Ndërsa zotëron 30% të aksioneve, Bashkia Lezhë ka hequr dorë nga përfaqësimi në bordin e Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë.
Mënyra e organizimit të kësaj ndërmarrjeje, e shoqëruar edhe me rritjen e çmimit të ujit gjatë viteve të fundit, pavarësisht kundërshtimeve nga Këshilli Bashkiak, është bërë shkak për mbajtjen e këtij qëndrimi.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku ishte thirrur për të raportuar ndërmarrja e ujësjellësit, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, shprehu kritika mbi mënyrën e administrimit të të ardhurave dhe punës së këtij institucioni.
"Kam heq dorë nga ky bord, pasi më ka shqetësuar rritja e çmimit të ujit. Ne ujësjellësin nuk e kemi në funksion të Lezhës për tarifat që paguajmë. Unë mendoj që duhet të marrim qëndrim ligjor. Për mua është e papranueshme”, tha Pjerin Ndreu.
Nga ana tjetër, drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve, Zef Maçi, deklaroi se falë performancës pozitive të institucionit, janë zbatuar dhe po zbatohen nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët një sërë projektesh madhore për qytetin dhe fshatrat.
“Ujësjellësi Lezhë është një projekt strategjik, i pashoq në Republikën e Shqipërisë, ndër më të mirët në rajon. për 9 vite nuk është ndërperë furnizimi me ujë të pijëshëm në Lezhë me apo pa energji apo ndonjë defekt”, tha gjatë fjalës së tij Zef Maçi.
Me reformën e vitit 2024, Ujësjellës-Kanalizime Lezhë është shndërruar në Shoqëri Rajonale, duke pasur në varësi edhe Kurbinin dhe Mirditën, ndërmarrje të cilat kanë pasur humbje dhe borxhe të shumta.
Komente











