Tiranë- Për t'i shpëtuar të ftohtit një 94-vjeçar ndezi një zjarr brenda banesës së tij, por fatkeqësisht gjeti vdekjen nga asfiksimi.
 
Ngjarja ndodhi në rrugën 'Niko Avrami' në kryeqytet, ku Izaet Zhuti humbi jetën për shkak se ndezi disa kartonë dhe më pas u asfiksua.
 
94-vjeçari jetonte i vetëm në banesë. Mendohet se pasi ka ndezur zjarrin i moshuari fillimisht ka humbur ndjenjat nga asfiksimi, ndërkohë që flakët janë përhapur me shpejtësi brenda dhomës ku ai po flinte.
 
Asnjë prej banorëve nuk i ka par flakët të cilat mendohet se kanë rënë rreth orëve të para të mëngjesit.
 
Kanë qenë banorët e lagjes, të cilët e kanë gjetur në shtëpi Izaet Zhutin rreth orës 7:30 të mëngjesit të së mërkurës, pasi ka ndjerë erën e djegies në banesë
 
I moshuari jetonte i vetëm në një shtëpi një katëshe. Ai nuk kishte as fëmijë, ndërkohë që gruaja i ka vdekur para shumë vitesh.
 
I vetmi person që e ndihmonte ka qenë një pastruese, e cila paguhej nga të afërmit e të moshuarit për ta pastruar shtëpinë dhe për të gatur.
 
Banorët e zonës thonë se 94-vjeccari vuante nga skleroza dhe kishte problem shëndetësore.
 
Izaet Zhuti kishte marrë nga vëllai i tij një fëmijë, por djali prej vitesh ishte larguar në Angli.
 
Policia e Tiranës thotë se shkak i vdekjes është asfiksia dhe djegia.
 
Pavarësisht se i moshuari ka tentuar të dalë nga dhoma, ai nuk ka mundur dhe fqinjët e kanë gjetur në dysheme pranë derës.

[gallery]20145[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com