U emërua nga Nishani, dorëhiqet para vettingut kryegjykatësja e Durrësit, ish kolege e Argitës

DURRËS - Jep dorëheqjen kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, pa pritur t'i nënshtrohet procesit të vettingut, 'filtrit' të kritereve profesionale, pastërtisë së figurës dhe pasurisë. Kërkesa e saj për t'u dorëhequr nga posti është pranuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe tashmë ajo do të vazhdojë punën deri më 31 tetor.

Pas dorëqjes, procesi i vettingut pritet të ndërpritet për gjyqtaren Joana Qeleshi por ajo tashmë duhet të qëndrojë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite.

Gjyqtarja e Durrësit thotë se ka zgjedhur një tjetër sfidë, siç është ai i sektorit privat. 

“Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat. Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë Spitalit Amerikan, paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”

Pjesë nga dorëheqja e Joana Qeleshit paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor

Joana Qeleshi u emërua në krye të Gjykatës së Durrësit në vitin 2013, nga presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani, që drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion që u shkri me reformën në drejtësi dhe u zëvendësua me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në atë kohë emërimi i sja pati polemika pasi Gjykata e Durrësit është një gjykatë karriere, në të cilën nuk mund të emërohesh direkt nga Shkolla e Magjistraturës. Joana Qeleshi e nisi punën si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit më 28 dhjetor 2011, dhe vetëm 1 vit më pas u emërua kryegjykatëse. 

Më 10 shtator të vitit 2007, Qeleshi u pajis me prokurë të posaçme nga biznesmeni i përfolur serbo-boshnjak-britanik Damir Fazlliç, mik i Sali Berishës, për të bërë regjistrimin e një kompanie të tij në Qipro. Qeleshi punonte në atë kohë në studion “Kola&Associates” të avokates tjetër Flutura Kola, ish-ortake në biznes e vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi. Në atë kohë, avokatja Joana Qeleshi nuk është prononcuar asnjëherë për faktet e bëra publike atëherë.

Vëllai i saj Real Qeleshi, është oficer i Policisë Gjyqëore, ndërsa babai, Arben Qeleshi, është avokat. 

Kush është Joana Qeleshi? 

Joana Qeleshi, pas përfundimit të studimeve universitare ka punuar pranë Studios Ligjore “Kola&Associates”, në pronësi të Flutura Kolës, ortakes së Argita Berishës në biznes. Pas rikthimit të Sali Berishës në pushtet, në 2005, Argita dhe Flutura Kola u kthyen nga Kosova, duke krijuar tri kompani ligjore: Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë një listë në rritje klientësh fitimprurës. Brenda pak muajsh, këto studio ligjore u kthyen në porta ku kalonin investitorë të ndryshëm, të cilët kërkonin të investonin në Shqipëri, shpeshherë me firmën e Sali Berishës. Në listën e gjatë të klientëve të profilit të lartë përfshihet edhe i famshmi Damir Fazlliç, miku i ngushtë i ish-kryeministrit Berisha, për mbrojtjen e të cilit vuri në rresht të gjitha institucionet shtetërore, madje e futi edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. 

G.M./xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Braçe ‘shpërthen’ ndaj Agron Shehajt: Gjithë jetën të vetmin biznes ke pasur call center, del na flet për bujqësinë tani që u bërë politikan

Braçe ‘shpërthen’ ndaj Agron Shehajt: Gjithë jetën të vetmin biznes ke pasur call center, del na flet për bujqësinë tani që u bërë politikan