11 vite pas shpërthimit në Gërdec/ Jetë të shkatërruara, fëmijë të gjymtuar dhe që nuk i njohën kurrë prindërit...'Zotit ja fal, por robit jo'

11 vite pas shpërthimit në Gërdec/ Jetë të shkatërruara, fëmijë të gjymtuar dhe që nuk i njohën kurrë prindërit...'Zotit ja fal, por robit jo'

Shperthimi ne Gerdec

Një fshat i rindërtuar me vila të larta dhe kujtimi i një tragjedie që ndihet në çdo rrugicë dhe godinë. Fëmijë që iu këput jeta në moshën më të bukur, dhe të tjerë që nuk njohën dot as nënën e tyre.

Jetë të shkatërruara dhe familje që ende jetojnë dramën e shpërthimit në 2008, që mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Shkaktarët e tragjedisë iu gëzohen miliardave dhe posteve, familjet jetojnë me dhimbjen e tragjedisë dhe mungesën e drejtësisë.

“Top Story” udhëtoi për në Gërdec, për të sjellë edhe njëherë në vëmendje ngjarjen që ndodhi aty dhe pasojat që kjo ngjarje la mbrapa.

Rrëfimi prekës i Reginës. Humbi krahun në tragjedinë e Gërdecit

Regina, 17 vjeç, kujton dhe rrëfen për “Top Story” të gjithë shpërthimin që ndodhi në Gërdec dhe sesi një predhë e goditi dhe e la pa ndjenja, moment ky që i ndryshoi të gjithë jetën. Ishte vetëm 6 vjeç në atë kohë.

Pas këtij momenti, Reginës i ka ecur jeta vetëm me gjilpëra në spital dhe me shpresën e rikuperimit për t’iu kthyer jetës normale, dhe pse mes kësaj lufte humbi njërin krah.

“Në fakt aty mu dukte vetja shumë mirë, nuk e dija atë që kishte ndodhur, edhe ilaçet qetësuesit bënë punën e vetë. Por e kam kuptuar pak më vonë kur babi më tha mos u kthe nga ana tjetër se vritesh, dhe kur, më shtyu kureshtja e fëmijës pse të mos kthehem, dhe pastaj kur preka pjesën e krahut se kisha… Se unë nuk e shihja veten, as në pasqyrë as në ndonjë vend tjetër, isha me fasho, më dukej normale deri kur kuptova që se kisha”, rrëfen për Top Story Regina Murati, ish-banore e Gërdecit.

“Unë e pyeta për gjithë fëmijët e motrës, gjithë familjen me emra, ajo ishte shumë e saktë. E pyeta për çunin e xhajes, ngaqë ai ishte içik esmer, fëmijët i thonin Pëllumb i zi, Pëllumb e ka emrin ai, edhe i tha, ky është Pëllumbi i zi”, rrëfen Kujtim Murati, ish banor i Gërdecit, babai i Reginës.

Regina, ka vështirësi kur realizon diçka vetëm me një dorë, por pavarësisht kësaj ajo ndihet e zonja të ndihet si të gjithë bashkëmoshataret e saj. Regina bën apel që të mos bëhen padrejtësi ndaj njerëzve të pafajshëm.

“Dhe për mua është e vështirë, sepse nuk është e lehtë të dalësh para të gjithëve dhe të thuash përjetimet e tua. Apel për të gjithë është që mos bëni padrejtësi ndaj njerëzve që janë të pafajshëm, se unë nuk pata bërë asgjë, isha në fillimet e mia…”, apelon Regina, ish-banore e Gërdecit.

Regina

Historia e Erison Durdajt, djalit 7-vjeçar që humbi jetën nga shpërthimi i Gërdecit

Zamira është nëna që humbi djalin e saj, i quajtur Eri, gjatë shpërthimit të armëve në Gërdec. Për “Top Story”, ajo tregon sesi Eri doli për të luajtur me biçikletë me fëmijët e tjerë, e më pas humbi jetën nga plagët dhe djegiet e rënda, që mori nga shpërthimi i armëve në Gërdec.

Edhe pse Erin e nisën për kurim në Itali, pas dy javësh ai nuk mundi t’u rezistojë plagëve të marra. Vogëlushi luftoi deri në fund, por kjo nuk mjaftonte. Për Zamirën, ndjesia e një nëne ishte lajmëtare e ngjarjes së kobshme.

“Fjala e parë që më tha ishte ‘më fal që ika pa leje’… Kjo ka qenë fjala e parë e Erit. Do shërohej e kisha shpresën, por djegia që ajo…e pati në pjesën e qafës e nuk furnizohej më komplet atë… që lidhen më qafën e trurin, nuk funksiononin, edhe rruazat e kuqe e të bardha kur ka bërë analizat në Itali nuk ishin… Ishte helmuar komplet organizmi, komplet, ndaj u shuan rruazat e kuqe e të bardha. E ndieva që në shpirt diçka u këput, Feruazani bëri sikur ishte në gjumë e nuk e dëgjonte telefonin, pas këmbënguljes sime të disa telefonatave, zileve që shkonin në Itali, ky e hap. Tha çfarë ke, thashë si është çuni, mirë tha ne jemi në gjumë. I thashë bëj be, jo tha jo, po shiko dy kalamajtë e tjerë se ai mbaroi. Kapa gocën që flinim bashkë, s’kisha ça të bëja, të ulërisja. Jam shtrënguar aq shumë sa nuk di çtë them”, tha Zamira Durdaj, nëna e Erison Durdaj

Zamira Durdaj: Nuk e fal gjakun e djalit tim, sot nuk ka asnjë të dënuar!

Zamira, nëna që humbi djalin gjatë ngjarjes së ndodhur në Gërdec, thotë që jetën e djalit të humbur nuk e fal kurrë. Për të nuk do të rreshtë asnjë sekondë duke kërkuar drejtësinë e munguar.

Pas 11 vitesh, sot Zamira ndihet e lodhur dhe e zhgënjyer, ndaj e vetmja gjë që e mban në jetë është zbardhja e kësaj tragjedie.

“Zotit ia fal, por robit jo. Atyre që ma bënë nuk ua fal kurrë jetën e atij. Një fëmijë i lindur në vitin 2000 të vdesë nga baruti e predha, që nuk i di çfarë janë? S’i kam borxh askujt, veçse më kanë jetën e gjakun e atij fëmije. Për të nuk do të rresht asnjë sekondë, sa të kem jetën time, do të kërkoj drejtësi, do t’i lëviz të gjithë gurët e kësaj bote. Kryetari i opozitës e çoi pallatin pas meje, (në Strasburg) Delijorgji i ka bërë ankimimet pas meje dhe mori dëmshpërblim, pse i kaluan afatet e paraburgimit, ka marrë dëmshpërlbim për Gërdecin, kupton se ku jetojmë? Gërdeci nga institucionet nuk u hetua si vepër korruptive, se ndodhi nga babëzia për parà dhe askush nuk ka hetuar”, tha Zamira Durdaj, nëna e Erison Durdaj.

Rrëfimi i Kristianës. Humbi të ëmën në tragjedinë e Gërdecit dhe sot është e birësuar

Kristiana nuk e njeh mamanë e saj, sepse e humbi kur ndodhi shpërthimi në Gërdec dhe u rrit nga Fatbardha Dani, e afërme e Kristianës.

Kristiana, së bashku me Fatbardhën, për “Top Story” rrëfejnë peripecitë, pasojat që shpërthimi në Gërdec la në familjet e tyre, dhe sesi ngjarja e ndodhur i mori jetën mamasë së Kristianës.

“Rastësisht e kanë gjetur vajzën aty edhe e kanë çuar në spital, aty e kemi parë në 7 të darkës që ishte komplet e djegur, por në ato momente ishte e vetëdijshme, fliste, tregonte për ngjarjen, pastaj i ra si vdekje klinike dhe doktorët thanë se do ta çonin jashtë. Në orën 12 u përmend edhe e çuan, shkoi kunata ime aty, shkoi në Itali për t’u kuruar, bëri dy herë operacion transplant, të tretën s’e përballoi dot dhe vdiq. Ajo vdiq më 12 prill, se rrojti një muaj atëherë”, rrëfen ngjarjen Fatbardha Dani, nënë birësuese e Kristianës.

Kristina, e cila ishte vetëm 4 muajshe kur humbi të ëmën, tregon për “Top Story” se nuk e ndien mungesën e prindërve, sepse ato nuk i njohur kurrë.

Gjyshërit e saj i dhanë fund jetës duke pirë helm, sepse nuk e duruan dot dhimbjen e humbjes së jetës së të ëmës së Kristianës. Ajo është një nxënëse shumë e mirë dhe ëndërron të bëhet mësuese.

Ndërkohë që, Fatbardha i bën një kërkesë shtetit që të ketë vëmendje kundrejt Kristianës, sepse vëmendja e tyre ka munguar për kaq vite radhazi.

Kristina

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Petraqi: 14/03/2019 10:04

    Deri sa nuk arrestohet kryekrimineli Sali Rame Berisha dhe te jape llogari per krimet duke perfshire edhe tragjedine e Gerdecit shpirtrat e 26 jwteve dhe familjaret e tyre nuk do te gjejne kurte rehat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim