Dani Alves, lojtari më i trofeshëm në historinë e futbollit 42 tituj të fituar në një intervistë për revistën GQ, kujtoi kohërat e vjetra në Sevilla, Barcelonë apo Paris. Në fakt kryeqyteti francez, ëndrra e çdo qytetari të botës për ta vizituar braziliani e sjell në një këndvështrim tjetër. 

36- vjeçari jetoi për dy vite në Paris por duket se ''Qyteti i dritave'' nuk i la shije të mirë ish- mbrojtësit të Barcelonës.

"Nëse shkon një javë në Paris mund të jetë udhëtimi i jetës por nëse jeton aty është vërtet shumë e lodhshme. Është qytet stresues dhe nuk më pëlqente shumë. Isha më i lumtur në Sevilla dhe Barcelonë sesa në Paris. Ai qytet më kujton Sao Paolon por aty njerëzit janë shumë racistë. Jo me mua, por unë e di mirë çfarë i ka ndodhur miqve të mi. "- thotë Alves. 

Kurse jetën në Spanjë ai e krahason me atë në Brazil. "Aty njerëzit janë të ngjashëm me brazilianët, të gjallë dhe e jetojnë jetën e tyre jashtë në rrugë jo të mbyllur në shtëpi. Ka më shumë gjallëri dhe në i pëlqej ata njerëz."- shton braziliani. 

Dani Alves prej verës nuk jeton më në Paris dhe është rikthyer në vendin e tij, Brazil ku luan për Sao Paolo. Pas një karriere të gjatë në disa vende të Evropës si Spanja, Italia dhe Franca duket se 36- vjeçari do e mbyllë karrierën aty ku e filloi.