në Berat, njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut, që automatikisht përfshihet edhe në listat e mbyllura. Demo e ka dhënë dorëheqjen pasditen e sotme, ai pohoi për Report Tv se do jetë në listat e kandidatëve për deputetë. 

Kurse kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, e kontaktuar nga Report TV, tha se “do vazhdojë detyrën e saj si kryebashkiake dhe nuk do garojë për deputete”.

Pasi u largua në vitin 2013 nga Garda e Republikës, Agron Malaj nisi karrierë politike, pasi u bë pjesë e Partisë Socialiste. 

Më vonë ai u emërua kryetar i Partisë Socialiste për Matin dhe në të njëjtën kohë mori edhe detyrën e drejtorit të OSHEE-së për këtë rreth. Në fushatën e zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2015 doli në krah të kryeministrit Edi Rama për të kërkuar votat për kandidaten socialiste. Prej vitit 2019 mban detyrën si kryebashkiak i Matit në dy mandate.