Në zemër të Italisë së Jugut, në malet e Bazilikatës dhe të Kalabrisë, por edhe në krahina të tjera të Italisë, që nga Abruzzo, në Puglia e Siçili ruhen ende të pazbuluara perla të krenarisë tonë shqiptare: Traditat dhe kultura e arbëreshëve që jetojnë në vendin tonë fqinj që pas vdekjes së Skënderbeut. Lajmet e mira pak vend marrin në kronikat mediatike dhe arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë të mirë e si rrjedhojë jo shumë në qendër të vëmendjes.
Në Panairin e Librit të këtij viti mes shumë gjërave me vlera, gjen më të vlefshmen mbi të gjithë: Jeronim De Rada në qendër të vëmendjes, në 200 vjetorin e lindjes së tij.
Nëse për Shqipërinë kanë mbërritur vitet e mira të Rilindjes, të vlerësimit të virtyteve të vërteta, me Jeronim De Radën jemi në rrugë të mirë. Rilindasi ynë, që asnjëherë nuk preku dot Shqipërininë, sillet në shqip me të gjithë larminë e krijimtarisë nën kujdesin e Gëzim Gurdës. Por për romantikët e vërtetë dhe ata që e pëlqejnë letërsinë e mirë, nuk duhet t’u shpëtojnë referatet këto ditë në aktivitetet në panair të dy profesorëve të nderuar arbëreshë, njohësit më të mirë të veprës së De Radës: Francesco Altimari i Universitetit të Kalabrisë dhe Matteo Mandala’ i Universitetit të Palermos.
Për Jeronim De Radën kemi mësuar dhe lexuar edhe gjatë shkollës së diktaturës, por portreti dhe krijimtaria e tij nuk është shpalosur e plotë, me gjithë ndriçimin dhe elegancën që e ka karakterizuar këtë poet fin. Nëse po kërkojmë dhe duam të nxjerrim në dritë shpirtin tonë fisnik, të mbuluar nga pluhuri i paditurisë së imponuar nga fati i keq i sunduesve, që kanë mbajtur peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, kemi një mundësi vërtetë të mirë: Pasuria e jashtëzakonshme që ruajnë arbëreshët dhe që pasqyrohet në një letërsi të niveleve superiore, mund të na ndihmojë ne të gjithë.
Eleganca dhe finesa e Jeronim De Radës do të na ndihmonte shumë në këtë fazë zhvillimi të shoqërisë: Poeti romantik i Këngëve të Milosaos dhe Serafina Topisë është nga ata shqiptarë që shkriu pasurinë, çdo të mirë materiale për të nxjerrë në dritë më të bukurat e Arbërisë. Ishte mishërues i ëndrrës romantike dhe kishte ideal të tij ngritjen e një kombi mbi baza kulturore.
Vendosja e Jeronim De Radës, por edhe e gjithë pasurisë së jashtëzakonshme kulturore që ruhet mes arbëreshëve në Itali, në qendër të vëmendjes, është shans evoluimi për të gjithë.